Rezart Lahi, Doktor i shkencave politike shkencash është tashmë sipërmarrësi që ka sfiduar veten, duke realizuar ëndrrën e “INFINITi”, në formën franchise.

Rezart Lahi themelues iRrjetit Infiniti

Rezart Lahi themelues iRrjetit Infiniti

Dr. Rezart Lahi është gazetar, pedagog dhe sipërmarrës. Biznesi i tij i parë është “INFINITi”, rrjeti më i madh i kancelarive në Ballkan. Me mbi 60 filiale në Shqipëri, filial në Serbi dhe në shtrirje e sipër me 40 filiale në Kosovë, Kroaci dhe Austri, Rezarti është gjithashtu themelues i kompanisë së shitjeve online www.shoppingtv.al si dhe i kompanisë së investimeve “Holland Capital” me rreth 40 investitorë.

CMG: Kush është Rezart Lahi përballë pasqyrës, kur i duhet të flasë për veten?

Rezart Lahi: Jam një familjar i lumtur, të cilin e bën më të lumtur suksesi në biznes. Është dikush për të cilin në anglisht ka një term që quhet “Hustler – shtytës”, që gjërat të bëhen mirë. Një njeri për të cilin sipërmarrja është një pasion që çuditërisht si tek rrallë njerëz nuk e streson. Është gjë fantastike të zgjohesh çdo ditë me dëshirën për të përmirësuar diçka në kompanitë që kam krijuar. por ku je dhe punonjësi më afatgjatë i atyre kompanive, punonjësi që në ditë të vështira apo të mira ke qëndruar gjithnjë në ballë. Rezart Lahi është i apasionuar të flasë për sipërmarrjen dhe të shkruajë për të. Ndaj dhe çdo eksperiencë të tij prej më shumë se 2 dekadash e ka hedhur në formën e një narracioni në një libër në shqip dhe anglisht me një titull pak komercial “Bëjini fëmijët të fasur!”. Libri flet për çdo gjë që një prind i zakonshëm do të donte që fëmijët e tij të dinin rreth suksesit dhe sipërmarrjes.

Udhëtimet, sidomos ato në Kinë janë një kënaqësi, por edhe momente reflektimi.

CMG: Cilat janë tiparet që nuk kanë ndryshuar kurrë tek ju?

Rezart Lahi: Tipari i krijimit: Që prej ditës së parë të sipërmarrjes nuk jam ndalur së krijuari ide dhe koncepte të reja sesi duhet të zhvillohet biznesi. Çdo ditë, çdo javë, çdo muaj ka qenë automatizimi i proceseve, sesi një punë mund të bëhet sa më mirë dhe sesi mund të bëjmë kompaninë më të mirë të sektorit tonë në të gjithë Ballkanin. Pra krijimi është një tipar që e veçoj tek vetja.

CMG: A jeni njeri i sfidave?

Rezart Lahi: I sfidave po, i rreziqeve jo. Rreziku duhet të jetë i përllogaritur në biznes ose të paktën i bazuar mbi instinkte dhe jo thjesht një lojë bixhozi. Sfidat janë interesante. Në biznes edhe kur gabon, mëson. Në shkollë ne mësojmë që kur gabon s’ka asgjë të mirë. Në biznes është thjeshtë një tjetër mënyrë për t’u përmirësuar përsa kohë nuk je rrëzuar. Çdo lojë e marr shume seriozisht dhe jam lojtar që luan gjithmonë për të fituar dhe jo thjesht për të luajtur. Ndaj i them dhe bashkëpunëtorëve të mi që biznesi në vetvete është një lojë dhe s’duhet marrë aq seriozisht sa të stresoheni. Kënaquni duke luajtur për të qenë i pari.

CMG: Cila ka qenë ëndrra juaj më e madhe?

Rezart Lahi

Rezart Lahi

Rezart Lahi: Ëndrra ime më e madhe nuk ka kaluar dhe as nuk është përmbushur. Dhe as jam fare afër, për hir të së vërtetës. Si qëllim kisha të krijoja kompaninë e parë me mbi 100 filiale që në fillim më dukej e pamundur dhe të kisha kompaninë e parë të shtrirë në të gjithë Ballkanin. Por ky qëllim ishte vetëm një pjesë e objektivit të ëndrrës sime për të krijuar mjaftueshëm kapital qarkullues për të krijuar një kompani Hi-Tech që do t’i shërbente miliona njerëzve në Europë dhe me një vlere marketi të paktën një billion. Kjo do ishte përmbushje e një ëndrre që do mbetet e tillë derisa të realizohet ose derisa të jem i sigurt që ka qenë veç një ëndërr që më ka çuar shumë më larg seç do kisha mundur të shkoja pa të.

CMG:Të bësh biznes në Shqipëri do të thotë që?

Rezart Lahi: Unë kam studiuar në Amsterdam të Holandës. Isha mes mundësisë për të punuar në universitet atje, apo për të vijuar sipërmarrjen në Shqipëri. Pashë që Shqipëria kishte kaq shumë oportunitete, mundësi fantastike për të krijuar gjëra që nuk ishin ngritur akoma apo për të përmirësuar sektorë që ishin shumë primitivë, për nga pikëpamja e sipërmarrjes. Bëra një zgjedhje shumë oportuniste dhe zgjodha të bëj biznes aty ku çdo ditë ka mundësi të reja. Nuk merrem shumë me problemet që të sjell një treg ku rregullat e lojës respektohen sipas humorit, pasi edhe në një treg që ka probleme sipërmarrësit që duan të jenë të parët i gjejnë zgjidhjen çdo problemi. Në fakt ajo është puna e tyre. Të gjejnë zgjidhje dhe jo të ankohen. Ndaj të bësh biznes në Shqipëri është mundësi dhe jo problem. Ata që ankohen nuk kanë menduar për zgjidhjen, por për problemin. Dhe sigurisht kanë rrugë për të bërë.

CMG:Si ka qenë marrëdhënia me tregun kinez?

Rezart Lahi :Oh, është një eksperiencë që rrit këdo, e maturon dhe i hap vizione të reja. Sfida e parë është me gjithë atë mbi-informacion që merr në momentet e para të përballjes. Aty kupton se çdo gjë në botë mund ta gjesh në tregun e pafundëm kinez. Në fakt unë që para 20 vitesh kisha një mision që edhe pse kishim një kërkesë për produkte të lira, u fokusuam tek “INFINITI” në importimin e artikujve shumë cilësore nga Kina. Ishte me të vërtetë një sukses pasi pamë që po atë cilësi europiane për të cilën paguajmë shumë, mund ta gjenim me një kosto më të ulët për shkak të prodhimit masiv në tregun kinez. Ishte një strategji që na rriti marzhet e fitimit dhe që krijuam një klientelë besnike për produktet që kishin vlerë, pra një raport fantastik mes cilësisë dhe çmimit.

CMG: Çfarë pritshmërie keni për të ardhmen tuaj, në raport me tregun kinez?

Rezart Lahi: Nëse mbyll sytë dhe shoh tregun e Kinës në 2040 besoj që do gjej një treg global me brandë kineze, të cilët nuk prodhojnë me vetëm nën-kontraktim. Tregu i Kinës besoj do jetë vazhdimisht në rritje si nga volumi ashtu dhe nga cilësia e produkteve e për pasoje edhe e çmimeve. Rritja e standardeve të produkteve do sjellë edhe një rritje të çmimeve, por rritja e cilësisë do të sjellë edhe një kërkese më të madhe për produkte të tilla.

Rezart Lahi me familjen

Rezart Lahi me familjen

CMG: Në sa dyqane operoni për momentin?

Rezart Lahi: Aktualisht rrjeti i Kancelarive “INFINIT” operon në mbi 70 filiale në Shqipëri. Jemi prezent dhe në Serbi dhe Kosovë dhe po vijojmë zgjerimin drejt Kroacisë dhe Austrisë.

CMG: Cili është njeriu që ju ka mbështetur më tepër në rrugëtimin tuaj?

Rezart Lahi: Në fakt janë tre. Për dy të parët janë sigurisht prindërit e jashtëzakonshëm. Personi i tretë është një profesioniste e Kontrollit dhe Raportimit Financiar si dhe sektorit tonë shumë të rëndësishëm të IT. Ky person ishte një eksperte e sektorit bankar dhe pas shumë ofertash financiare më në fund pranoi të bëhej pjesë e “INFINITIT”. Ajo është bashkëshortja ime Najada, e cila pranoi të linte karrierën e saj e të bashkohej në këtë rrugëtim fantastik me mua. Dhe ajo që është më e bukura dhe që nuk e prisja, kënaqemi duke punuar bashkë.

Të gjithë ata që kam dëgjuar ë nuk punojnë dot sëbashku si bashkëshortë. Ne kemi totalisht punët e ndara, por ndërtojmë çdo ditë një tullë në kalanë tonë të sipërmarrjes me qindra punonjës dhe filiale nëpër shtete të ndryshme.

CMG: Cilat janë aftësitë në franchise?

Rezart Lahi: Marketingu. Së pari, për të zhvilluar një franchise duhet të kesh një imazh dhe marketing shumë agresiv, i cili do tërheqë vëmendjen e çdo kandidati të mundshëm.

Nuhatja. Së dyti, mund të takosh me qindra kandidatë dhe të shikosh qindra pozicione të tjera dyqanesh. Por, për të qenë i suksesshëm duhet të zhvillosh instinkt në përzgjedhjen e personave të duhur për t’i besuar franchisën. Përzgjedhja e gabuar në bashkëpunëtorë apo pika zgjerimi sjell një efekt domino përsa i përket dështimit.

Shitja. Në momentin e gjetjes së një kandidati potencial duhet të tregohesh shumë i aftë në shitjen e konceptit dhe idesë tënde. Pa pasionin apo aftësinë e duhur për t’i përcjellë kandidatit potencial vizionin tënd, humbet një filial që mund të ishte kthyer në një nga pikat më të suksesshme.

Negocimi. Jo çdo aplikant do jetë dakord me atë që ti thua në fillim apo gjatë procesit të punës. Ndaj dhe do duhet të jesh fleksibël në disa momente, pasi në momentin që je në franchise do kesh qindra bashkëpunëtorë me karaktere dhe dëshira të ndryshme. Detyra jote është t’i mbash të gjithë brenda rregullave në mënyrë që e gjitha kompania të rritet si e tërë.

Insistimi. Ka patur franchise ku pas takimit të parë gjithçka ka shkuar sipas procedurave. Ndërkohë ka pasur dhe të tjera me të cilat më është dashur të telefonoja dhe takoja disa herë që të bindeshin mbi faktin që po investonin paratë e tyre në biznesin e duhur. Po kështu më është dashur të insistoj në zbatimin e procedurave në një vend ku kultura e thyerjes se rregullave shpesh mbizotëron mbi atë të zbatimit të tyre.

Inovacioni – Prirja natyrale e shumë sipërmarrësve të rinj është kalimi i fajeve tek tjetri për problematikat e lindura në biznesin e tyre. Ndaj dhe prisni që pas një dite të keqe franchisat t’ju telefonojnë dhe kërkojnë ndihmë për të rritur volumin e punës. Është detyra juaj që në mënyrë të vazhdueshme të gjeni frymëzim dhe ide të reja që sjellin rritje te shitjeve.

CMG: Si e zhvilluat ju tregun?

Rezart Lahi: Kur hyra ne tregun e kancelarive të gjithë kompanitë e mëdha merreshin ose me tenderat ose tentonin të shisnin apo të kapnin ndonjë klientë shumice tek-tuk, duke i ulur nën kosto produktin e parë dhe duke i shitur shtrenjtë produktet e fundit. Duke i parë që të gjithë po vraponin në një rrugë, unë u nisa në një rrugë tjetër. I vetëm drejt zhvillimit të tregut të pakicës. Të gjithë donin të shisnin shumë produkte me marzh të vogël. Unë doja të shisja më pak produkte me marzh të lartë në sa më shumë dyqane. E dija që fillimisht nuk mund t’i bëja të dyja edhe shumicën edhe pakicën. ndaj u fokusova vetëm në ndërtimin e një sistemi automatik furnizimesh dhe menaxhimi për Rrjet Pakice.

Pasi mbërrita në 10 filiale pashë që disa nga furnitorët tanë po mundoheshin të na pengonin rritjen tonë pasi na shihnin si konkurrentë të mëdhenj në të ardhmen. Dhe në fakt kishin të drejtë. Ne po rriteshim shumë më shpejt sesa ata mund të na kontrollonin. Dhe kishin të drejtë edhe në qëllimin e tyre për të na penguar.

Siç ne kishim të drejtë të hynim më pas në tregun e shumicës dhe brenda vitit kur i prezantuam strategjinë tonë kompanisë globale, jo vetëm na dhanë distribucionin e markave te tyre për Shqipërinë, por disa edhe për të gjithë Rajonin.

Veç dyqaneve tona krijuam mundësi që të gjithë njohuritë e 15 viteve të para t’i ofronim atyre që dëshironin të hapnin një biznes dhe kishin para dhe dëshirë për të investuar. Dhe veç dyqaneve tona shtuam dhe 60 filiale franchise. Kjo e zhvilloi dhe ndryshoi tregun e kancelarive në Shqipëri. Dhe së shpejti do ta bëjmë këtë gjë në të gjithë Ballkanin.

CMG:Cilat janë sfidat e një franchise në tërësi dhe në rangun lokal?

Rezart Lahi

Rezart Lahi

Rezart Lahi: Shqipëria nuk ka shumë eksperiencë me sistemin franchise. Akoma shumë aspirante biznesi mendojnë që franchise-dhënësi do t’i hapë biznesin, do t’i paguajë qiranë dhe t’i japë mallin pa lekë e shumë gjëra të tilla.

Sfidë është që të kuptojnë që nëse duan të marrin një biznes të standardizuar nga imazhi, sistemi, mbështetja për këtë gjë duhet edhe të paguajnë, jo vetëm në përqindje mbi shitjet, por edhe në zbatimin e rregulloreve dhe standardeve.

Ne pothuajse nuk kemi shembuj të proceseve gjyqësore mbi prishjen e kontratave, ku palët duhet të kuptojnë që kjo marrëdhënie është e suksesshme vetëm në momentin që të dyja palët ndjehen të fituara, jo vetëm njëra.

Një mesazh për të rinjtë që duan të startojnë një biznes

Fokusi në Strategjinë e Biznesit.

Mos gjeni ide dhe biznese te vogla mbijetese, që i shihni gjithandej si të suksesshme.

Nëse ka shumë biznese te suksesshme mos u merrni me ta. Krijoni diçka tjetër.

Mos pyesni për biznes njerëz që nuk merren me biznes

Studioni tregun dhe konkurrencën para se të filloni

Shndërroni pengesat në mundësi

Jepini biznesit kohën e nevojshme para ndërmarrjes së hapit të radhës

Krijoni një disiplinë të hekurt financiare

Mos e kërkoni fajin apo zgjidhjen tek të tjerët. Fajtori dhe zgjidhja jeni vetë ju.

Besoj fort që sistemi franchise është e ardhmja në Shqipëri, siç ka qenë për dekada me radhë në SHBA dhe më pas në vende të tjera të botës. Koncepti ‘franchise’ është një domosdoshmëri që duhet integruar në kurrikula arsimore që në shkollë të mesme në një lëndë dedikuar sipërmarrjes, ashtu siç i informojmë adoleshentët edhe mbi kredinë, investimet dhe aplikimet për punë. Sistemi ynë i shkollimit ka treguar që është i prirur të thellohet në fusha që rezultojnë të panevojshme dhe mënjanon shpeshherë elementë jetikë për të ardhmen e fëmijëve në punë dhe jetë.

Nëse do kisha një biznes Real Estate – IT parts – Fast Food – Parfumeri – çfarëdolloj biznesi shërbimesh, do ta kisha krijuar me idenë e shumëfishimit dhe shtrirjes, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë. Hapat e parë për krijimin e një Franchise në të ardhmen janë: procedura të shkruara – imazh i unifikuar – linja të standardizuara – sukses në rritje, etj. Pjesa tjetër do jetë histori siç edhe është tashmë “Infiniti”. Një ëndërr s’mund të jetë asnjëherë shumë e madhe.

CMG:Jeta është fat apo punë?

Rezart Lahi: Sa më shumë punon aq më tepër fat ke. Jeta është përpjekje për të qënë i lumtur dhe i lirë dhe lirinë më të madhe ta jep sipërmarrja, e cila do punë të pandërprerë që të çojnë në sukeses. Fjalën fat e lidhim me koincidencën, por çdo gjë që vjen nëse nuk punojmë për të ikën dhe bashkë më të edhe fati. Ndaj dhe punoni shumë që të keni fat.

Intervistoi:Megi Latifi