Sesionet vjetore të Asamblesë Kombëtare Popullore (AKP) të Kinës dhe Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez (KKPPK) janë mbledhjet më të rëndësishme politike vjetore të Kinës. Në vendin me popullsinë më të madhe në botë, afro 3000 ligjvënës të AKP-së dhe mbi 2200 këshilltarë politikë të KKPPK-së mblidhen çdo mars në kryeqytetin Pekin, ku shqyrtojnë punën e qeverisë në vitin e mëparshëm dhe planin për vitin e ri. Ata votojnë dhe për projektligjet e vendimet më të rëndësishme shtetërore, duke formuar një sistem të efektshëm demokratik me përfaqësimin më të gjerë, për të garantuar drejtimin e vendit në të mirë të shtimit të mirëqenies së popullit.
Gjatë zhvillimit të dy sesioneve vjetore, anëtarët e këtyre dy organeve zhvillojnë diskutime sipas delegacioneve ose qarqeve të përfaqësimit mbi çështjet e përfshira në agjendë. Që nga viti 2013, kur u betua në postin e kreut të shtetit, deri vitin e kaluar, presidenti kinez Xi Jinping ka marrë pjesë në diskutimet e 50 delegacioneve të tilla, duke dëgjuar opinionet e anëtarëve dhe duke nxitur punët në fusha të ndryshme. Nga fjalët e tij në këto diskutime, mund të mësojmë qartë mendimet e presidentit kinez mbi qeverisjen e vendit.
Lufta kundër varfërisë
“Duhet të nxitim në mënyrë të qëndrueshme dhe të konsoliduar punën e zbutjes së varfërisë. Duhet të shpejtojmë pandërprerë këtë proces me masa efektive, për të shtuar sa më shumë përfitimet e banorëve të prekur nga varfëria”, tha Xi Jinping-u më 7 mars të vitit 2014, gjatë pjesëmarrjes në diskutimet e delegacionit të provincës Guizhou.
“Duhet të detajojmë më tej masat kundër varfërisë, duke përpiluar mirë programin kohor dhe duke mos lënë pas asnjë kombësi a rajon. Duhet të bëjmë më shumë për të përmirësuar arsimimin e fëmijëve dhe të krijojmë më shumë mundësi punësimi për të rinjtë, për të ndërprerë ‘trashëgimin’ e varfërisë midis brezave,” theksoi presidenti Xi Jinping më 8 mars të vitit 2015, gjatë diskutimeve me delegacionin e Rajonit Autonom të Guangxi-Zhuang-ut.
“Ndodhemi në fazën kyçe të luftës kundër varfërisë. Duhet të përqendrojmë të gjitha forcat dhe të nxisim zbatimin e masave për të garantuar që, deri në fund të vitit 2020, të gjithë banorët në zonat rurale e blegtorale dhe të gjitha kontetë e prekura nga skamja të dalin nga varfëria. Duhet të fokusohemi te çrrënjosja e varfërisë nëpërmjet masave së shënjeshtruara sipas kushteve vendore. Duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje ngritjes së nivelit arsimor, për të parandaluar trashëgimin e varfërisë dhe për të konsoliduar rezultatet e arritura”, theksoi Xi Jinping-u më 10 mars të vitit 2016 gjatë diskutimeve me delegacionin e provincës Qinghai.
2. Mbrojtja e mjedisit
“Duhet të nxisim si duhet ndërtimin e qytetërimit ekologjik, duke zbatuar projektin për ‘ujë të kthjellët dhe qiell blu’, për të ndërtuar një Kinë të bukur nëpërmjet përmirësimit të mjedisit ekologjik”, tha Xi Jinping-u më 8 mars të vitit 2013, gjatë diskutimeve me delegacionin e provincës Jiangsu.
“Mjedisi i jetesës përbën mirëqenien e popullit. Malet e harlisura dhe qielli i kaltër shtojnë ndjenjën e lumturisë. Duhet të ndëshkojmë rreptësisht veprimet që prishin mjedisin ekologjik”, u shpreh presidenti Xi Jinping më 6 mars të vitit 2015 gjatë diskutimeve me delegacionin e provincës Jiangxi.
“Duhet të gjejmë një rrugë të re zhvillimi në bazë të mbrojtjes së mjedisit për të realizuar zhvillimin e gjelbër dhe rritjen cilësore ekonomike. Duhet të forcojmë masat për të mbrojtur sistemin ekologjik, duke fituar betejën kundër ndotjes”, tha Xi Jinping-u më 5 mars të vitit 2019 gjatë diskutimeve me delegacionin e Rajonit Autonom të Mongolisë së Brendshme.
3. Pakicat kombëtare
“Duhet të ngulim këmbë në përmirësimin e jetesës së banorëve, të konsolidojmë pandërprerë bashkimin kombëtar, të krijojmë një mekanizëm për mbrojtjen e qëndrueshmërisë afatgjatë të shoqërisë dhe të shpejtojmë nxitjen e zhvillimit të vrullshëm e të sigurt të Tibetit, për të garantuar që deri në fund të vitit 2020, banorët tibetianë të gëzojnë së bashku me banorët e tjerë frytet e ndërtimit të gjithanshëm të një shoqërie relativisht të begatë,” bëri thirrje presidenti Xi Jinping më 9 mars të vitit 2013 gjatë diskutimeve me delegacionin e Rajonit Autonom të Tibetit.
“Duhet të forcojmë ndërtimin infrastrukturor në zonat ku janë të përqendruar banorët e pakicave kombëtare, të zhvillojmë sektorët ekonomikë në bazë të epërsive vendore e të ngremë strukturën përbërëse ekonomike, duke përforcuar aftësinë e rajoneve përkatëse për zhvillim të vazhdueshëm me forcat e veta. Duhet të caktojmë më shumë fonde për zhvillimin e shërbimeve publike dhe përmirësimin e jetesës së banorëve në rajonet me përqendrim të banorëve të pakicave kombëtare. Bashkimi kombëtar është elementi jetik për gjithë popullin kinez. Duhet të respektojmë ndryshimet dhe të përqafojmë shumëllojshmërinë kulturore, për të ndërtuar një familje të madhe harmonike, ku kombësitë e ndryshme ndihen të afërta me njëra-tjetrën, ndihmojnë njëra-tjetrën dhe zhvillohen krah njëra-tjetrës”, vuri në dukje kreu i shtetit i Kinës në diskutimet e delegacionit të provincës Qinghai më 10 mars të vitit 2016.
“Duhet ta çmojmë bashkimin kombëtar si sytë dhe jetën tonë. (Banorët e kombësive të ndryshme) duhet të jenë të bashkuar si kokrrat e shegës,” kërkoi presidenti Xi më 10 mars të vitit 2017 gjatë diskutimeve me delegacionin e Rajonit Autonom të Xinjiang-Ujgurit.