Ndër pasojat e shumta të ndryshimeve klimaterike, ka një që nuk mendohet shpesh, zhvendosja e specieve detare për shkak të ngrohjes së oqeaneve. Një studim i botuar në “Global Change Biology” e hetoi këtë çështje, duke vënë në dukje se deri në vitin 2100 efektet e ndryshimeve klimaterike do të sjellin gati gjysmën e peshqve që tani notojnë në një ose më shumë zona ekonomike ekskluzive (ZEE, pjesa e detit e ngjitur me ujërat territoriale) të migrojnë nga habitatet e tyre historike, duke rrezikuar të krijojnë konflikte serioze ndërkombëtare.
Hulumtimi ka gjurmuar që nga viti 2006 lëvizjet e më shumë se 9000 burimeve ndërkufitare të peshkut, d.m.th. peshqit që kalojnë ZEE-të e dy ose më shumë shteteve fqinje, të cilat përfaqësojnë 80% të asaj që peshkohet në ZEE në të gjithë botën, duke vlerësuar të dhënat e supozuara deri në vitin 2100. Nga studimi doli se nëse deri në vitin 2030 nuk bëhet asgjë për të reduktuar emetimet ndotëse të gazeve serrë, 23% e këtyre burimeve të peshkut nuk do të jetojnë më në habitatin e tyre historik dhe 78% e ZEE-ve do të preken nga lëvizja e të paktën një burimi peshku. Deri në vitin 2100 këto përqindje do të rriten, me migrimin e 45% të burimeve dhe përfshirjen e 81% të ZEE-ve.
"Shumë nga burimet e peshkut të përbashkëta midis vendeve do të migrojnë", -shpjegon Juliano Palacios-Abrantes, koordinator i studimit, i cili nënvizon: "Shumica e marrëveshjeve të menaxhimit të peshkimit të bëra për të rregulluar burimet e përbashkëta të peshkut u nënshkruan dekada më parë, me rregulla të vlefshme për situata shumë të ndryshme nga kjo aktuale”.
Këto ndryshime rrezikojnë të nxisin tensione në fushën e politikës ndërkombëtare, duke marrë parasysh gjithashtu të ardhurat e sektorit, midis viteve 2005 dhe 2010 të vlerësuara në 76 miliardë dollarë vetëm për peshkimin e specieve ndërkufitare, me vendet që do të kërkojnë të kenë akses në më shumë burime të peshkut.
“Ne shkencëtarët, në një pikë të caktuar, nuk mund të bëjmë asgjë tjetër dhe çështja bëhet politike”, -thekson Gabriel Reygondeau, një nga autorët. Këshilla e studiuesve është të rishikojnë marrëveshjet e përcaktuara më parë në dritën e ndryshimeve, ndoshta duke vendosur që të lejojnë peshkatarët nga vendet fqinje të peshkojnë në ujërat e tyre, duke ndarë fitimet e peshkimit.
Gjithnjë e më shumë po shihen rrjeta të zbrazëta. Nga viti 1950 deri në vitin 2015, numri i anijeve të peshkimit në botë është më shumë se dyfishuar, krahasuar me një rënie prej 80% në të njëjtën fuqi punëtore. Ndërkohë, ka flota të mëdha, efikase dhe teknologjikisht të avancuara, por për shkak të mbipeshkimit të deteve dhe mbipeshkimit të përqendruar vetëm në disa specie, rezervat e peshkut po bëhen gjithnjë e më të pakta.
Mbushja e rrjetave është pesë herë më e vështirë sot se 65 vjet më parë, dhe sigurisht që çështjet nuk do të zgjidhen duke rritur numrin e anijeve të peshkimit. Konfirmimi për ankesat në rënien e peshkimit vjen nga një studim i Universitetit të Tazmanisë dhe Organizata australiane e Komonuelthit për Kërkime Industriale dhe Shkencore (CSIRO), botuar në “Proceedings of the National Academy of Sciences”.
Në 65 vitet e fundit, rrjeti botëror i peshkimit është rritur nga 1.7 milionë në 3.7 milionë njësi, për pasojë të shtimit të anijeve detare në vendet aziatike, të cilat kompensojnë një rënie të lehtë në ato të Evropës dhe Amerikës së Veriut. Mbi të gjitha janë shtuar varkat e vogla me motor për përdorim personal, të cilat kanë zëvendësuar ato tradicionale dikur të zakonshme në Azi dhe Afrikë.
Sot, rreth 68% e anijeve të peshkimit në botë janë të motorizuara, por ky përparim teknologjik nuk korrespondon me sukses më të madh ekonomik. Flotat e peshkimit po zgjerohen më shpejt nga sa mund të jenë rezervat e peshkut, tashmë të prekura rëndë nga efektet e ngrohjes globale. Studiuesit analizuan periudhën kohore 1950-2015 të të ashtuquajturit “sasi kapje për njësi përpjekjeje” (CPUE), e cila tregon sasinë e kapjes (në peshë) për njësi të përpjekjes së peshkimit, e shprehur në kW/ditë.
Në pjesën më të madhe të Azisë Juglindore, Amerikës Latine dhe jugut të Mesdheut, kjo vlerë ka rënë sot në një të pestën e asaj të regjistruar në vitet 1950: një shifër shqetësuese veçanërisht për zonat me popullsi të dendur që jetojnë kryesisht nga peshkimi, për shembull në Azinë Juglindore.
Rënia e efikasitetit të industrisë së peshkimit mund të kundërshtohet me një menaxhim më të qëndrueshëm të rezervave të peshkut, si dhe me zvogëlimin e flotës, siç po ndodh në Australi. Nëse trendi aktual i zgjerimit të këtij sektori vazhdon i pandryshuar, nga mesi i shekullit mund të kemi një milion anije peshkimi në dete dhe një sasi gjithnjë e më të vogël peshku.
Ngrohja globale dhe dyoksidi i karbonit në atmosferë zvogëlojnë madhësinë e peshqve, ndryshojnë migrimin e tyre dhe i lënë ata të çorientuar. Një studim i ri i botuar në revistën “Science” zbulon se ngrohja globale po rrallon ndjeshëm sasinë e krijesave të detit që mund të peshkojmë pa dëmtuar rezervat e peshkut. Nëse kësaj i shtojmë edhe praktikën e mbipeshkimit, peshkimit të pamatur, jo racional dhe të përqendruar vetëm në disa specie që varfërojnë detet, panorama që shfaqet është shqetësuese.
Sipas hulumtimit, nga viti 1930 deri në vitin 2010, ngrohja e ujërave të oqeanit çoi në një ulje globale prej 4.1% të rendimentit maksimal të qëndrueshëm, sasia e peshkut që mund të kapet për një periudhë të pacaktuar kohore pa dëmtuar stokun.
Kjo do të thotë 1.4 milionë tonë peshk më pak që mund të merret në mënyrë të qëndrueshme, krahasuar me rreth 90 vjet më parë. Në pesë rajone, ulja ishte midis 15 dhe 35 për qind.
Më shumë se 56 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë nga industria e peshkimit. Peshqit janë specie gjakftohtë që pasqyrojnë temperaturën e ujit në të cilin notojnë dhe kur uji nxehet shumë, enzimat që ata përdorin për tretje dhe funksione të tjera thelbësore janë më pak efikase.
Shkencëtarët nga universiteti amerikan “Rutgers” dhe Administrata amerikane Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA) kanë studiuar ndikimin e ngrohjes së oqeanit në 235 popullata të 124 llojeve të peshqve, krustaceve dhe molusqeve në 38 rajone ekologjike të botës. Të dhënat e analizuara korrespondojnë me rreth një të tretën e kapjes në botë. Për shembull, ato në rajonet tropikale mungojnë, ku ngrohja e oqeaneve supozohet të ketë efekte edhe më serioze.
Humbjet më serioze u regjistruan në rezervat e peshkut të Detit të Japonisë, Detit të Veriut, bregdetit Iberik, rrymës oqeanike Kuroshio dhe rajoneve detare në perëndim të Mbretërisë së Bashkuar. Këtu, anijet e peshkimit që nisen për të gjuajtur merlucën e Atlantikut përballen me një të ardhme të zymtë. Për çdo shkallë shtesë të ngrohjes së oqeanit, rendimenti maksimal i qëndrueshëm do të bjerë me 54%. Nëntë lloje peshqish që jetojnë në ujëra veçanërisht të ftohta, për shembull në Kanada ose në Detin Baltik, duket se, për momentin, përfitojnë nga rritja e temperaturave të ujit.
Mbipeshkimi i bën rezervat e peshkut edhe më të prekshëm ndaj pasojave të ndryshimit të klimës. Studiuesit thonë se në mënyrë që peshqit, krustacet dhe molusqet të përshtaten me kushtet e reja të ujit, duhet të paktën të reduktohet peshkimi i pamatur.
Përgatiti: Irma Paloli