Synimi për një sezon turistik veror të suksesshëm kanë vënë në lëvizje autoritetet e këtij sektori, ndonëse jemi në muajin e dytë të vitit. Një nga sfidat që turizmi shqiptar ende nuk e ka fituar, është mjedisi i pastër, që së fundmi është kthyer në kryefjalë të deklaratave qeveritare, në drejtim të rritjes së cilësisë së turizmit shqiptar.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Pastërtia e zonave turistike dhe disiplinimi i plazheve

Disa ditë më parë ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se “pastërtia e zonave turistike dhe disiplinimi i plazheve janë prioritete të punës përgatitore për sezonin turistik 2022”.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit bëri të ditur këto ditë disa nga masat që do të merren në bashkëpunim me pushtetin lokal për një sezon turistik veror më cilësor për vitin 2022.

Sipas AKM-së, pushteti lokal do të marrë disa masa kudo ku ka ujëra larës, në zonat e cilësuara të ndotura për trajtimin e ujërave urbane, para se ato të shkarkohen në det, si dhe për vendosjen e tualeteve, shtimin e koshave të mbeturinave, të dhomave të ndërrimit, kullave të vrojtimit, në plazhet publike.

Ndër masat më të rëndësishme janë edhe informimi i publikut mbi cilësinë e ujërave bregdetarë të larjes dhe vendosja e tabelave informuese në kohë reale, si dhe përmirësimi i sistemit të menaxhimit të mbeturinave inerte si dhe mbeturinave urbane në plazhe.

AKM shprehet se do të vendosen në funksionim me eficiencë të plotë dhe zgjerohen kapacitetet e impianteve të trajtimit të ujërave urbane, që janë në funksion dhe ngritja e impianteve të trajtimit të ujërave në zona të vogla banimi.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit vë në dukje se duhet të jenë më të rrepta kontrollet në plazhe nga autoritetet kompetente (Inspektoriatet) për ruajtjen e mjedisit nga mbetjet urbane dhe inerte si dhe për zbatimin dhe ruajtjen e rregullave higjieno- sanitare.

AKM evidenton se gjatë sezonit veror të vitit 2021 u konstatua se ka pasur një fluks të shtuar pushuesish pothuajse gjatë bregdetit të Shqipërisë. Shkaktar kryesor të ndotjes në ujërat bregdetarë të larjes mbeten shkarkimet e ujërave urbane të patrajtuara në ujërat pritëse bregdetare në mënyrë direkte dhe indirekte. Një tjetër shkaktar për ndotjen mbeten impiantet e pastrimit, të cilat trajtojnë ujërat e ndotura, ato duhet të jenë në punë vazhdimisht.

Stacion plazhi në Shqipëri (ATSH)

Stacion plazhi në Shqipëri (ATSH)


E-leje për operatorët në zonën breg-ujore

Një tjetër masë për disiplinimin e veprimtarisë turistike është publikuar së fundmi dhe nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, e cila bëri të ditur mundësinë e aplikimit për të gjitha subjektet që duan të operojnë në zonën breg-ujore me struktura të përkohshme shërbimi gjatë sezonit zyrtar veror. Sipas ministrisë, aplikimi kryhet në sistemin e lejeve të ndërtimit, e-Lejet.

Në këtë sistem online ka një seksion të posaçëm të titulluar: “Leje për strukturë shërbimi në stacionet e plazhit”. Të interesuarit duhet të plotësojnë dokumentacionin sipas kërkesave në këtë seksion.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit sqaron se “në sistemin e – Leje aplikohet për strukturat e reja të shërbimit, pasi është marrë miratimi paraprak i menaxhimit të stacionit të plazhit. Në këtë seksion aplikohet edhe nga ata që e kanë një kontratë të menaxhimit të stacioneve të plazhit ekzistuese (më shumë se njëvjeçare). Në këtë seksion aplikohet për struktura shërbimi ekzistuese të paformalizuara”. Data e paraqitjes së projekteve të bareve të përkohshme nëpër plazhe është 25 marsi.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Borshi përgatitet për “South Outdoor Festival”

Borshi, një nga stacionet më të frekuentuara bregdetare në jug të Shqipërisë, i njohur për ujin e kristaltë, plazhin e mrekullueshëm dhe natyrën mbresëlënëse do të mirëpresë nga 29 prilli deri në 3 maj “South Outdoor Festival”.

Festivali në edicionin e 5-të të tij ka për qëllim promovimin e turizmit të qëndrueshëm gjithëvjetor në fshatrat e bregdetit jonian, si një kombinim i turizmit të detit me atë të traditës e aventurës. Me këtë rast ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka shpërndarë një video promovuese të këtij aktiviteti që mbledh turistë të shumtë vendas e të huaj.

Pamje nga plazhi i Borshit (ATSH)

Pamje nga plazhi i Borshit (ATSH)

“Vera po afron e bashkë me të vjen “South Outdoor Festival” nga 29 prilli deri më 3 maj në Borsh. Sporte, lojëra, muzikë, panaire lokale, kulinari tradicionale dhe surpriza të tjera”, u shpreh Kumbaro.

Turistët vendas dhe të huaj si dhe të rinjtë do mund të shijojnë në këtë festival aktivitete sportive në natyrë, lojëra, argëtime por edhe ture kulturore e mbrëmje festive, të gjitha këto nën shijen e kuzhinës tradicionale dhe pamjeve magjepsëse të Jugut.

Borshi është një nga fshatrat më të mëdhenj të Shqipërisë së Jugut, që shquhet për ullishtet, prodhimin e vajit të ullirit si dhe për plazhin e gjerë (7 km të gjatë) të krijuar nga delta e lumit. Ai karakterizohet nga një diversitet i jashtëzakonshëm gjeologjik, një përzierje e detit, maleve dhe burimeve të mahnitshme natyrore, si dhe një trashëgimi e pasur kulturore, traditë dhe kuzhinë të shijshme që e bën atë ideal për të gjitha llojet e aktiviteteve në natyrë dhe një destinacion turistik gjithherë të preferuar.

Më 1 maj Shqipëria pritet që të çeli sezonin turistik veror, bëjnë të ditur burime zyrtare. Autoritetet po marrin masa për menaxhimin e stacioneve të plazhit, plazheve publike dhe veçanërisht për të patur një sezon turistik sa më të pastër. Autoritetet e turzmit thonë se Shqipëria do të jetë sërish këtë sezon Covid Free pa asnjë kufizim. Nga ana e tyre operatorët turistikë parashkojnë që Shqipëria këtë vit të presë deri në 30 % më shumë turistë se viti 2019. Ata i kërkojnë qeverisë hiqjen e taksave të kufirit në aeroporte, heqjen e vizave nga qytetarë të Lindjes së Mesme dhe një marketing të fuqishëm.

Eda Merepeza