Njeriu ka qenë në Tokë për 2 milionë vjet. Gjatë pesë mijë viteve të fundit ka prodhuar shenja të prekshme të pranisë së tij. Nëse do të zhdukej sot, cilat gjurmë të pranisë së tij do të mbijetonin pas njëqind mijë vjetësh? Dhe si do të dukej planeti ynë?
Toka në evolucion(Foto Google)
Duke gërmuar në një thellësi prej 2 metrash, mund të gjendet për shembull një shtresë e pasur me mostra të formave të ndryshme, të bëra nga një polimer inorganik. Shtresa e polimerit ekziston vërtet: nga gjysma e dytë e shekullit XX e deri më sot ne kemi tejkaluar me bollëk njëqind mijë tonë plastikë të prodhuar. Një material i shpikur për të qëndruar.
Plastika nuk është e vetmja gjurmë që do të lëmë. Shtresa polimerike në fakt do të përzihet me atë "urbanus", e përbërë nga mbetjet e ndërtesave të shembura. Secili prej nesh përdor rreth 500 tonë materiale ndërtimi gjatë jetës sonë. Këto janë rëra, balta, guri, çeliku dhe metale të ndryshme që përdoren për të ndërtuar rrugët dhe qendrat tregtare që frekuentojmë dhe ndërtesat ku jetojmë.
Çfarë do të gjejë ndonjë arkeolog pas 100.000 vjetësh? Grataçelat e Nju Jorkut, kullat e Kuala Lumpurit apo piramida e Luvrit në Paris? Asnjë nga këto. Athina e së ardhmes do të jetë ende Athina e Partenonit. Midis një ndërtese të këtij shekulli dhe një të periudhës romake, e dyta e ndërtuar me gurë të fortë, me siguri do të mbijetojë më shumë. Ndërtesat e së shkuarës, duke përfshirë edhe ato prej tullash balte kanë treguar tashmë se mund t'i rezistojnë viteve.
Ndërtesat më moderne me vlera të mëdha arkitekturore janë prodhuar me materiale që kërkojnë mirëmbajtje të vazhdueshme. Edhe blloqet e xhamit duhet të ndërrohen vazhdimisht. Nëse njeriu do të zhdukej, do të zhdukeshin edhe grataçelat.
Grjótagjá, Islandë, frakturat e tokës (Foto Meteoweb.eu)
Për mos të përmendur ndërtesat që rezultojnë nga spekulimet e ndërtimit të viteve ‘50. Pas luftës, betoni i armuar u quajt "shkëmb artificial". Mendohej se ishte i përjetshëm. Nuk ka kaluar shumë kohë dhe opinioni ka ndryshuar rrënjësisht. Fatkeqësisht, edhe ura të tëra shemben. Në fakt, betoni i armuar i nënshtrohet karbonizimit, një reaksion kimik që ndodh në kontakt me shiun dhe shpërbëhet.
Por do të ketë disa përjashtime. Për shembull, fletët e titanit që mbulojnë Muzeun “Guggenheim” në Bilbao, i inauguruar në vitin 1998, do të duken të reja edhe pas qindra miliona vjetësh. Ato janë praktikisht të përjetshme.
Shumë varet gjithashtu edhe nga vendndodhja. Milano mund të ketë më shumë gjasa se Los Anxheles për të kaluar te pasardhësit. Ndërsa kjo e fundit në fakt do të shkatërrohet për shkak të një frakture tokësore. Lugina e lumit Po do të mbetet në vendin e vet dhe gradualisht do të mbulohet nga materiali sedimentar i transportuar nga degët e Posë. Mbetjet milaneze do të varrosen më pas nga një shtresë mbrojtëse.
Nëse ekuilibri delikat në të cilin ndodhet akulli i Antarktidës do të thyhej në favor të shkrirjes, siç ndodhi 10 mijë vjet më parë në Amerikën e Veriut, shumë qytete bregdetare do të mbulohen nga uji. Nëse procesi është i ngadalshëm, erozioni i valëve do t'i shkatërrojë ato, por nëse është i shpejtë, ato do të fundosen dhe, në fund të detit, do të jenë në vendin më të mirë për t'u fosilizuar. Nëse mbulohet nga balta, e cila humbet deri në 90 për qind të vëllimit të saj ndërsa fundoset, ngjeshja mund të shtypë çdo strukturë. Por, nuk do të humbasin identitetin e tyre.
Megjithatë, Toka patjetër do të ndryshojë pamjen e saj në vitet e ardhshme. Pjesa më e madhe e kores është duke lëvizur në përgjigje të shtytjeve të grumbujve që e përbëjnë atë dhe që notojnë në mantelin e shkëmbinjve të lëngshëm. Italia, për shembull, pas 10 milionë vjetësh do të jetë ende aty ku është tani, por ndërkohë Mesdheu që e rrethon do të jetë zhdukur pothuajse. Do të mbeten liqene të kripura që do të thahen në verë. Në fakt, Afrika po “vjen” në Evropë.
Bashkimi i kontinenteve, (Foto Insider)
Përplasja mes dy kontinenteve do t'i shtyjë Alpet lart. Everesti i së ardhmes do të jetë po aty, ndërsa një oqean i ri do të lindë në Luginën Rift në Afrikën verilindore. Britania dhe Skandinavia, nga ana tjetër, do të shkojnë në rrëshqitje dhe do të gjenden më pranë kontinentit amerikan, siç parashikohet nga Anketa Britanike e Antarktidës, e publikuar nga “Focus”.
Sipas studimit, ata që do ta shikojnë planetin tonë pas disa milionë vitesh do të mahniten edhe nga një fenomen tjetër. Në lavat vullkanike dhe rreth kreshtave oqeanike do të gjenden shenjat e një lëkundjeje magnetike, që korrespondon me përmbysjen e poleve tokësore. Kjo ndodh rreth çdo 100.000 vjet.
Më vonë me kalimin e kohës, le të themi në 100 milionë vjet, shumë zona nuk do të njihen më. Afrika, Evropa dhe Azia do të jenë një kontinent i vetëm. Dhe majat e Himalajeve do të jenë kthyer në kodra ndërkohë.
Varrezat e tanishme mund të mos jenë aq të qëndrueshme sa varret e qytetërimeve të lashta, por kushdo që arrin disa milionë vjet pas zhdukjes sonë duhet në çdo rast të ketë material të mjaftueshëm për të hetuar anatominë tonë. Por, a do të jenë në gjendje të rindërtojnë pamjen e njeriut? Problemi është i ngjashëm me atë që shkencëtarët pyetën kur dolën në dritë mbetjet e dinozaurëve të parë.
Eshtrat e një kafshe tregojnë vetëm një fragment të historisë. Shkencëtarët kanë nevojë për informacion mbi lëkurën dhe organet e brendshme. Por ka pak fosile që ruajnë pjesët e buta. Nëse nuk janë aty, është e nevojshme të vazhdohet me hulumtime. Në këtë rast, mumiet janë të dobishme. Ato të dy dinozaurëve amerikanë të bllokuar në shkëmb dhanë informacion mbi lëkurën e zvarranikëve të mëdhenj.
Për sa i përket kulturës, ne mund të shpresojmë gjithmonë te Kripta e qytetërimit. Ndodhet në Oglethorpe, Atlanta (SHBA), në një bodrum të universitetit. Brenda ka 640.000 faqe librash në mikrofilma, nga i gjithë koleksioni i veprave të Shekspirit deri te kurani, një kukull e Donald Duck, një tren lodër, gazeta, një radio, një thekës, një biberon dhe dy manekinëa (mashkull dhe femër), të veshur sipas modës së kohës, kur Kripta u mbyll në vitin 1940.
Përgatiti: Irma Paloli