Shumë vende të botës kanë caktuar një Ditë Kombëtare të Parandalimit të Mbetjeve Ushqimore, në përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për mbetjet ushqimore. Një problem paradoksal kur krahasohet me shifrat e urisë në botë.

Nëse do të arrinim mos të shpërdoronim ushqimin, do të mund të ushqenim një gojë më shumë në çdo katër persona. Ndërsa gati 40% e totalit të ushqimit të prodhuar në botë hidhet, rreth 3 miliardë njerëz në botë nuk mund të përballojnë një vakt të shëndetshëm çdo ditë dhe rreth 250 milionë njerëz janë të uritur.

Por duhet bërë mirë dallimi mes ushqimit të humbur dhe atij të shpërdoruar. Kategoria e parë përfshin ushqimet që nuk arrijnë në shtëpitë tona, por hidhen pasi mblidhen. Sipas vlerësimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, FAO, në vitin 2019, rreth 14% e totalit të ushqimit të prodhuar humbet gjatë rrugës, ose bëhet e pangrënshme përpara se të arrijë në tavolinat tona.

Ndryshe është çështja e ushqimit të shpërdoruar, i cili sipas Raportit të Indeksit të Mbetjeve Ushqimore 2021 të Programit të Mjedisit të Kombeve të Bashkuara, UNEP, do të përfaqësonte 17% të totalit të ushqimit të prodhuar dhe që në vitin 2019 arriti në 931 tonë.

Për të luftuar mbetjet, vitet e fundit kanë lindur iniciativa të ndryshme që përfshijnë individë dhe kompani në sektorin e ushqimit: një prej tyre është “TooGoodToGo”, një aplikacion që lejon këdo që dëshiron të kursejë ushqimin që është ende shumë i mirë për t'u hedhur, duke paguar një shumë simbolike prej disa eurosh dhe duke mbledhur në këmbim një kuti me ushqime të pashitura nga bare, supermarkete apo dyqane ushqimore.

Në vitin 2015, shtetet anëtare të OKB-së hartuan 17 objektiva të zhvillimit të qëndrueshëm, duke i përfshirë ato në Axhendën 2030. Pika 12.3 flet në mënyrë specifike për prodhimin e qëndrueshëm të ushqimit dhe deri në vitin 2030 synon gjithashtu të përgjysmojë mbetjet ushqimore për frymë në nivel global dhe të reduktojë humbjet e ushqimit në të gjithë zinxhirët e prodhimit dhe furnizimit, duke përfshirë humbjet pas vjeljes.

Një këshillë e specialistëve është shmangia e blerjeve dyjavore nëpër supermarkete, duke synuar pazarin me sasi të vogla në tregjet lokale ose direkt nga prodhuesit. Shpesh është e vështirë, për shumë arsye, por kjo është një ndër këshillat e dhëna nga specialistët e fushës, për të reduktuar mbetjet ushqimore.

Është konsumatori individual ai që kërkohet për një ndjeshmëri më të madhe, edhe nëpërmjet një sërë trukesh të vogla: të hartohet një listë e blerjeve, të bëhen blerje bazuar te nevojat, të zgjidhen produktet sezonale dhe shkalla e duhur e pjekurisë, duke i ruajtur bazuar në parashikimet e konsumit.

Sipas specialistëve, blerjet direkte nga prodhuesi, që ndërkohë janë dhe më të freskëta, limitojnë, përveç mbetjeve, edhe emetimet e dyoksidit të karbonit që lidhen me transportin.

Dy zakone të tjera të mira kundër mbetjeve janë edhe ripërdorimi i ushqimeve të gatuara një ditë më parë dhe marrja e ushqimit të mbetur në restorant, nëse nuk konsumohet deri në fund, për ta marrë me vete në shtëpi. Në Evropë, 53 për qind e mbetjeve ushqimore vijnë prej shtëpive.

Sipas “Project Drawdown”, lufta kundër mbetjeve ushqimore është zgjidhja numër një për të luftuar ndryshimet klimaterike dhe për të mbajtur temperaturat nën 2°C deri në fund të shekullit, në mënyrë që të kufizohet dëmi i shkaktuar nga ndryshimet klimaterike.

Në shumë vende të botës ka iniciativa dhe aplikacione që lejojnë përdoruesit të kenë praktika të qëndrueshme në baza ditore, falë bashkëpunimit midis konsumatorëve, restoranteve dhe dyqaneve të lagjeve. Nuk mungojnë as kompanitë, që e bëjnë luftën kundër mbetjeve një nismë pozitive dhe mbështetëse.

Startup-et funksionojnë në shumë fronte, duke filluar nga dhurimi i produkteve të pashitura për bamirësi te aktivitetet trajnuese në mbështetje të tregtarëve, tek aplikacioni klasik për artikujt e pashitur.

Ka kompani që kanë nxjerrë manuale me këshilla që duhen ndjekur për të reduktuar mbetjet në kuzhinë: listën e zgjuar të blerjeve, vëmendje ndaj datës së skadencës, kontroll në frigorifer dhe evidentim më të mirë të ushqimit brenda tij, ndërgjegjësim më i mirë për sasinë e gatuar, për t’u llogaritur që mos të shkojë dëm; gatuani mbetjet, jepni ushqimin që keni në shtëpi dhe që nuk do t'i hani kurrë; mos i hidhni frutat dhe perimet e pjekura, por përdorni ato për përgatitje të ushqimeve të tjera, kërkoni ushqimin e mbetur në restorant.

Rreth 2.5 miliardë tonë ushqim as që arrin në tryezat tona. Vlerësimet e “World Wide Fund for Nature” dyfishojnë shifrat e FAO-s, e cila fokusohet vetëm në atë që po ndodh në terren, por jo në hapat e ardhshëm në zinxhirin e furnizimit.

Rreth 15% e ushqimit që prodhohet nuk largohet kurrë nga fusha, ose thertorja, por qëndron aty dhe kalbet. Duke kapërcyer fazat e tjera të zinxhirit të furnizimit, përqindja rritet deri në 40% dhe të gjitha para se të mbërrijnë në tryezën tonë. Ky është realiteti i shpërdorimit të ushqimit, paraqitur në raportin e OKB-së, “Driven to waste”.

Këto shifra në fakt dyfishojnë vlerësimet e mëparshme, të llogaritura nga FAO. Agjencia e Kombeve të Bashkuara përdori kritere të ndryshme dhe më strikte, duke parë vetëm atë që ndodh në terren dhe gjatë korrjes. Në total, mbetjet e ushqimit arrijnë në 2.5 miliardë tonë në vit.

Të dhënat e reja tregojnë se rreth 58% e mbeturinave globale të ushqimit ndodhin në rajone me të ardhura të mesme dhe të larta, përfshirë Evropën. Një nga faktorët e shumtë që nxisin këto mbetje është mbiprodhimi bujqësor dhe ngopja e tregut, gjë që sjell uljen e çmimeve dhe krijon një problem strukturor që përjetëson mbetjet e ushqimit.

Një raport i OKB-së tregon se rreth 930 milionë tonë ushqim shpërdorohen çdo vit, ose rreth 17% e totalit. Një pjesë e mbetjeve ushqimore lidhet drejtpërdrejt me zakonet e konsumatorit. Ne blejmë më shumë ushqim sesa është e nevojshme dhe një pjesë e tij përfundon e mykur, ose skadon, kur bëhet fjalë për produkte të paketuara. Këto janë disa zakone të këqija mbi të cilat është e mundur të ndërhyhet.

Sipas statistikave të organizatave jofitimprurëse, çdo vit, një e treta e ushqimit përfundon në mbeturina dhe rreth 800 milionë njerëz janë të kequshqyer ose vdesin nga uria. Vite të tëra pas nënshkrimit të "Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm", rezultatet e arritura ende duken të pamjaftueshme për të garantuar konsumin dhe prodhimin e qëndrueshëm të ushqimit në një afat të shkurtër.

Përgatiti: Irma Paloli