Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka shpallur këto ditë thirrjen për përfitimin e mbështetjes financiare të projekteve në fushën e turizmit, të paraqitura nga persona fizikë dhe juridikë, vendas apo të huaj, privatë ose publikë, të cilët kanë në objekt të veprimtarisë së tyre turizmin
“Mos humbni kohë, por shkruani idetë e mblidhni energjitë për projekte në një nga drejtimet kryesore: Promovimi i destinacioneve, zhvillimi i produkteve turistike dhe brandimi i territorit. Digjitalizimi dhe inovacioni. Aplikimet janë të hapura deri më 23 shkurt, klikoni në link, informohuni dhe përvishni mëngët”, është shprehur për mediet ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.
Thirrja synon promovimin e destinacioneve, produkteve dhe diversifikimin e ofertës turistike, nëpërmjet zhvillimit të turizmit malor, natyror dhe kulturor, turizmit kulinar, enoturizmit, turizmit nostalgjik, turizmit të aventurës etj.
Sipas Ministrisë, thirrja do të qëndrojë e hapur nga 24 janar deri më datën 23 shkurt, të vitit 2022. Projektet duhet të realizohen brenda vitit buxhetor, gjatë periudhës 24 mars deri më 01 dhjetor 2022.
Prioritetet e Thirrjes për mbështetje financiare të Projekteve në Turizëm janë: Promovimi i destinacioneve, zhvillimi i produkteve turistike dhe brandimi i territorit;Digjitalizimi dhe inovacioni.
Ndër të veçantat e kësaj strategjie është dhe promovimi i “Turizmi i Kujtesës”, identifikimi dhe rijetëzimi për të kthyer në atraksione turistike, objekte apo veprimtari që i përkasin një periudhe historike si: punishte, tunele, bunkerë etj,
Nuk do të mungojnë as projektet e turizmit që respektojnë mjedisin si:“Gjelbëro dhe pastro”, duke mbjellë pemë për të kufizuar hedhjen e mbeturinave jashtë hapësirave të dedikuara për grumbullimin e tyre, në zonat e plazheve, në parqe natyrore etj.
Një vemendje e posaçme i kushtohet dhe veprimtarive artizanale nga popullsia lokale për krijimin e produkteve me materiale të riciklueshme që mund të shërbejnë si suvenire për turistë.
Turizmi rinor, i cili synon përfshirjen e të rinjve në krijimin e eksperiencave të udhëtimit, turizmit, vullnetarizmit, si dhe aktivitete që promovojnë turizmin ze një vend të veçantë në këtë strategji.
Në thirrjen e shpallur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit prioritet përbën digjitalizimi dhe inovacioni
Përmes këtij prioriteti do të mbështeten projekte të cilat nëpërmjet teknologjisë digjitale dhe metodave inovative zhvillojnë komponentë të turizmit si: produktet turistike, atraksionet turistike, infrastrukturën turistike, shërbimin turistik dhe subjektet që zhvillojnë veprimtari turistike.
Situata aktuale e turizmit në shifra
Nëse i referohemi të dhënave zyrtare, turizmi në Shqipëri nuk e arriti nivelin e vitit 2019. Përpjekja e qeverisë për të joshur vizitorët me hapjen e kufijve dhe masat lehtësuese në vitin 2021 nuk dha rezultatin e pritur. Shqipërinë e vizituan vjet 9.6 milionë njerëz, ose 2.5 milionë udhëtarë më pak se në vitin para krizës së pandemisë. Shifrat tregojnë se kthimi në normalitet është ende larg. Humbjet llogariten edhe tek të ardhurat që ata sjellin në Shqipëri. Vjet, turistët shpenzuan 1,9 miliardë euro në vendin tonë, rreth 400 milionë më pak se në vitin 2019. Sipas rajoneve, Kosova ka sjell fluksin më të madh të njerëzve, ndjekur nga Maqedonia e Veriut, Italia dhe Greqia.
Por, vitet e fundit plazhet shqiptare po joshin edhe turistë nga Polonia e Lindja e Mesme.
Tur-operatorët e cilësojnë vitin 2022 si një hap më shumë drejt normalitetit. Rritja e numrit të të vaksinuarve dhe lehtësimi i kufizimeve në udhëtim pritet të jenë faktorët kryesorë që do ta bëjnë turizmin e këtij viti të jetë edhe më afër asaj që njihnim para COVID-19.
Por ata shprehin rezerva, për shkak të variatit të ri të koronavirusit dhe pamundësisë për të parashikuar situatën epidemike në vend.
“Parashikimet e vitit 2022 janë për një kthim në normalitet të të gjithë sektorëve të Industrisë së Turizmit e Udhëtimit, por pa arritur të ardhurat e vitit 2019” – shprehet për mediat Zak Topuzi, nga Shoqata e Hotelierëve.
Varianti i ri Omicron ka vënë alarmin mes vendeve globalisht, por sipas deklaratave të imunologëve, ky variant është më i lehtë dhe ndoshta mund të jetë fillimi i fundit të pandemisë, çka le të kuptohet se në pranverë, gjërat mund të jenë më të lehta për t’u parashikuar.
Eda Merepeza