Vasilika Laska, ka studiuar për Shkenca politike, për Administratë publike dhe master shkencor në Shkenca politike me profil menaxhim projektesh. Ajo ka punuar si astiente ligjore-juridike. Vasilika është përfaqësuese ligjore dhe drejtuese e projektit “Guile” dhe koordinatore projektesh pranë “SIFD”.Vasilika gjithashtu është koordinatore e projektit “Qendër orientimi për karrierën, Lezhë”. Ajo ka zgjeruar eskperencën e studimeve në Republikën Çeke duke ndjekur Erasmus+.
Vasilika Laska Burimi facebook
CMG: A të shpëton njohja e vetes nga kotësia ?
Vasilika Laska: Të njohësh veten është procesi më i vështirë ndonjëherë.
Kudo e përball këtë pyetje dhe mendoj që është shumë e rëndësishme ta njohësh veten për të dalë nga kotësia. Vasilika përballë vetes është e njëjta. E njëjta vajzë e vërtetë dhe realiste. Nuk mund të them që dikur kam qënë ndryshe dhe tani kam ndryshurar katërcipërisht. Unë vijoj të jem po e njëjta vajzë që sa herë shoh që diçka nuk shkon me mua përpiqem ta rregulloj tek vetja.
CMG: Shoqëria është e lashtë aq sa bota, cilat cilësohen si vitet tuaja më të bukura në jetë?
Vasilika Laska: Vitet më të bukura...Ka shumë vite të bukura, por asnjë vit nuk mund të jetë i gjithi i bukur dhe i gjithi i vështirë. Kjo është e bukura e jetës në fund të fundit.
Të ndërtojmë balanca ndërmjet të mirës dhe së keqes, të bukurës dhe jo të bukurës. Çdo vit për mua ka pasur momente të bukura, por më të bukurat kanë qenë vitet e gjimnazit sepse ishin ende vitet që nuk mbanim përgjegjësi dhe çdo gjë ishte e bukur e lehtë. Nostalgji bën fakti që koha me miqtë nuk është më sikur ka qenë.
CMG: Gjithçka ka bukuri, por jo gjithkush e sheh atë. Çfarë të ka mësuar jeta?
Vasilika Laska: Jeta më ka mësuar që jo çdo gjë do të jetë siç ne ëndërrojmë. Jam rritur në një familje të thjeshtë shqiptare që vlerën më të lartë kishte nderin dhe edukatën.
Me njërin nga prindërit në emigracion unë edhe gjatë bisedave shpesh ju them atyre që nuk mbaj mend shumë gjëra nga fëmijëria ime.
Në kujtesë sjell vetëm vështirësitë, ato të cilat ne i kemi kaluar bashkë. Kam qenë nga ato vajza që më është dashur të kujdesem dhe të rris dy vëllezërit e mi. Jeta më ka mësuar ta dua shumë dijen, shkollën e doja shumë. Madje kam qenë nga ato nxënëse që nuk i doja ditët e pushimit.
Shkolla është përmbushje synimesh
Vasilika Laska Burimi facebook
CMG: Cilët njerëz ju kanë qëndruar me pranë gjatë rrugëtimit tuaj?
Vasilika Laska: Të vetmit njerëz që më kanë qëndruar pranë gjatë të gjithë trajektores së jetës sime kanë qenë prindërit e mi. Ata kanë qenë, janë dhe do të jenë aty në çdo moment që unë mund të kem nevojë për ta. Dashuria e prindërve është e pazëvendësueshme.
CMG: Të gjesh veten në Shqipëri, e lehtë apo e vështirë?
Vasilika Laska: Nuk është e thjeshte aspak. Unë kam qenë nga ata të rinj të rritur me ideale për ta respektuar vendin ku ka lindur dhe është rritur sepse kam menduar gjithmonë se ku më mirë se në vendin tënd do të kesh mundësi për t’u rritur profesionalisht.
Por me kalimin e kohës kam kuptuar që nuk është aq e thjeshtë ndaj do doja të ndërtoja edhe një eksperiencë në vend të huaj.
CMG: Cila ka qenë puna e parë që ju mësoi vlerën e pagesës?
Vasilika Laska: Ka qenë puna ime si valltare. Aty unë e kuptova rëndësinë e të qenit një vajzë në punë, që lekët e fituara i dorëzon në familje për të ndihmuar. Jam ndjerë mirë me veten dhe në raport me konceptin punë.
CMG: Koha në dispozicionin tonë çdo ditë është elastike, sa e rëndësishme është "koha" për ju?
Vasilika Laska: Koha është shumë e rëndësishme sepse na mëson ose dikton vlerën që ka sekondi për t’u rritur profesionalisht dhe për t’u ngritur në jetën tonë. Asnjë gjë nuk është e prerë me thikë, por ndonjëherë prej kohës mund të jemi në vendin e duhur me njerëzit e duhur dhe e kundërta.
Vasilika Laska Burimi facebook
CMG: Dera nuk mund të jetë kurrë e mbyllur për një lojtar të mirë. Çfarë do të thotë për ty "sukses"?
Vasilika Laska: Përmbushje e objektivave ditore. Nuk janë gjërat e mëdha, por mjafton të çohem në mëngjes dhe të përmbush njërën prej gjërave që unë e cilësoj si diçka që duhet ta bëj dhe kjo mjafton për të qene pak më mirë se një ditë më parë.
CMG : Të merresh me projekte a është një profesion i vështirë?
Vasilika Laska: Kur kam filluar të merrem me projekte, kam kuptuar që kam bërë një vendim të duhur për drejtimin profesional që kam marrë.
Kam investuar tek vetja në të gjitha format, duke u përkushtuar në workshop dhe vende të ndryshme që më është dashur të marr pjesë.
Unë mbaj mend që kam qenë në bachelor dhe aty kam kuptuar se sa e përkushtuar isha në hartimin e projekteve.
E kam nisur me një projekt që promovonte kostumet tradicionale për t’i promovuar dhe rregulluar ato që ishin të dëmtuara.
CMG : "Guile" si nisi si nismë?
Vasilika Laska: Guile është "Gudia e Lezhës", për ata që nuk e dinë dhe nuk e njohin. Lezha është një vend me shume potencial dhe si e tillë është dashur që të vendosen disa pika orientimi të duhura. Ishte një nismë për të njohur më tepër qytetin.
Duke qenë se problemi ishte i të rinjve që nuk kishin një angazhim u mendua për t’u sjellë.
U ndërtua edhe një webb për të rinjtë që të shërbenin si guidë dhe për t’u bërë udhërrëfyes në Lezhë. Me këtë ide ne u shpallëm fitues dhe sot unë jam duke ndjekur edhe një kurs profesional për t’u licensur si udhërrëfyes turistik.
Vasilika Laska Lezhe pjese e grupit te valleve burimi facebook
CMG: Idea jote në një prej nismave europiane është shpallur një nga pesë idetë më të mira apo jo?
Vasilika Laska: Po jemi përzgjedhur si fitues të projektit dhe jemi renditur të pestët, pavarësisht që konkurrenca ishte tepër e lartë. Të mendosh që organizatat e huaja punojnë me 18 e më shumë njerëz në staf dhe ne ishim një grup prej 3, 4 vetash. Kjo për mua ishte shumë e rëndësishme që të zgjidhesha e pesta në renditje të projekteve.
CMG: Cila është ëndrra më e madhe që ju keni?
Vasilika Laska: Të bëj realitet ëndrrat që familja ime ka ndërtuar për mua…
Intervistoi: Megi Latifi