Jeta në Tokë është kudo, madje edhe në vendet më jomikpritëse, nga shtrati i oqeaneve deri te pellgjet e acidit. Në krye, në renditjen e vendeve më të pamundura për të gjetur jetë, janë platformat e akullit, ose më mirë ajo që është poshtë tyre, qindra metra e thellë, e mbuluar nga një shtresë akulli e padepërtueshme që bllokon të gjithë dritën dhe larg nga deti i hapur që mund të bartë lëndë ushqyese.

Akujt e Antarktidës (Foto Bdtorinoeu)

Akujt e Antarktidës (Foto Bdtorinoeu)

Megjithatë, edhe në këto mjedise në dukje të pabanueshme, jeta lulëzon. Një grup studiuesish nga Instituti “Fred Wegener” në Gjermani, thanë se nëse deri tani është vëzhguar vetëm falë përdorimit të kamerave nënujore, tashmë për herë të parë është studiuar drejtpërdrejt. Rezultatet e vëzhgimeve të tyre janë publikuar në “Current Biology”.

Ekspedita e rrëfyer në studim daton tre vjet më parë dhe kishte si destinacion “Neumayer-Station III”, një stacion kërkimor i Institutit “Wegener” në Antarktidë. Baza është stacionuar mbi platformën “Ekström”, një shtresë akulli prej 8700 km katrorë dhe me një thellësi që, pranë stacionit, arrin 200 metra.

Ekipi e shpoi atë duke përdorur një rrymë uji të vluar me presion të lartë, duke arritur të marrë mostra nga fundi i detit. Ajo që gjetën i befasoi. Në fakt, ata ishin në gjendje të identifikonin 77 lloje të ndryshme, duke përfshirë krimbat serpulid dhe briozon, një pasuri biodiversiteti edhe më e lartë se ajo që gjendet në detin e hapur përreth bllokut të akullit.

Shumica e këtyre specieve nuk janë të lëvizshme, por kanë rutinë sedentare, dhe për këtë arsye varen për t'u ushqyer nga ajo që mbartin rrymat ose nga prania e fitoplanktonit, i cili ka nevojë për dritë për të kryer fotosintezën. Si mbijetojnë ata në një mjedis të errët që ndodhet pothuajse 10 km nga deti i hapur? Pyetja nuk ka ende një përgjigje, por ajo që është e sigurt është se çfarëdo zgjidhje që kanë shpikur banorët e abiseve nën bllokun e akullit funksionon shumë mirë.

Jeta nën akull (Foto, Greenmeit)

Jeta nën akull (Foto, Greenmeit)

Një datim i mostrave të marra nga fundi i detit tregon se në atë zonë ka ekzistuar jeta për të paktën 6000 vjet, dhe pavarësisht kushteve ekstreme, ajo arriti të mbijetojë në atë që studiuesit e përshkruajnë si "një oaz". Shpimet e mëtejshme mund të sjellin përgjigje të reja. Ndërsa akulli shkrihet me shpejtësi, rrezikohet humbja e ekosistemeve të tëra para se të zbulohet se ekzistojnë dhe se si funksionojnë.

Shtrirja e akullit që në dimër mbulon një pjesë të madhe të Detit Weddell, pjesa e Oqeanit Jugor afër kontinentit Antarktik, ndonjëherë copëtohet nga vrima të mëdha sa shtete të tëra. Ato janë “poliniet”, zona detare të lira nga akulli që formohen brenda një mase akulli lundruese.

Fenomeni njihet prej dekadash, por veçanërisht dy polinie, në vitin 2016 dhe 2017, kanë tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve, të cilët tashmë kanë mjetet për t'i studiuar ato. Në gusht 2016, satelitët e NASA-s identifikuan një polini prej 33.000 km katror (pak më i madh se Belgjika) në Detin Weddell. Në vjeshtën e vitit 2017 u formua një edhe më e madhe, prej 77 mijë km katrorë, sa një e katërta e sipërfaqes së Italisë.

Studiuesit në Universitetin e Uashingtonit i ndoqën nga afër këto dy fenomene, për të kuptuar pse poliniet formohen vetëm në pak vite dhe si kanë të bëjnë ato me qarkullimin e oqeanit. Sipas studimit të tyre, të botuar në revistën “Nature”, në mënyrë që të formohet një polini, duhet të ndodhin disa faktorë të kombinuar në të njëjtën kohë, duke përfshirë kushtet anormale të oqeanit dhe erërat intensive si ato të uraganeve.

Stacion kërkimor në liqenin Vostok (Foto, Aquaeofficielfr)

Stacion kërkimor në liqenin Vostok (Foto, Aquaeofficielfr)

Për vëzhgimet e tyre, shkencëtarët u mbështetën në një gamë të gjerë instrumentesh, duke përfshirë notuesit robotikë nga programi SOCCOM, projekti i Vëzhgimeve dhe Modelimit të Karbonit të Oqeanit Jugor dhe Klimës, i lënë në mëshirë të rrymave të Antarktidës, si dhe nga disa luanë deti të pajisur me detektorë satelitorë. Ata studiuan gjithashtu të dhëna nga një dekadë sondazhesh satelitore, nga disa stacione kërkimore meteorologjike dhe nga programi ARGO, një sistem monitorimi i oqeanit që ka qenë aktiv për 13 vjet.

Dy elemente ishin vendimtare për formimin e "akullit të shpuar": prania e ujërave sipërfaqësore veçanërisht të kripura, siç ndodhi në vitin 2016, dhe erërat e forta të dimrit që frynin pranë bregut. Kur kjo ndodh, një përzierje më e fortë e ujërave oqeanike drejt sipërfaqes krijohet në pjesën lindore të detit Weddell.

Ujërat e thella më të ngrohta dhe më të kripura barten lart, ku ftohen dhe bëhen më të dendur se ato më poshtë. Në këtë pikë ato fundosen dhe zëvendësohen nga ujëra më të ngrohtë se rreth 1 ° C, të cilët nga ana e tyre dalin në sipërfaqe, ftohen etj. Ky shkëmbim i vazhdueshëm parandalon formimin e akullit në atë pikë, pavarësisht nga temperaturat e ulëta.

Me ndryshimin e klimës dhe shkrirjen e akullit kontinental, ujërat e Antarktidës janë të destinuara të bëhen më të buta dhe më pak të dendura, për këtë arsye, modele të ndryshme supozojnë se poliniet do të jenë gjithnjë e më pak të shpeshta në të ardhmen. Studimi në “Nature” hedh poshtë këto hipoteza dhe argumenton, në të vërtetë, se fenomeni është i destinuar të rritet, sepse erërat që fryjnë pranë bregut gradualisht do të bëhen gjithnjë e më intensive, në fakt duke balancuar zhdukjen e faktorit "ujë shumë i kripur".

Harta e antarktikës(Foto:VCG)

Harta e antarktikës(Foto:VCG)

Njohja e origjinës së polineve është e rëndësishme, sepse ato në det të hapur mund të ndikojnë në sasinë e karbonit në atmosferë. Ujërat e thella janë në fakt të pasura me karbon të depozituar nga historia miliona vjeçare e organizmave të gjallë. Kur uji i thellë rishfaqet në sipërfaqe, kjo substancë mund të çlirohet në formën e emetimeve.

Përgatiti: Irma Paloli