27 vite më parë, mjeku i njohur Vasil Llajo do të adresonte nevojat për shumë pacientë, që kishin mbetur në udhëkryqin e një sistemi shëndetësor publik plot kolapse. Vizioni i tij dhe përvoja profesionale kishin vulën e garancisë për të ndërmarrë një nismë jo fort të lehtë.
Doktor Vasil Llajo
Në dhjetor të vitit 1994, ai u bë nismëtari i një projekti ambicioz dhe të guximshëm. Gjatë një vizite në Erlangen, Gjermani, në degën qendrore të Siemens AG, ku prodhohen pajisje mjekësore, ndër të cilat edhe skaneri, në sallën dedikuar klientëve nga gjithë bota, në një hartë të madhe në mur, vendet e pajisura me skaner ishin të ndriçuara, ndërsa Shqipëria qëndronte në errësisë. Pas instalimit të skanerit të parë në Shqipëri nga Dr. Vasil Llajo, në hartën e Siemensit u ndez një dritë e kuqe për Shqipërinë dhe ajo nuk ishte më një pikë e errët.
Instalimi i skanerit të parë ishte një sukses për mjekësinë shqiptare sepse përdorimi i tij shënoi një ndryshim parësor, që kaloi nga diagnostikimi nëpërmjet simptomave klinike, në atë me imazheri. Në kuadër të zgjerimit të aktivitetit, por edhe të plotësimit të kësaj qendre me diagnostikën laboratorike, u hodhën bazat për krijimin e një laboratori modern sipas standardeve evropiane. Ndërkohë Laboratori Intermedica u themelua në qershor të vitit 1996, falë dëshirës së fortë të Dr. Vasil Llajo për të sjellë një risi në panoramën mjekësorë private. Intermedica është laboratori i parë privat si pionier i këtij aktiviteti dhe ka si objektiv kryesor ofrimin e praktikave më të avancuara ndërkombëtare në shërbim të pacientëve në Shqipëri.
CMG: Dr.Llajo kur keni nisur aktivitetin tuaj si mjek?
Skaneri i parë në Shqipëri (Intermedica)
Dr. Vasil Llajo: Fillova aktivitetin në vitin 198 dhe për 10 vite kam punuar në Qendrën Universitare të Tiranës klinika e kirurgjisë ku ne përballonim të gjitha traumat e Shqipërisë. E vetmja armë që kishim në dorë ishim të bënim vlerësimin klinik të duhur, por edhe atë herë pas here me shumë vështirësi, sepse kishim mungesë dhe përballje me faktorë të panjohur. Fati e deshi që unë të shkoja në Greqi dhe të punoja atje si mjek anestezist dhe të formoja edhe një tjetër eksperiencë timen. Aty shihja që çdo traumë që paraqitej absolutisht i nënshtrohej një ekzaminimi me skaner në kohë reale. Shpejt më lindi dhe mua ideja se sa mirë do ishte që këtë lloj ekzaminimi ta sillja në Shqipëri.
E vetmja indicie ishte mjekësore. Ndaj pas tre vitesh unë u ktheva sërish në Shqipëri. Nëse tendenca e të gjithëve ishte që të largoheshin, unë u ktheva.
CMG: Çfarë ndodhi pasi ju u kthyet në Shqipëri?
Dr. Vasil Llajo: Ajo që ndodhi ishte që mora familjen dhe u vendosa sërish në Shqipëri. Vendosa të instaloj skanerin e parë në Shqipëri, por jo si biznes, si një detyrim mjekësor. E doja Shqipërinë si Europa. Formova një strukturë me mjekë, të cilët dinin të lexonin skaner.
Ky ishte një guxim për kohën dhe ishte një investim shumë i madh.
Unë pata kurajon që mos t’i bëja gjërat me laps dhe me letër sepse nuk ishte më një çështje llogarie “Theva majën e lapsit”, dhe vazhdova përpara. Në Shqipëri sollëm një skaner të ri të sapo prodhuar, jo një skaner të përdorur.
Dr Vasil Llajo në media
CMG: Si ju pritën në atë kohë, kur shkuat për të sjellë një epokë të re me vete, në vendin tonë?
Dr. Vasil Llajo: Kur shkova për të blerë skanerin në Gjermani më kujtohet që në një dhomë të madhe ishin të gjitha shtetet e botës të cilat kishin blerë edhe ato një skaner, ndërsa kthej vështrimin drejt Shqipërisë, gjithçka dukej errësirë!
Në ato moment qëllimi im ishte ta ndizja llambën edhe për ne, t’i jepja një drejtim dhe horizont mjekësie. Krenaria ime u zgjerua në ato moment! Nuk kishte rëndësi për mua se ku do vendosej ky skaner në sektor privat apo publik, doja thjesht t’i jepja dritë vendit.
CMG: Kur u instalua në vendin tonë për herë të parë skaneri?
Dr. Vasil Llajo: Në prill të 1995 dhe solli revolucionin e vet sepse ishte hapi më i guximshëm që koha tregoi se sjellja e skanerit ndryshoi historinë e radiologjisë shqiptare. Pas disa vitesh u konstatua se instalimi i skanerit në atë kohë bëri që sot ne të kemi standarde të tilla në mjekësi.
CMG: Çfarë solli kalimi në imazheri për mjekësinë shqiptare?
Dr. Vasil Llajo: Kompletimin e diagnozës së plotë. Imazheria është gjysma e punës. Më i rëndësishmi ishte laboratori dhe kështu në qershor të 1996 u hap edhe Klinika Intermedica.
Vendosa të bëj të njëjtin progres. Duke pasur edhe analizator dhe shumë sisteme të tjera digjital, programe të cilat u futën për herë të parë në Shqipëri.
CMG: Si i kujtoni vitet e sakrificës sot në perspektivë?
Dr. Vasil Llajo: Ato vite unë i shoh me plot punë, por dhe arritje të cilat kanë bërë epokë. Nuk ndalova kurrë së punuari sepse ishte një investim në kohë.
CMG: Doktor, flisni shpesh për biologjinë molekulare. Si erdhi ajo në Shqipëri?
Dr. Vasil Llajo: Disa vite më pas ne sollëm në Shqipëri edhe biologjinë molekulare. Në atë kohë ishte një krenari për çdo laborator sepse ai që e bëri parë këtë gjë mori çmim Nobel e po ta shoh nga ky këndvështrim imagjinoni një klinikë në Shqipëri që ja del ta implementojë këtë gjë. Megjithatë edhe kjo u arrit me kurajo dhe sfidë personale.
Fakti që kishim shumë të zhvilluar biologjinë molekulare bëri që edhe situatën e Covid-19 ta përballonim. Kishim mbi 1500 raste në ditë për ekzaminim dhe na duhej që ta përballonim edhe këtë sfidë.
Forca njerëzore dhe kultura e punës ishte në nivel maksimal nga punonjësit. Kultura e mjekësisë është shumë e rëndësishme. Sot vijon të ketë ngarkesë virale, por jo si në fillim.
CMG: Ju personalisht si do ta përmblidhnit historinë tuaj mjekësore?
Doktor Vasil Llajo
Dr. Vasil Llajo: Jeta e solli në mënyrë të tillë që brenda vetes sime të shënoj gjithnjë si sukses sjelljen në Shqipëri të skanerit.
Kam pasur një qëllim të vetëm që Intermedica të jetë qendra diagnostikuese, por jo vetëm në një drejtim, por mirëfilli.
Vetë pacientët do doja të ishin të kompletuar, me qëllim që të vijë me një fletë në dorë dhe të largohet po me një fletë!
Duke pasur këtë filozofi unë jam përpjekur që të punoj mbi të gjitha për qëllimin e përhapjes së cilësisë mjekësore. Sot që flasim vijon teknologjia të përparojë dhe të sjellim në Shqipëri përparime mjekësore.
CMG: Situata aktuale nga Covid-19 ka sjellë variante të reja si “Omicron”. Duke qenë që e ndani jetën mes Shqipërisë dhe Greqisë, sa shqetësuese duket kjo situatë?
Dr. Vasil Llajo: Është shqetësuese. Jemi gati në 3 vite pandemi dhe tani po vihet re që po krijohen shtabe të reja. Ky variant është dominues në Ballkan, por presim që deri në fund të janarit të jetë dominues në të gjithë botën fatkeqësisht.
Kjo tregon që virusi do të bëjë mutacionet për të mbijetuar, qoftë në raport me vaksinën apo ata që kanë imunitet. Klinikisht ky variant është më i lehtë, por gjen më shumë shpërndarje. Nuk jemi në gjendje të diskutojmë gravitetin e këtij varianti, por ka një fakt, që është më i lehtë. Situata në Shqipëri dhe Greqi po dominohet nga varianti i ri. Ka një gjë që duhet të qetësohemi sepse numri i vdekjeve nuk është rritur sepse si variant është më i lehtë.
Intervistoi: Megi Latifi