Jiang Tong, një makinist i trenave të mallrave midis Kinës dhe Europës, sapo kaloi vitin më të ngarkuar me punë në jetën e vet.
Jiang përgjigjet për transportimin përgjatë seksionit Chongqing - Dazhou në provincën Sichuan të Kinës Jugperëndimore. Ngarkesa e tij e punës është rritur ndjeshëm gjatë pandemisë. “Në të kaluarën, mund të pushonim gjashtë orë pasi mbërrinim në Dazhou. Por, tani, duhet të kthehemi menjëherë pasi arrijmë”, i tha ai agjencisë “Xinhua”.
Numri i trenave të tillë që transportojnë mallra midis Azisë dhe Europës arriti në 13 187 në 11 muajt e parë të vitit të kaluar, duke dërguar 30 % më shumë produkte në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
“Ishim gjithmonë në rrugë”, shtoi Jiang.
Foto: Një tren mallrash Kinë-Europë i ngarkuar plot me pjesë këmbimi automjetesh për në Moskë dhe Minsk duke u larguar nga porti hekurudhor Xiangtang i qytetit Nanchang të provincës Jiangxi, 17 shkurt 2020.(Xinhua)
Por pikërisht në saje të punëtorëve si Jiang, produktet e festës, nga pemët e Krishtlindjeve deri në kostumet dhe lodrat janë transportuar shpejt dhe të sigurta në tregjet 10 mijë kilometra larg, në prag të Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri.
Nëpërmjet ofrimit të një lidhjeje të qëndrueshme midis fabrikave dhe konsumatorëve në zinxhirin global të furnizimit, që është tronditur rëndë për shkak të pandemisë, trenat Kinë-Europë kanë luajtur një rol të rëndësishëm jo vetëm për stabilizimin e funksionimit të tregtisë, por edhe kundër rritjes së çmimeve, që është bërë shqetësim kryesor i ekonomive botërore, qofshin të vogla apo të mëdha.
Vjet inflacioni mbizotëroi pothuajse në gjithë botën. Në nëntor rritja e çmimeve në Eurozonë dhe ShBA shënoi rekord përkatësisht në 25 dhe 39 vjetët e fundit, duke shtuar koston e jetesës së banorëve të thjeshtë dhe duke rrezikuar më tej zhvillimin e ekonomive që ende nuk janë kthyer në nivelin para pandemisë.
Analistët mendojnë se rritja e çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm ka ardhur nga disa faktorë, sidomos politikat tepër të lirshme monetare të zbatuara nga disa banka qendrore, ose “shtypja e parave”, me qëllimin për të nxitur aktivitetin e amullt ekonomik dhe për të ndihmuar bizneset e individët të mbijetojnë.
Foto: Një grua po shikon stolisjet e Krishtlindjeve të prodhuara në Kinë në një treg në sheshin “Trafalgar” në Londër të Britanisë, 23 dhjetor 2021 (Xinhua)
Stimujt ekonomikë nga disa vende perëndimore dolën se ishin të tepruara dhe politikat e çlirëta monetare nuk kanë arritur rezultatet e duhura, thotë Liang Haiming, kryetar i Institutit Studimor të i-Luginës të Rrugës së Mëndafshit të Kinës, duke nxjerrë në pah efektet anësore, si presioni i lartë i inflacionit.
Ndërsa Liao Qun, kryeekonomist i Institutit “Chongyang” për Studime Financiare pranë Universitetit Renmin të Kinës, përmendi faktorë të tjerë nxitës të rritjes së çmimeve, si luhatja në zinxhirët e furnizimit.
“Për shkak të pandemisë, në shumë fabrika ndodhën ndërprerje të prodhimit dhe pati bllokime në porte e stacione trenash. Këto probleme i acaroi më tej fakti se çmimet e energjisë janë rritur në të njëjtën kohë”, tha z. Liao.
Në këto rrethana, pati disa akuza pa bazë kundër Kinës se, meqë Kina eksporton produkte jashtë vendit, ajo është fajtore e inflacionit.
Julian Evans-Pritchard, ekonomist nga instituti britanik i studimit të politikave “Capital Economics”, i hodhi poshtë këto akuza.
“Disa njerëz thonë se Kina eksporton inflacion. Në fakt, realiteti është i kundërt. Duhet të themi që çmimet e mallrave janë rritur me gjithë përpjekjet e Kinës, dhe jo për shkak të saj,” tha studiuesi.
Foto: Një tren Kinë-Europë me produkte mjekësore për në Madrid është duke larguar nga qyteti Yiwu i provincës Zhejiang, 5 maj 2020 (Xinhua)
Sipas tij, Kina u godit nga pandemia, por ekonomia e saj u rimëkëmb shpejt dhe ajo ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në betejën globale antipandemike, duke prodhuar dhe eksportuar furnizime mjekësore dhe produkte të jetës së përditshme.
Kur shumë vende ishin duke vuajtur prej mungesës së furnizimit, prodhuesit në Kinë vazhduan të punonin dhe të eksportonin materialet e duhura antiepidemike e të konsumit të përditshëm në mënyrë të qëndrueshme dhe sipas planit, gjë që ka ndihmuar shumë në zvogëlimin e hendekut midis ofertës e kërkesës dhe në zbutjen e rritjes së ndjeshme të çmimeve.
“Bota do të ishte përballur me një gjendje më serioze nëse Kina nuk do ta kishte vënë nën kontroll pandeminë dhe nuk do të kishte rivënë në punë linjat e prodhimit”, tha z. Liao.