Denisa Canameti, një vajzë e rritur nga dy prindër punëtorë dhe me parime. Ajo ka ëndërruar të ishte gazetare dhe e ka realizuar, sepse fitoi besimin e njerëzve të duhur, në kohën e duhur. Denisa e nisi karrierën si gazetare terreni në 2014-n, e fokusuar vetëm në çështjet e shëndetësisë. Sipas saj, ndonjëse një karrierë relativisht e shkurtër, kanë qënë 8 vite intensive. Denisa e ka nisur karrierën me shkrime të thjeshta, për të vijuar me investigime, duke identifikuar kauza të cilat janë ndjekur deri në gjykatë, apo i ka mbrojtur në institucione të rëndësishme si Kuvendi i Shqipërisë. Sot disa shërbime brenda sistemit shëndetësor funksionojnë falë kësaj avokacie dhe pune kaq të madhe që është bërë.
CMG :Kur ka qenë momenti i kthesës për ju?
Denisa Canameti: Çdo gjë në jetën time ka ardhur gradualisht. Por, mbase momenti kur nisa punën, mora rrogën e parë, është një moment i rëndësishëm në jetën e çdo të riu, pasi ndjehet i pavarur. Janë momentet e para kur fillon e merr përgjegjësi. Këtë moment të jetës, të jem e sinqertë, e kam marrë me shumë seriozitet. E kam quajtur fat të madh që gjeta një punë, brenda profilit që kisha ëndërruar, dhe punova fort që të forcoja njohuritë e mia brenda fushës. Pas 3 muajsh punë, mora ftesën e parë për të folur për një çështje të ndjeshme që lidhej me sistemin shëndetësor në 2014-n, në një media kombëtare, në një emission pasditeje. Për mua ishte diçka shumë e madhe dhe motivuese.
CMG:Cila ka qenë puna juaj e pare ?
Denisa Canameti: Puna ime e parë ka qënë gazetare, në një media të dedikuar shëndetësisë. Jam rritur profesionalisht ne terren, mes personelit shëndetësor dhe pacientëve. Vazhdoj të jem në të njëjtin terren, punoj me të njejtët njerëz po sigurisht më e rritur nga ana profesionale dhe me më shumë përgjegjësi.
CMG:Njeriu që ju motivon?
Denisa Canameti: Janë disa njerëz që më motivojnë. Më motivojnë të gjithë ata që konsideroj familje. Gjej gjithmonë kohë për ta, pavarësisht dinamikave të përditshmërisë. Jam me parimin që “familja është e shenjtë”. Patjetër që kam dhe shumë miq në jetën time, me të cilët më ka lidhur shkolla apo puna më vonë, të cilët janë gjithmonë aty për të më motivuar dhe për të më kujtuar për gjërat e bukura që bëj.
CMG: Si ka qenë fëmijëria juaj ?
Denisa Canameti: Do ta konsideroja normale. Nuk kam pasur çdo gjë, por as nuk më ka munguar asgjë. Kjo falë përpjekjeve të mëdha të familjes sime. Kam ndjekur shkollën, kurse private për lëndë të cilat nuk kam arritur t’i përvetësoj në shkollë (veçanërisht gjuhët e huaja). Duke qënë se kam jetuar në periferi të Tiranës, në një qytet që nuk të ofronte shumë, nuk kam shkuar rregullisht nëpër teatro, kinema apo të ndiqja aktivitete të tjera argëtuese, përveç atyre që na ofronte shkolla.
CMG:A ka një kujtim që e quan të shenjtë?
Denisa Canameti: Për mua janë të shenjta dy momente: I pari kur motra fitoi të drejtën e studimit në Norvegji dhe i dyti kur vëllai fitoi të drejtën e studimit në Kolegjin Mbretëror Detar të Britanisë. Për ne ka qënë e paimagjinueshme, se sigurisht kemi patur disa besime në kokë që nuk mund të ecim pa patur miq, që gjërat nuk funksionojnë siç duhet etj etj. Përjetimet që kemi patur kur kemi marrë këto dy lajme kanë qënë të papërshkrueshme. Dhe janë dy momente që na kanë motivuar të vazhdojmë dhe të punojmë fort, me besimin që puna e madhe shpërblehet.
CMG:Si ka qenë 2021?
Denisa Canameti: Tani që po reflektoj për çka kam kaluar këtë vit, e konsideroj një vit të gjatë pritjeje dhe të lodhshëm për mua personalisht. Kam pritur të ndodhin disa gjëra të bukura, të cilat si duket duan kohën e duhur të vijnë, dhe vetëm Zoti e di se kur është koha e duhur.
Pavarësisht kësaj nga profesionale jam munduar të ruaj ritmin, sepse e dua shumë punën që bëj.
CMG:Çfarë pret nga 2022?
Denisa Canameti: Të mos kemi më pandemi dhe tërmete. Ndjej që nëse kjo situatë do vazhdojë do të na fusë në një ankth shumë të madh si shoqëri dhe kjo më frikëson. Tek kjo punë që jam, kam mësuar që e vetmja gjë që duhet ta presësh dhe të lutesh për të është shëndeti yt dhe i njerëzve të dashur.
CMG: Sa e realizuar ndiheni ?
Denisa Canameti: Ndihem falenderuese ndaj Zotit për çdo gjë që kam arritur deri sot. Kam njerëz të jashtëzakonshëm rreth vetes që më bëjnë të ndihem e realizuar, e lumtur edhe atëherë kur mund ta humbas besimin apo të bie pak moralisht. Nuk kërkoj shumë gjëra në jetë, ndoshta kjo më bën të ndihem mirë me veten. Dua të kem shëndet, të kem një punë që më ndihmon t’ja dal dhe shoqëri të mirë.
CMG:Si është rutina juaj e përditshme?
Denisa Canameti: Më e rëndësishmja e rutinës sime është kafja e mëngjesit. Kam nevoj ta shijoj mëngjesin.
CMG: A ka diçka që ti e planifikon afatgjatë ?
Denisa Canameti : Nuk bëj plane afatgjata. Do vazhdoj të punoj, t’i përkushtohem familjes, shoqërisë, të udhëtoj. Do të përshtatem me çdo situatë të papritur që mund të vijë.
CMG:Denisa dhe përgjegjësitë e saj më të mëdha ?
Denisa Canameti: Familja, shoqëria dhe puna!
CMG:Çfarë i thua shpesh vetes ?
Denisa Canameti: Që kjo është një botë e mundësive; që gjëra më të mira do të vijnë; e nesërmja do jetë edhe më e bukur.
CMG:Çfarë duhet të ndryshojë shoqëria?
Denisa Canameti: Shpesh herë e ndjej situatën rreth vetes toksike. Sigurisht që njerëzit janë të lodhur, të pasigurtë, veçanërisht prej atyre që kanë ndodhur vitet e fundit, megjithatë kjo nuk e justifikon frustrimin e madh në të cilin jetojmë vetë dhe u përcjellim dhe të tjerëve. Duhet të mësojmë të jetojmë më qetë, dhe të përpiqemi në rradhë të parë të ndryshojmë veten. Duhet të marrim më të mirën e asaj që na ofrohet dhe jo të jetojmë çdo ditë me bindjen ( që çon në trishtim) që gjërat nuk bëhen, që gjërat nuk funksionojnë etj etj.
CMG: Cilat janë zgjedhjet e gabuara, nga të cilat ke mësuar ?
Denisa Canameti: Nuk kam bërë zgjedhje të gabuara. Gjithmonë kam zgjedhur duke besuar se po zgjedh më të mirën.
CMG:Mesazhi juaj për të rinjtë?
Denisa Canameti : Të qëndrojnë optimistë! Të angazhohen sa më shumë, të jenë aktivë dhe të marrin më të mirën e asaj që u ofrohet. Shikoj shumë të rinj që po largohen, dhe një pjesë e tyre janë përfshirë në aktivitete të paligjshme, me justifikimin e një të ardhmje më të mirë. Të mos e harrojnë që çdo veprim që ndërmarrin sot, çdo vendim që marrin vjen me një kosto nga mbrapa, e cila mund t’ju rëndojë shumë në të ardhmen. Në këtë Shqipërinë tonë të vogël, ka vend edhe për të rinjtë punëtorë, idealistë, për ata që përpiqen, për ata që këmbëngulin. e besoj vërtet këtë që them.
Intervistoi Megi Latifi