Shqipëria konsiderohet si një vend që prodhon emigrantë. Kjo për faktin se qysh në vitet 90-të teksa portat e ambasadave të huaja u hapën, Shqipëria emigroi një forcë të lartë punëtore drejt vendeve të BE-së. Emigrimi i shqiptarëve drejt këtyre vendeve, por dhe në SHBA, Kanada e vende të tjera ende vazhdon, por ka dhe “një kahje tjetër” emigrimi. Aktualisht në Shqipëri ka shumë të huaj që jetojnë dhe punojnë si emigrantë. Sipas të dhënave nga Instituti shqiptar i Statistikave, çdo vit regjistrohen mbi 3 mijë kërkesa nga të huajt për t’u pajisur me leje pune, ndërsa gjithsej janë 20 mijë të huaj jetojnë në Shqipëri, të pajisur me leje qëndrimi.
Emigrantët e huaj në Shqipëri (Gazetasi.al)
Si është e mundur që Shqipëria, një nga vendet më të varfra të Europës ka një treg pune që josh të huajt?
Sipas ekspertëve arsyet janë kërkesa ende e lartë për profesionistë, për njerëz të kualifikuar në profesione të vjetra, në sektorët që janë nën zhvillimin e vrullshëm të teknologjisë, por edhe kostoja e ulët e jetës (krahasuar me vendet e origjinës), duke mos harruar edhe një taksim më të favorshëm për bizneset e huaja.
Emigrimi i të huajve në Shqipëri ka historinë e vet, shoqëruar me gjeografinë e emigrantëve. Ndër të parët emigrantë të huaj pas viteve 90-të në Shqipëri ishin kinezët, të cilët krijuan tregtinë me pakicë kryesisht në Tiranë, madje dhe një zone të tyren tregtare të njohur si “tregu kinez”. Nëse i referohemi Shërbimit Kombëtar të Punësimit, në vitin 2009 në fushën e tregtisë në Shqipëri dominonin shtetasit kinezë. Ndërsa në vitin 2010 dominuan shtetasit turq, kryesisht në ndërtim. Në varësi të zhvillimit të industrisë Shqipëria u synua në vitin 2013 nga shtetasit kanadezë, të punësuar në industrinë e naftës. Në të njejtin vit u shënua një rritje e emigrantëve turq, duke shkuar në 40% totali i lejeve të qëndrimit, kryesisht në ndërtimin e veprave industrial, ndër të cilat hidrocentrale.
Artistët afganë duke realizuar muralen (Euronews Albania)
Në vitin 2016, nga 3,326 leje pune që u dhanë në total nga autoritetet shqiptare, kryesojnë italianët, me 711 leje pune, ose 21% të totalit, të ndjekur nga turqit, me 657 leje, ose 20%. Sipas të dhënave shtetasit kinezë zenë vendin e tretë me 197 leje qëndrimi.
Një nga dukuritë e përhapura të emigrimit të të huajve në Shqipëri vitet e fundit është ardhja e shtetasve nga vendet fqinje. Ekspertët e cilësojnë këtë si “emigracion i ndërsjellë”, por kjo lidhet dhe me efekte të globalizimit, si dhe pasojat e krizës ekonomike.
Vitet e fundit gjeografia e të huajve që punojnë në Shqipëri është zgjeruar dukshëm. Nuk mungojnë ndër shtetasit me leje qëndrimi në Shqipëri shtetasit indianë, të punësuar në teknologjinë e informacionit, apo filipinaset që preferohen si punonjëse shtëpie dhe kujdestarë fëmijësh.
Shtetasit e huaj edhe për arsye të përqëndrimit të kompanive ku janë punësuar, janë strehuar në Tiranë, sipas Shërbimit Kombëtar të Punësimit (SHKP). Nga i njejti shërbim mësohet se rajonet shqiptare me numrin më të madh të emigrantëve të huaj janë Tirana, Durrësi dhe Fieri.
Lejet e qëndrimit të të huajve në Shqipëri
Si një bilanc i fundvitit, ditët e fundit Instituti i Statistikave bëri të ditur se në fund të vitit 2020, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri ishte 13.609, duke pësuar rritje me 0.8%, krahasuar me 2019. Numri i të huajve rezidentë në 2020 dominohet nga meshkujt me 64% kundrejt femrave me 36%.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri, në vitin 2020 ishte 7661, duke shënuar një rënie me 7%, krahasuar me vitin 2019.Ndoshta këtu ka ndikuar pandemia e Covid 19. Rezidentët me origjinë nga Irani me 2610, Italia me 2067 dhe Turqia me 1597, përbëjnë numrin më madh të të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri në vitin 2020.
Të huajt me origjinë nga Evropa, në vitin 2020 rezultojnë 7724 persona dhe përbëjnë 56.8% të të huajve gjithsej, kundrejt 66.4% në vitin 2019.
Punësimi është arsyeja kryesore e lejeve të qëndrimit të të huajve në Shqipëri në vitin 2020, me 47.5%.
Në vitin 2020 janë evidentuar 18.835 të huaj të parregullt në territorin shqiptar ku pjesën më të madhe të tyre prej 55.9% e zënë të huajt me origjinë nga Iraku dhe Siria. Janë refugjatë të hyrë në Shqipëri nga Greqia me destinacion të mëtejshëm vendet e BE-së, nga Italia e më tej.
Muralja e artistëve afganë në Tiranë
Qysh nga shtatori i këtij viti shtetasit e huaj me leje qëndrimi në Shqipëri po pajisen me karta elektronike me të dhëna biometrike.Ky proces erdhi në kuadër të dixhitalizimit të shërbimeve të Gjendjes Civile. Sipas autoriteteve shqiptare, përmes dokumentit të ri me të dhëna biometrike, shtetasit e huaj me leje qëndrimi në Shqipëri, kanë gjithashtu mundësi të përfitojnë nga shërbimet qeveritare në portalin “e-Albania”.
Ministria e Brendshme ka njoftuar se “Të gjithë të huajt që duan të jetojnë dhe punojnë në Shqipëri tashmë regjistrohen vetëm njëherë në drejtoritë e Kufirit dhe Migracionit të Policisë së Shtetit dhe pastaj çdo gjë bëhet elektronikisht, duke mundësuar më së fundi komunikimin e regjistrave: regjistrit “FER”, që është regjistri i të huajve që janë me leje qëndrimi në Shqipëri dhe që administrohet nga drejtoria e Kufirit me regjistrin e Gjendjes Civile”.
Mirënjohja e të huajve për mikpritjen shqiptare
Ditët e fundit në qendër të Tiranës është përuruar një murale e realizuar nga artistë afganë, që janë mirëpritur në Shqipëri si refugjatë, pas ardhjes në pushtet të regjimit taliban në vendin e tyre. Në muralen ku shihet harta e Shqipërisë shkruhet: “Faleminderit Shqipëri, nuk do të harrojmë”.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se qeveria dhe populli shqiptar treguan që në fillim gatishmërinë për të qenë pranë njerëzve në nevojë.
“Në një nga zonat kryesore të Tiranës, të njohur si “Pallati i Maks Velos ku kemi dy muze, Muzeu Kadare dhe Muzeu Agolli, kemi tashmë një murale të madhe në atë që quhet Unaza e Vogël, zemra e Tiranës. Miqtë nga Amerika dhe Afganistani u bashkuan për realizimin e kësaj muraleje, e cila është si një kartolinë mirënjohjeje nga komuniteti afgan që jeton në Shqipëri, për të dhënë edhe ata falënderimet për pritjen që u është bërë”, -tha kryebashkiaku Veliaj.
Ndërsa Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, deklaroi se strehimi i refugjatëve nga Afganistani tregoi edhe njëherë se Shqipëria vijon traditën e bukur dhe fisnike të mikpritjes.
Artistët janë pjesëtarë të ‘Artlords’, një organizatë afgane me aktivistë e artistë vullnetarë, të cilët përmes pikturave murale përcjellin mesazhe shprese dhe paqeje.
Eda Merepeza