A është i zbatueshëm rrugëtimi drejt dekarbonizimit? Komentet nga menaxherët e kompanive të mëdha në sektorë të ndryshëm orientohen të gjitha në të njëjtën pikë.
Emetimet zero (Foto:Focus)
Ndër objektivat e COP26, Samiti i Klimës që u mbajt në Glasgou, ishte arritja e emetimeve neto zero globalisht, edhe nëse në periudha të ndryshme midis grupeve të vendeve. Me emetime neto zero, nënkuptohet një situatë balancuese në të cilën nuk emetohen më shumë gaze serrë sesa përvetësohen.
Përfaqësues nga mbi 200 vende që morën pjesë në konferencën e OKB-së për klimën arritën një marrëveshje përfundimtare mbi angazhimet dhe strategjitë e përbashkëta që do të zbatohen për të luftuar ngrohjen globale. Kjo është marrëveshja e parë e këtij lloji në të cilën tregohet në mënyrë eksplicite një plan për të reduktuar përdorimin e qymyrit, lëndës djegëse fosile më ndotëse.
Marrëveshja premton se objektivi i frenimit të rritjes së temperaturave mesatare globale nën 1.5 gradë celsius në krahasim me nivelet para-industriale mbetet i arritshëm, por në praktikë duket ende shumë i largët.
Të gjitha vendet pjesëmarrëse u zotuan të forcojnë objektivat e tyre të reduktimit të emetimeve nga tani deri në vitin 2030 dhe t'i rishikojnë ato çdo vit dhe jo çdo pesë vjet. Në këtë mënyrë, mund të mbahet gjallë angazhimi për të parandaluar rritjen e temperaturave nën 1.5 gradë, synimi më ambicioz i Marrëveshjes së Parisit dhe pragu përtej të cilit do të vijnë pasojat e ngrohjes globale pritet të ketë efekte serioze të dëmshme për njerëzimin.
Një nismë tjetër është nënshkruar nga 108 vende dhe përfshin një premtim për të reduktuar me 30 për qind emetimet e metanit deri në vitin 2030. Një marrëveshje tjetër e nënshkruar midis 22 vendeve parashikon që midis viteve 2035 dhe 2040 të gjitha makinat e reja të shitura do të jenë elektrike.
Duke pasur parasysh që sektori i energjisë dhe ai i industrisë së rëndë janë i pari dhe i dyti në botë për ndotjen me dyoksid karboni, vetëkuptohet se dekarbonizimi i këtyre sektorëve është një hap themelor drejt arritjes së objektivit të neutralitetit.
Hekuri, çimentoja, alumini dhe kimikatet kontribuojnë në 60% të emetimeve aktuale industriale dhe konsumi i energjisë, i cili kishte rënë gjatë muajve të parë të pandemisë, tani është rikthyer në rritje me +0.5% në shkallë globale krahasuar me vitin 2019.
Sipas drejtuesve të disa kompanive aktive në këta dy sektorë, eliminimi i emetimeve neto mund të jetë më pak i vështirë sesa duket, por, siç dihet, nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë dhe interesa ekonomike.
Emetimet (Foto:Pmireboot)
Sipas Oyvind Eriksen, nga kompania norvegjeze “Aker ASA”, i cili nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit midis sektorit publik dhe privat, kur një kompani zbulon një teknologji të re ose një zgjidhje të re për të reduktuar emetimet ndotëse, ajo duhet ta ndajë atë me kompani të tjera dhe vende të tjera.
“Në rastin tonë, për shembull, Norvegjia nuk ka një përgjegjësi të madhe në emetimet globale të dyoksidit të karbonit dhe një reduktim në kompaninë tonë nuk do të bëjë ndryshim. Ajo që do të bëjë ndryshimin është eksportimi i njohurive tona në pjesën tjetër të botës, në mënyrë që të tjerët ta përdorin atë për të reduktuar ndikimin e tyre klimatik”, -shpjegoi Eriksen.
Sipas Mahendra Singhi, nga kompania indiane “Dalmia Bharat”, çelësi për arritjen e emetimeve neto zero për industrinë e çimentos qëndron në teknologjitë e sekuestrimit të karbonit. “Ne duhet të përvetësojmë dyoksidin e karbonit, ta bëjmë atë të ripërdorshëm dhe të përfitojmë nga ripërdorimi”, -shpjegoi Singhi, duke cituar një metodë të quajtur Përvetësimi i Karbonit dhe Përdorimi.
Ai theksoi se shpresohet se deri në vitin 2030 kjo teknologji do të veprojë si një vaksinë kundër krizës klimaterike, por, sipas tij nevojiten para dhe institucionet financiare duhet të jenë të gatshme për të marrë rrezikun.
Jan Jenisch, nga kompania zvicerane “Holcim”, thotë se dekarbonizimi fillon me inovacionin, por kërkon bashkëpunim. Sipas Jenisch, kompania e tij përdor më shumë se 100.000 kamionë që nuk janë në pronësi të tij çdo ditë për të transportuar materiale. "Nëse punojmë me furnitorët tanë për t'u bërë më të qëndrueshëm, mund të kemi një ndikim edhe më të madh në mjedis", -tha ai, duke theksuar rëndësinë e adoptimit të një ekonomie qarkulluese në industrinë e çimentos, në mënyrë që të jetë në gjendje të riciklojë mbetjet e prishjes dhe t'i kthejë ato përsëri në beton.
Svein Tore Holsether, i “Yara International”, një kompani që operon në Amerikë, Evropë, Afrikë dhe Azi, dekarbonizimi nuk është i vështirë. Sipas tij, shumë nga teknologjitë e nevojshme tashmë ekzistojnë, por theksoi se problemi kryesor është ai i parave. Hapat e parë mund të jenë të kushtueshëm, por duhet të rimendohen në perspektivë. Për të dekarbonizuar plotësisht zinxhirët e prodhimit, kërkohet një investim i barabartë me 1-4% të kostos përfundimtare të produktit për konsumatorin.
Pra, kërkohet një përpjekje e vogël, kur krahasohet me pasojat katastrofike të mungesës së dekarbonizimit dhe një rritje të temperaturës globale prej më shumë se 2 gradë celsius në krahasim me nivelin para-industrial.
Premtimet për emetimet(Foto:Circular3dprinting)
Sipas përfaqësuesve të këtyre kompanive, është e mundur që të kalohet nga biznesi me një operim si zakonisht në një sistem ekonomiko-industrial të aftë për të ndjekur rrugën e dekarbonizimit pa dalë nga binarët. Me kusht që të ketë investime të mjaftueshme publike dhe që produktet ose shërbimet e tyre të mbrohen disi nga konkurrenca e kompanive në vendet ku dekarbonizimi dhe politikat mjedisore janë objektiva të largëta, gjithnjë nëse janë objektiva.
Gjatë konferencës u arritën edhe disa marrëveshje sektoriale, përkatësisht në lidhje me aspekte të veçanta të luftës kundër ngrohjes globale dhe të përcaktuara jo unanimisht, por midis grupeve të ndryshme të vendeve. Midis tyre, për shembull, është një marrëveshje e madhe kundër shpyllëzimit, e nënshkruar nga drejtuesit e më shumë se 100 vendeve, që premtojnë ta ndalojnë atë deri në vitin 2030.
Përgatiti: Irma Paloli