Darjan Konomi ka punuar dhjetë vite në Qendrën ditore për persona me aftësi të kufizuar intelektuale “Caritas”, ka qenë anëtar i Këshillit Kombëtar për çështjet e personave me aftësi të kufizuar 2014 -2018. Aktualisht ai punon si specialist monitorimi dhe raportimi në pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Darjan po ndjek projektin e Transportit Gjithëpërfshirës brenda Qarkut të Tiranës.
Darjan Konomi në trajnim (Facebook)
CMG : Darjan, si e përshkruan veten?
Darjan Konomi : Do ta përshkruaja veten si një njeri tepër emocional. Forcën e gjej tek njerëzit. Besoj fort në Zot dhe forcën e gjej tek çdo njeri që është në këtë botë dhe që ndajmë të njëjtat parime. Darjani është dhe një njeri i privilegjuar në botë sepse jam sot në punë apo të gjitha gjërat që bëj. Ky është një vullnet i shoqërisë. Kur je i privilegjuar duhet të respektosh dhe të tjerët dhe unë besoj që jam falë vetes dhe falë tyre.
CMG : Si ka qenë jeta juaj, nëse mund të na i përshkruani?
Darjan Konomi : Nje jetë me shumë pasione. Teatri dhe sporti. I jetova të dyja në mënyrën që mundem edhe pse e dija që sportet nuk janë dhe vijnë në formën që unë i dua, por i kam prekur nga afër. Më kanë përfshirë në projekte të ndryshme teatrore që unë të bëja realitet ëndrrën time.
CMG : Cili ka qenë viti më i vështirë?
Darjan Konomi : Viti 1997! E vetmja gjë që ne mund të bënim ishte të luteshim për vendin. Mbeten vitet më të vështira për mua dhe e vetmja gjë që na mbetej ishte lutja. Kur ti jeton jashtë dashuria për vendin është më e madhe. Gjithashtu 2009 ka qenë një vit i ndërlikuar. Unë jam kthyer në Shqipëri dhe po këtu u hasa me një sërë paragjykimesh, të cilat më vendosen në vështirësi, por gjithsesi ja dola.
CMG :Cilat janë vështirësitë tuaja?
Darjan Konomi-monitorues pranë KomisioneritKundër Diskriminimit (Facebook)
Darjan Konomi : Kam lindur në prematurë dhe ajo që ndodhi ishte se nënës sime i thanë që "Nuk do të ecë kurrë". Nuk më lanë të shkoja në Paris për t’u trajtuar. Megjithatë babai im i cili është idhulli im punoi fort që unë të trajtohesha. Më dërgoi në Greqi, por ishte shumë vonë.
Shpresat nuk reshtën kurrë sepse me thanë që nëpërmjet stërvitjes mund t'ia dilja. Jo plotësisht, por sot un jam i lirë për të lëvizur.
I jam nënshtruar shumë terapive dhe për fatin tim të mirë mendoj që jam mirë tashmë. Ka momente që unë mendoj se jam më tepër emotiv seç duhet. Në fund unë ky jam me vështirësi apo të meta, por mbetem një njeri pasionant për jetën.
CMG : Çfarë nuk ka ndryshuar tek ju qe prej fëmijërisë?
Darjan Konomi : Vitet kalojnë dhe ka gjëra që nuk ndryshojnë. Konkretisht ajo që më ka mësuar babai im " Thuaj gjithmonë të vërtetën! Thuaje ashtu sikur e ndjen dhe leri njerëzit ta pranojnë ose jo ".
CMG: A i mbetet shoqërisë ndonjë përgjegjësi për personat me aftësi të kufizuar?
Darjan Konomi: Ka shumë për t’u bërë dhe mendoj vërtet që kemi shumë për t’u integruar si shoqëri me një kulturë më të hapur për ta parë ndryshe personin me aftësi të kufizuar. Mendoj që edhe pse me hapa të vegjël do të vijë ndryshimi. Dhe ka ndodhur. Nëse në vitin 2009 ka qenë një sfidë reale për të gjetur punë, sot ka njerëz me aftësi ndryshe që janë të punësuar. Kjo ka ardhur si ndryshim i mentalitetit të shoqërisë edhe pse ka shumë për të bërë në lidhje me këtë aspekt.
Nuk më pëlqen termi “aftësi ndryshe”, sepse me këtë term nuk do të thotë që jemi të paaftë!
CMG :A mendoni që keni pasur fat që keni gjetur punë?
Grupi Vullnetar mbi transportin gjithpërshirës (Facebook)
Darjan Konomi : Unë jam shkolluar jashtë vendit. Kam kaluar te dyja sistemet politike. Në Greqi më kane mbështetur shumë dhe nuk jam trajtuar si i paaftë. Ata kanë këmbëngulur që unë të bëja aq sa mundesha si të tjerët. Asgjë nuk është më e rëndësishme se sa integrimi e punësimi ynë. Unë nuk mund të bëj pune fizike, por ve trurin tim në punë dhe jam i aftë për tregun e punës.
CMG : Si kanë qenë fillesat tuaja në punë?
Darjan Konomi : Ka qenë e vështirë. Merrja më pak rrogë se të njëjtët njerëz që bënin të njëjtën punë, por ishin edhe fizikisht më të gjindshëm.
Megjithatë askujt nuk i vë faj për këtë, përveçse shoqërisë paragjykuese.
CMG :Çfarë do doje të thoje me zë më të lartë?
Darjan Konomi : Vështirësinë me të madhe të jetës sime edhe sot.
Fakti që në gjithë jetën time kam pasur fokus gjërat me pasion dhe ajo që më dhemb është se ka njerëz që janë shumë më pak të bukur dhe ecin më pak. Në jetë nuk duhet të eci përpara suksesi me bukuri.
Unë nuk kam një aparencë të mirë dhe kjo besoj që më ka penalizuar, por dua të theksoj që njerëzit me aftësi të kufizuar nuk janë të paaftë.
CMG : Njeriu që të ka mbështetur me tepër, cili është?
Darjan Konomi facebook
Darjan Konomi : Është babai im! Ai më ka mësuar të luftoj. Ka momente që ne nuk biem dakord kryesisht në mentalitet e megjithatë mbetet njeriu më i shenjtë për mua. Çdo njeri ka të meta, por unë do doja të thoja që inspirohem nga çdo njeri empatik mbi tokë.
CMG :Cili është mesazhi juaj drejt shoqërisë?
Darjan Konomi: Ta shohim të qenit ndryshe si një vlerë sociale sepse "Imagjinoni një Tiranë me pallate njësoj". Askush nuk do jetonte ndjenjën e dashurisë dhe askush nuk do tërhiqej nga asgjë. Ndaj është vlerë sociale.
CMG : Cili është ndikimi juaj në "Transportin Gjithëpërfshirës"
Darjan Konomi : Është një nismë, e cila ju jep zemër njerëzve me aftësi ndryshe. Prindërit tanë nuk mund të jenë më kujdestarët tanë, por prindër. Një aftësi e kufizuar nuk mund të jetë mundësi e kufizuar. Në vitin 2012 isha në Londër dhe pashë atje njerëz që prenotonin lëvizje!
Kjo më bëri shumë përshtypje dhe më mbeti në mendje shumë gjatë. Njerëzit lëviznin atje pa ndihmën e prindit. Pavarësia në gjykimin tim nis kur shkëputemi nga familja dhe ndaj nisi ky projekt. Gjithmonë ne si persona me aftësi të kufizuar do kemi diçka që nuk mund ta bëjmë. Shoqëria shqiptare jam i bindur që ka solidaritet. Një shërbim i tillë nuk është një shërbim i kufizuar.
Ka një diferencë të një miku që të shoqëron dhe nuk mundet dhe të një të riu që del vullnetar. Nuk duam t’i biem askujt në qafë.
Ky duhet të jetë një model kombëtar që të mbulojë transportin e nuk varet nga miku. Ka njerëz që janë të gatshëm ta bëjnë këtë gjë dhe kjo është një formë e jetesës të pavarur.
CMG : Na trego diçka më konkrete se si funksionon?
Darjan Konomi : Sot po bëhet me mbështetjen e "Klubit kombëtar të prindërve me fëmijë me spektrin Autik", të mbështetura dhe nga shoqata të tjera. Si funksionon? Një person me aftësi të kufizuar do të lëvizë në një distancë të caktuar. Ai e prenoton lëvizjen në një zyrë qendrore koordinimi dhe zyra ka për detyrë të gjejë vullnetarët përkatës në zonat respektive. Gjjthçka po ecën në ritmin e duhur, por mbetet ende shumë punë për t’u bërë.
Intervistoi: Megi Latifi