Liria e lëvizjes për të zgjedhur vendbanimin dhe profesionin, si tipar i globalizmit prej të cilit janë prekur edhe vendet e zhvilluara, po e përball Shqipërinë me pasoja të emigrimit masiv. Anketa e madhe e emigracionit vitin e kaluar zbuloi se nga viti 2011 deri në 2019 kanë lënë vendin edhe 360 mijë persona. Popullsia reale në Shqipëri nga 2.8 milionë, është rreth 2.4 milionë.
Grafiku i Eurostat (Monitor)
Jemi në mbyllje të vitit 2021 dhe në çdo sektor bëhen bilance. Sipas Anketës së Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) në Barometrin e Ballkanit 2021, shqiptarët rezultuan me përqindjen më të lartë të dëshirës për të jetuar e për të punuar jashtë vendit, në krahasim me vendet e tjera të Rajonit.
Nëse i referohemi anketës, 46% e të anketuarve në Shqipëri konsiderojnë të largohen nga vendi, përqindja më e lartë në Rajon. Pas shqiptarëve renditen malazezët, ku 45% e të anketuarve kanë shfaqur dëshirën për të emigruar.
Nga totali i shqiptarëve të anketuar, 68% synojnë emigrimin në vende të Bashkimit Europian dhe 25% Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Emigracioni është shndërruar në problemin më të mprehtë të shoqërisë shqiptare, teksa numri i të larguarve, kryesisht të rinj po rritet, duke e vënë në pikëpyetje zhvillimin e qëndrueshëm të vendit në të ardhmen.
Të dhënat e fundit në fushën e emigrimit tregojnë se të rinjtë shqiptarë të moshës nën 19 vjeç po marrin pjesën më të madhe të lejeve të qëndrimit nga vendet anëtare të Bashkimit Europian për shtetasit jo të BE-së, ku rekordin po e mbajnë fëmijët nën 4 vjeç。
Grafik i emigracionit (Exit.al)
Sipas të dhënave të Eurostat, të përpunuara nga revista “Monitor”, në vitin 2020 u dhanë gjithsej 19.5 mijë leje qëndrimi për arsye familjare për shtetasit shqiptarë, në një nga vendet e BE-së. Nga këta, 52% ishin të moshës nën 19 vjeç, nga 48% që ishte kjo peshë vitin e mëparshëm.
Sipas Eurostat, gati 30% e lejeve të dhëna ishin për fëmijët nën 4 vjeç, një tregues ky që po largohen kryesisht familjet e reja. Vitin e kaluar kjo peshë ishte 24%.
Italia, Greqia dhe Gjermania po japin pjesën më të madhe të lejeve për fëmijët nën 4 vjeç. Ndërsa Italia dhe Greqia kanë qenë destinacione tradicionale të emigrantëve, Gjermania po rritet vitet e fundit, kryesisht për shkak të personave që po ikin me leje pune në këtë vend të zhvilluar europian.
Sipas hartës së publikuar nga Eurostat, Shqipëria është e dyta në Europë për peshën e lartë të fëmijëve nën 15 vjeç që morën leje qëndrimi nga shtetet jo të BE-së.
Sipas Eurostat, në vitin 2020, në total 211 000 fëmijëve (të moshës më pak se 15 vjeç) që nuk ishin shtetas të BE-së, iu dha leja e parë e qëndrimit në BE për arsye që lidhen me krijimin dhe ribashkimin e familjes . 96,000 leje të tjera të para iu dhanë fëmijëve për arsye të tjera, duke përfshirë mbrojtjen ndërkombëtare, ndërsa rreth 4,000 u dhanë për arsye të lidhura me arsimin.
Shtetet që dhanë numrin më të madh të lejeve të tilla ishin: Gjermania, e ndjekur nga Spanja, Italia dhe Suedia.
Gjeografia e emigrimit të shqiptarëve (Metropol)
Që nga viti 2021 janë rreth 283 mijë shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi për arsye familjare në një nga vendet e Bashkimit Europian, sipas INSTAT.
Në vitin 2019 u shënua numri më i lartë i lejeve totale të qëndrimit, që nga 2010-a, me rreth 35 mijë, duke reflektuar valën e re të emigracionit që nisi pas 2016-s. Në 2020-n, ejet kanë me 445 si rrjedhojë e situatës dhe kufizimeve të krijuara nga pandemia.
Fenomeni pritet të përkeqësohet prej efekteve negative të pandemisë COVID-19. Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) ka lajmëruar se, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe sidomos Shqipëria, pritet të përballen me flukse të larta emigrimi për shkak të pandemisë. Në një raport të vitit 2020, OECD konstatoi se Shqipëria renditej e katërta në botë për rritjen në normën e emigracionit të personave me aftësi të larta në punë për periudhën 2000 deri në 2016.
Eksodi i shqiptarëve gjatë viteve të para të tranzicionit kishte në qendër të tij personat me arsim të ulët dhe të papunë, por nxitësit e emigracionit vitet e fundit kanë ndryshuar. Shëndetësia, shkollimi, shërbimet shoqërore dhe në përgjithësi përmirësimi i cilësisë së jetës janë bërë kërkesa kryesore që motivojnë edhe emigrimin. Dëshira për migrim është pak më e lartë në grupet që kanë të ardhura mbi mesataren se sa në ato që i kanë të ardhurat më të ulta. Emigracioni i dekadës së katërt ka në qendër të tij popullsinë më aktive në Shqipëri dhe më prodhuese për tregun dhe ekonominë.
Arsyet e emigrimit (Exit.al)
Eda Merepeza