Ndryshimet klimaterike dhe aktivitetet shkatërruese njerëzore po shkaktojnë një kolaps të biodiversitetit në të gjithë planetin. Ndonëse kjo nuk është një gjë e re, ajo që nuk është gjithmonë e qartë është se sa i përhapur është ky fenomen, veçanërisht për grupe të caktuara kafshësh, situata e të cilave është mjaft fluide, si për shembull zogjtë.
Për çdo specie që ndikohet për keq nga veprimtaria e njeriut, ka një tjetër që lulëzon dhe nuk është gjithmonë e lehtë të bëhet një ekuilibër i përgjithshëm i situatës së shpendëve. Kjo është ajo që është përpjekur të bëjë një ekip ndërkombëtar, i cili, duke përdorur një sasi gjigante të dhënash në lidhje me pothuajse të gjithë zogjtë në kontinentin evropian, ka hartuar raportin më të plotë ndonjëherë për situatën në kontinent. Dhe rezultatet janë të zymta.
Specie të rrezikuara zogjsh, (Foto, Greepx)
Hulumtimi lindi falë grumbullimit të dy bazave gjigante të të dhënave që lidhen me zogjtë në tokën evropiane. Nga njëra anë, ai i Skemës së Përbashkët Pan-Evropiane të Monitorimit të Zogjve (PECBMS), një projekt monitorimi i shpendëve i nisur në vitin 1980, i cili përfshin thuajse të gjitha vendet e BE-së, duke lënë jashtë vetëm Maltën dhe Kroacinë.
Nga ana tjetër, të dhënat mblidhen nga vende individuale dhe i komunikohen detyrimisht çdo gjashtë vjet Bashkimit Evropian, në përputhje me dispozitat e Direktivës së Zogjve. Në total, studimi analizon situatën e 378 specieve vendase në zonën e BE-së, nga 445 gjithsej, në një periudhë dyzetvjeçare dhe më pas fotografon evolucionin demografik të zogjve që banojnë në kontinentin evropian.
Të dhënat e para që dolën nga studimi janë të frikshme. Midis viteve 1980 dhe 2017, viti i të dhënave më të fundit të disponueshme, popullsia totale e shpendëve në Evropë, të çdo lloji, ra midis 17 dhe 19%, me një humbje të individëve të vlerësuar në mes 560 dhe 620 milionë.
Në realitet, numri i ekzemplarëve që u zhdukën në këtë periudhë është edhe më i madh: rreth 900 milionë, nga të cilët duhen zbritur rreth 340 milionë më shumë që u përkasin atyre pak specieve që po lulëzojnë në vend që të zvogëlohen. Në përgjithësi, rregulli është që rënia numerike të përqendrohet veçanërisht në disa lloje shumë të përhapura. Harabeli, për shembull, ka parë përgjysmimin e popullsisë së tij, me një humbje prej 247 milionë ekzemplarë.
Nuk është rastësi që këto janë specie që jetojnë në mjedise bujqësore dhe urbane. Janë ato që po zhduken më shpejt. Për fat të mirë, në anën tjetër të spektrit janë zogjtë që po marrin rrugën e kundërt. Veçanërisht në njëzet vitet e fundit, përpjekjet për ruajtje dhe mbrojtje kanë çuar në rritjen e numrit të specieve të caktuara. Megjithatë, është shumë pak. Bilanci i përgjithshëm i avifaunës evropiane, për fat të keq, është ende negativ.
Zogjtë në rrezik në kontinentin evropian (Foto, Pecbms)
Problem nuk janë vetëm zogjtë, por edhe bletët. Ngrohja globale, ndotja, pesticidet, përdorimi i tokës dhe pakësimi i sipërfaqeve të gjelbra po krijojnë shumë probleme për të gjithë insektet nga të cilat varet riprodhimi i bimëve dhe efektet përkeqësuese në të gjithë ekosistemin mund të jenë katastrofike.
Një rënie që mund të ndalet duke rivendosur habitatin e tyre te bletët dhe të gjitha insektet e tjera pjalmuese, si dhe duke mbrojtur zonat e gjelbra ekzistuese. Një studim i ri i botuar në “Landscape Ecology” shpjegon se mbushja e një fushe me lule nuk mjafton për të ndihmuar bletët. Shumëllojshmëria e specieve, dhe për rrjedhojë edhe e formave, ngjyrave dhe madhësive, është thelbësore.
Në varësi të llojit të bletëve janë dhe lulet që ato frekuentojnë. Për shembull, lulet e fasules vizitohen më shpesh nga bletët me gjuhë të gjatë, sepse ato e mbajnë nektarin të fshehur në fund të kurorës. Fakti që lulet janë aty nuk do të thotë automatikisht se ato mund të mbështesin popullatat e bletëve. Dhe në fakt rezultatet e studimit kanë treguar se vendet ku ka disa lloje të ndryshme janë ato ku përveç kultivuesit kryesor ka edhe lloje të tjera floreale.
Bletët janë të rrezikuara edhe nga pesticidet. Në botën e bletarisë flitet për kolaps të popullatave të bletëve në të gjithë planetin dhe ndoshta edhe me zhdukjen e tyre. "Neonicotinoids" është klasa e insekticideve më të përdorura në botë dhe ajo që po i shkakton më shumë dëme bletëve.
Një studim i publikuar në PNAS jep një pamje edhe më të keqe. Përveç dëmit të menjëhershëm të shkaktuar nga ekspozimi ndaj neonikotinoideve, bletët vuajnë edhe të tjera, të padukshme, por të qëndrueshme dhe që mund të ndikojnë negativisht edhe në brezat e tyre të ardhshëm.
Bletë pranë një lule rape (Foto, Agricolturaonweb)
Neonikotinoidet ishin, deri në vitin 2018, insekticidet më të përdorura në botë. Ato janë të dëmshme për insektet, duke përfshirë bletët, veprimi i pjalmimit të të cilave është thelbësor për vetë bimët dhe insekticidet. Për këtë arsye, në vitin 2018 neonikotinoidet kryesore u ndaluan në Bashkimin Evropian dhe përdorimi i tyre u kufizua edhe në Shtetet e Bashkuara. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se ato nuk përdoren më.
Clara Stuligross, një nga autoret e studimit, vendosi të përqendrohej jo te bleta klasike e kosheres, por te një bletë e vetmuar, Osmia lignaria, e cila e bën folenë e saj në vrimat e pemëve, në strofullat e braktisura të insekteve të tjera ose edhe në tokë. Një herë në vit, në fillim të pranverës, këto bletë kalojnë disa ditë duke thithur sa më shumë polen që të munden përpara se të pjellin vezët dhe të ngordhin. Kjo periudhë e shkurtër është kritike për shumë bimë frutore, dhe është gjithashtu ajo gjatë së cilës bletët janë më të ekspozuara ndaj insekticideve.
Në fakt, bletët e ekspozuara ndaj “neonikëve” kanë një rënie të fertilitetit, e cila përkeqësohet me çdo ekspozim të mëpasshëm. E njëjta gjë është e vërtetë për pasardhësit e tyre. Pasardhësit e një blete të kontaminuar prodhojnë gjithashtu më pak pasardhës dhe një bletë që bie në kontakt me helmin ndërsa është ende një larvë do të ndjejë efektet e saj për jetën, edhe pas kalimit në fazën e rritur.
Sipas Stuligross, ky është një problem që duhet trajtuar gjatë formulimit të strategjive ekologjike. Deri tani, planet për mbrojtjen e bletëve bazohen në efektet e pesticideve në një gjeneratë të vetme dhe nuk marrin parasysh dëmet e vazhdueshme dhe madje të mëdha.
Përgatiti: Irma Paloli