Ilir Canin e gjejmë shumicën e kohës në parkun e liqenit të Tiranës. Ai kujdeset për natyrën dhe mbarëvajtjen e punës në këtë park. Diplomuar për Biologji–Mjedis, aktualisht Iliri është përgjegjës sektori tek Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit.
Ilir Cani burimi (facebook)
CMG : Ilir sa e vështirë mund të jetë të njohim veten për atë që jemi?
Ilir Cani: Tepër e vështirë. Është një pyetje që nuk më bëhet shpesh, por është tepër e vështirë të njohësh veten nga ana tjetër është mision të zgjohemi çdo ditë dhe të punojmë për atë që jemi.
Ky është fenomen që është i pranishëm që në nisje të ditës. Unë në çdo ditë të re shoh se çfarë kam bërë një ditë më parë dhe çfarë do të bëj një ditë më pas për t’u përmirësuar.
CMG : Duke qenë që jeni një i ri që e dëshironi shumë jetën në natyrë, si jeni rritur ju vetë?
Ilir Cani: Ka qenë një fëmijëri e bukur. Ndoshta jo kjo që kanë fëmijët sot, por edhe më e bukur. Në ditët verore asnjë mbrëmje nuk kam shkuar në orar në shtëpi, sepse e doja jetën në natyrë.
Gjatë viteve të shkollës u përkushtuam mbi libra dhe mësova rolin e prindërit tek unë. Ata më mësuan edukatën, respektin për njerëzit dhe dashurinë për natyrën. Sot ka më shumë hapësira rekreative, por nuk ka atë dashurinë për natyrën që kemi pasur ne.
Më kujtohet që ka qene një periudhë shumë e bukur dhe tani nostalgjike.
Teknologjia ka bërë të sajën, por nuk e zëvendëson atë çka kemi pasur ne.
CMG : Në marëdhënie me punën, cilat janë pikat e dobta dhe të forta?
Ilir Cani: Çdo njeri ka pikë të forta dhe të dobta në jetë.
Parku Liqeni i Tiranës (burimi faceboook-Ilir Cani)
Në fakt unë pikë të dobët cilësoj që jam "vonë". E kam nisur vonë angazhimin tim për të ndihmuar natyrën për t’i ardhur në ndihmë parkut. Kam nisur shumë vonë të jem aktiv dhe kjo ka qenë një pikë e dobët e imja, por tashmë e kam rikuperuar dhe jam në kohë për të bërë gjjthçka në natyrë.
CMG : A ka qenë puna juaj e parë në lidhje me mjedisin?
Ilir Cani: Kam qenë nga ata fëmijë që nuk e lija fundjavën bosh.
Nuk kam nisur menjëherë me mjedisin, por në universitet nisa.
Nisa të merresha kudo vullnetarisht, mendoj që kjo më ka dhënë një dorë të mirë në vetëbesim për të arritur gjërat. Kam punuar për statistika dhe të dhëna për t’i nxjerrë dhe punuar mbi to.
Gjithçka ka ardhur gradualisht, por me shkuarjen në Universitet e kuptova që doja të punoja me mjedisin.
CMG: Çfarë është jeta për ju?
Ilir Cani: E vështirë dhe e bukur, njëkohësisht e shkurtër!
Për një njeri të zgjuar nuk ndodh kështu përkundrazi, nëse di ta organizosh jetën ajo mund të jetë shumë e gjatë. Nëse di të shijosh jetën ajo mund të jetë shumë e bukur.
Këndi Sportiv (Liqeni i Tiranës, burimi facebook)
CMG: Cilat janë episodet me të vështira në jetën tuaj, të cilat i keni sfiduar?
Ilir Cani: Kam pasur diçka që e ka pasur çdo i ri dhe le të shërbejë kjo përgjigje për të gjithë.
Unë e doja shumë punën me mjedisin dhe kur dola nga universiteti nuk gjeta menjëherë atë që doja. Pastaj, kam pasur shkëputjen nga familja, vështirësi ekonomike dhe me kohën kuptova që gjithçka kalon dhe harrohet. Ti ja del vetëm nëse pret dhe ke besim.
CMG: Në agjencinë e Parqeve dhe rekreacionit si u ndjetë kur sapo u emëruat?
Ilir Cani: Me një fjali " Momenti më i bukur në jetën time "
Jam ndier shumë plot dhe i gatshëm për të bërë ndryshim prej momentit që u bëra pjesë e një stafi kaq të përshkushtuar.
CMG: A mund të përshkruash marrëdhënien me natyrën?
Ilir Cani: Kam një marrëdhënie shumë të ngushtë. Ja di vlerën dhe këtë gjë unë ja përcjell edhe miqve. Shpesh në biseda të ngrohta unë jam ai që ofroj diçka për natyrën. Si te kujdesemi, si ta mbajmë mirë, si të jemi më pranë saj. Kjo është marrëdhënia ime, por nëse e flet me të tjerët bëhet një punë dyfish. Ti ndikon tek ata nëpërmjet fjalës.
Parku Liqeni i Tiranës (burimi faceboook -Ilir Cani)
CMG: Parku dje dhe sot... Çfarë ka ndryshuar?
Ilir Cani: Ndryshimi nisi. Dikur ka qenë një kodrinë e thjeshtë pa këtë hije të bukur që ka marrë sot. Me t’u ndërtuar agjencia gjithçka ndryshoi. Qytetarët e kuptojnë që sot është një oaz. Çdo ditë paradite dhe pasdite e frekuentojnë për të bërë ecje, luajtur, bërë aktivitete etj.
Duket që tashme është një pikë stacioni për të gjithë në çdo moment të ditës. Më i pastër dhe më i bukur.
CMG: Kush e frekuenton me tepër?
Ilir Cani: Të gjitha grupmoshat. Nga të vegjlit, që luajnë në park tek të rinjtë që bëjnë xhiro me biçikleta. Kemi moshat e treta të cilët ulen në stola apo bëjnë ecje të përditshme. Natyra është aty për ata me një pastërti dhe komoditet. Forca është ta shijosh natyrën! Parku ua ka bërë njerëzve jetën me aktive dhe me të lumtur.
CMG: Cili është fenomeni që ju streson më tepër në park?
Ilir Cani: Nuk më pëlqejnë qytetarët që bëjnë kritikën dhe fajin.
Për parkun nuk do kujdesen vetëm punonjësit e bashkisë, duhet të punojmë të gjithë bashkë për ta mbajtur vendin pastër, sepse ndryshe nuk do jemi hapa përpara. Më pëlqejnë njerëzit që japin një ndihmë sado të vogël kur bëhet fjalë për të mbajtur pastër ambientin.
Foto nga mjedisi i punës Ilir Cani(facebook)
CMG: Cilat janë eventet më të shpeshta në park?
Ilir Cani: Kemi gjithçka! Nga aktivitetet në park të lirë.
Orët e gjelbra janë shumë të rëndësishme sepse të rinjtë njihen me natyrën, njihen me shpendët që ndodhen në park. Kemi amfiteatrin apo teatrin e kukullave, hapësira dinjitoze për evente. Në fund të rinj që lënë oraret e tyre në fusha të ndryshme sportive për një ditë më të veçantë dhe pasdite me të shëndetshme.
Të gjithëve ju them që janë "Miqtë e parkut"
Intervistoi Megi Latifi