Rritja e temperaturave dhe thatësira po vënë në rrezik pyjet evropiane dhe vitet e fundit specialistët po ngrenë gjithnjë e më shumë shqetësimin se ngrohja globale ka tharë tokën duke çuar në përshpejtimin e zhdukjes së pyjeve dhe të llojeve të rralla të pemëve.

Pyjet në krizë nga thatësira (Foto Focus)

Pyjet në krizë nga thatësira (Foto Focus)

Pyjet në të gjithë planetin, sidomos ato evropiane, po vuajnë nga efektet e ngrohjes globale dhe veçanërisht nga thatësirat gjithnjë e më të shpeshta. Mekanizmi është i thjeshtë për t'u shpjeguar: rritja e temperaturave rrit avullimin e tokës, e cila është gjithnjë e më e thatë dhe për rrjedhojë më pak e favorshme për rritjen e bimëve.

Megjithatë, ajo që mungonte ende ishte prova përfundimtare e ndikimit të ndryshimeve klimaterike në shëndetin e pemëve në Evropë; prova që mund të ketë ardhur tani nga një studim i botuar në “bioRxiv”, i cili përcakton për herë të parë efektet e rritjes së temperaturave në mirëqenien e pyjeve.

Të dhënat për zhdukjen e pemëve në Evropë nuk mungojnë, falë edhe nismave monitoruese si “ICP Forests”. Deri tani, llogaritjet bëheshin me përdorimin e imazheve satelitore, por, ato nuk mundësojnë që të bëhet dallimi mes pemëve pa jetë dhe atyre të prera për dru.

Jan-Peter George, profesor në Universitetin Tartu, në Estoni, e ka anashkaluar problemin duke shfrytëzuar bazën e të dhënave të “ICP Forests”, e cila përmban gjithashtu të dhëna nga vëzhgimet e bëra në terren, dhe që për këtë arsye bëjnë të mundur dallimin e pemëve të prera nga ato të shkatërruara prej thatësirës. Gjithashtu, mund të përjashtohen disa lloje, për shembull frashëri, i cili po zhduket në sasi të mëdha për shkak të dy parazitëve specifikë. Rezultatet e kësaj analize kthejnë një pamje në përkeqësim të vazhdueshëm që nga vitet 1980, dhe me një kolaps vertikal që nga viti 2012.

Së pari, shkalla e vdekjes së llojeve të pemëve evropiane ka qenë vazhdimisht pozitive për gati dy dekada, që do të thotë se më shumë pemë vdesin çdo vit sesa mesatarja afatgjatë. Nuk ka specie, shkalla e vdekshmërisë së të cilave është në rënie, dhe disa janë në kushte të dëshpëruara: bredhi, për shembull, ka një shkallë vdekshmërie që midis 2010 dhe 2020 që është 60% më e lartë se ajo që kishte midis 1995 dhe 2009, ndërsa për pishën skoceze kjo vlerë është 40%.

Problemi, që zbuloi një analizë të mëtejshme që llogariti lagështinë e tokës gjatë dekadave, është se toka ku rrënjët e pemëve rrënjët e tyre është duke u tharë. Kjo jo vetëm që krijon probleme të dukshme të mungesës së lëndëve ushqyese, por dobëson bimët dhe i vë në rrezik më të madh ndaj parazitëve dhe sëmundjeve.

Zonë pyjore në Itali, (Foto Focus)

Zonë pyjore në Itali, (Foto Focus)

Detaji më shqetësues, megjithatë, është ndoshta fakti se kjo situatë po përsëritet në të gjithë kontinentin evropian, madje edhe në zonat më veriore, në Skandinavi, ku perceptimi është se tharja e tokës është vetëm një çështje jugore, dhe jo një katastrofë që po prek të gjitha pyjet e botës.

Ndryshimi i klimës vazhdon të bëjë viktima të pafajshme. Një studim i kryer nga një ekip ndërkombëtar studiuesish ka treguar në fakt se në shtatëdhjetë vitet e fundit lulëzimi i bimëve është përshpejtuar në mënyrë progresive, më shumë se sa ka ndodhur me fenomenin e ndërlidhur të përhapjes së gjetheve. Këto dy ngjarje fenologjike, që ndikojnë në zhvillimin e bimëve, janë të lidhura ngushtë me ndryshimin sezonal të temperaturave.

"Bimët e ekspozuara ndaj temperaturave të ulëta, gjatë dimrit, pushojnë para se të shpërthejnë sythat e gjetheve të reja. Ato kanë nevojë për temperatura të buta që të mund të lulëzojnë në pranverë", -shpjegon autori kryesor i studimit Qianqian Ma. Sipas tij, ndryshimet klimaterike po komprometojnë ekuilibrin midis fazave dhe klimës dhe rrezikojnë të dëmtojnë ekosisteme të tëra.

Studiuesit analizuan katër lloje bimësh evropiane, gështenjën, pishën skoceze, pishën dhe frashërin, duke marrë në konsideratë vitet 1950 deri në 2013. Sipas gjetjeve, intervali kohor ndërmjet zgjerimit çdo dhjetë vjet të gjetheve dhe lulëzimit do të ishte rritur nga 0.6 në 1.3 ditë, me intervalin më të gjatë të regjistruar në zonat më të ngrohta të Evropës.

Zgjatja e gjetheve dhe lulëzimi korrespondojnë përkatësisht me rritjen dhe riprodhimin e bimëve dhe një ndryshim në pasojat e këtyre dy ngjarjeve mund të ketë rezultate shkatërruese: "Pemët mund t'i shpërndajnë burimet në mënyra të ndryshme midis rritjes dhe riprodhimit dhe t’i lënë lulet ose gjethet në mëshirën e ngricave të pranverës së vonë, nëse ato shfaqen shumë herët", -shpjegoi një nga autorët e studimit, Jian-Guo Huang.

Llojet e pemëve që prodhojnë lule para gjetheve të tyre, si frashëri, mund të pësojnë humbje në prodhimin e farës nëse lulet dëmtohen nga ngrica e pranverës. Bimët që, nga ana tjetër, prodhojnë gjethe përpara luleve, si p.sh. gështenja, mund të zvogëlojnë rritjen e tyre dhe të thithin më pak dyoksid karboni.

"Ndryshimet do të kishin pasoja serioze në ekosistem, ciklet ushqyese dhe thithjen e dyoksidit të karbonit" shpjegon Qianqian Ma. Një çekuilibër në kohën e lulëzimit mund të dëmtojë gjithashtu ndërveprimet me pjalmuesit, duke vënë në rrezik mbijetesën e të dy specieve, me pasoja të drejtpërdrejta edhe për njerëzit.

Vera e vitit 2003 do të mbahet mend gjatë për vapën ekstreme në të gjithë Evropën dhe për vite është cilësuar si “vera e rekordeve”. Fatkeqësisht, rekordet u thyen pesëmbëdhjetë vjet më vonë, në vitin 2018, në atë që aktualisht është viti më i nxehtë për Evropën në raport me temperaturat e verës, të cilat e kaluan mesataren e periudhës me 3.3 gradë celsius. Një studim i ri mbi pyjet evropiane i botuar në revistën “Basic and Applied Ecology” u përpoq për herë të parë të llogariste dëmin e pësuar në pyjet evropiane pas asaj vere, duke zbuluar se shumica e tyre vazhdojnë të vuajnë nga efektet e kësaj vale të nxehtë.

Zonë pyjore në Francë (Foto Ilmeteonet)

Zonë pyjore në Francë (Foto Ilmeteonet)

Sipas këtij studimi, pemët humbasin shumë ujë nga sipërfaqet e tyre dhe duhet ta zëvendësojnë atë me atë që gjejnë në tokë. Është e mundur të kuptohet kur ka ndodhur kjo gjendje duke studiuar fiziologjinë e vetë bimëve. Nëse ka më pak ujë në dispozicion, indi vaskular i pemëve tkurret, duke çuar në vdekjen e qelizave dhe rrjedhimisht të pemës.

Studiuesit në Universitetin e Bazelit e kanë hasur këtë gjendje në shumë bimë që i mbijetuan verës së 2018-s dhe që vit më vonë shfaqën vështirësitë e para. Me ardhjen e pranverës, disa prej tyre nuk lëshuan sytha të rinj, të tjerët ishin më të zbuluar ndaj kërpudhave dhe parazitëve. Në vitin 2020, shumë nga këto bimë nuk kishin më jetë, veçanërisht ato që nuk kishin ujë të mjaftueshëm për të rinovuar gjethet e tyre.

Detaji më shqetësues i studimit, i cili zbuloi se zonat pyjore më të prekura në Evropë janë në Gjermani, Austri dhe Zvicër, është se nuk janë vetëm bimët që tradicionalisht vuajnë nga nxehtësia ato që preken nga efektet afatgjata të thatësirës, por edhe ato që paraqiten si më rezistente ndaj temperaturave të larta dhe thatësirës, si ahu, pisha, apo bredhi i bardhë.

Duke marrë parasysh që parashikimet aktuale thonë se reshjet në Evropë do të bien me një të pestën deri në vitin 2085, autorët e studimit bëjnë thirrje për një rishikim të strategjisë aktuale të ripyllëzimit, për të marrë parasysh se cilat bimë janë më të mira për t'u rimbjellur dhe si ndërveprojnë ato. Por, mbi të gjitha, për të promovuar më shumë studime mbi dëmtimin afatgjatë të ngrohjes globale në pyjet tona.

Përgatiti: Irma Paloli