Intervistë me prof. Mimoza Karagjozi Kore ligjëruese në Kuvend

Kuvendi Ndërkombëtar i Studimeve Albanologjike, i organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave e Kosovës, mblodhi në Tiranë 182 studiues shqiptarë dhe të huaj, mes të cilëve albanologë të njohur, nga universitete dhe qendra kërkimore të huaja që kryejnë studime për botën shqiptare.

Prof. Mimoza Karagjozi Kore në Kuvendin e Albanologjisë (Facebook)

Prof. Mimoza Karagjozi Kore në Kuvendin e Albanologjisë (Facebook)

Kuvendi, më i madhi i këtij lloji në Shqipëri i zhvilloi punimet nga 25 deri më 27 nëntor, në prag të Ditës së Pavarësisë. Për herë të parë studiuesit albanologë, përfaqësues të të gjitha shkollave dhe qendrave albanologjike në botë dhe në hapësirën historike shqiptare u mblodhën në Kuvendin kushtuar studimeve albanologjike, shkëmbyen mendime dhe përvoja.

E ftuara e sotme, Mimoza Karagjozi Kore profesoreshë pranë departamentit të gjuhës shqipe, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës ishte një nga pjesëmarrëset në Kuvend, që kumtoi temën "Vështrim mbi leksikun dituror në veprën e F.M da Lecces "Dittionario Italiano-Albanese" 1702".

CMG: Ishit një nga pjesëmarrëset e Kuvendit të Albanologjisë. Opinioni juaj për këtë ngjarje të rëndësishme në fushën e studimeve albanologjike.

Nga punimet e Kuvendit të Albanologjisë (Facebook)

Nga punimet e Kuvendit të Albanologjisë (Facebook)

Prof. Mimoza Karagjozi Kore:Së pari ju falënderoj që i lini vend një aktiviteti të tillë të rëndësishëm veçanërisht për studimet albanologjike. Doja të tërhiqja vëmendjes se albanologjia është një shkencë e gjerë, e cila përfshin jo vetëm gjuhësinë, por dhe historinë, arkeologjinë, madje tani dhe gjenetikën, sepse kishte dhe studiues të gjenetikës. Këto të gjitha së bashku duan të provojnë dhe të çojnë përpara studimet në lidhje me etnogjenezën, prejardhjen e popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe. Sigurisht ky Kuvend kaq i madh edhe i gjerë që të kërkonte të përsëriste vetveten pas 50 vjetësh, sepse në 1972 ka qenë Kuvendi i Studimeve Ilire dhe padyshim që do të përfshinte studime të reja në fushën e gjuhësisë, historisë. Prandaj kishte krahas studiuesve të vjetër e me përvojë dhe një brez të ri studiuesish. Mund të them se kjo ishte një nga rijësitë e këtij kuvendi të madh, sepse një varg studiuesish të rinj që janë përfshirë me pasion në fushat përkatëse sollën të reja shumë interesante. Qysh në fillim doja të theksoja, atë që vunë re dhe studiuesit e huaj, një organizim i shkëlqyer nga Akademia e Shkencave.

CMG: Sigurisht, nëse kemi parasysh dhe pjesëmarrjen kaq të madhe, aq më tepër në kushte pandemike.

Prof.Mimoza Karagjozi Kore intervistë për CMG

Prof.Mimoza Karagjozi Kore intervistë për CMG

Prof. Mimoza Karagjozi Kore: 182 studiues pjesëmarrës, por çdo gjë shkoi perfekt dhe kumtesat ishin interesante. Aktivitete të tilla paçim përherë sepse jo vetëm sillen të reja shkencore, por kemi nevojë dhe të takojmë kolegë të huaj, të dëgjojmë një opinion tjetër.


CMG: Janë shkëmbime shumë të rëndësishme. Besoj se sado që në kohën e teknologjisë virtualiteti edhe në fushën tuaj është kthyer në përditshmëri, por gjithsesi kontaktet janë me vlerë.

Prof. Mimoza Karagjozi Kore: Edhe pse në kushte pandemie pjesa më e madhe ishin prezentë, por sigurisht pati dhe studiues që dolën online në kuvend. Ishin tre ditë shumë intensive, të cilat kaluan shpejt dhe meqë kishte shumë séanca paralele nuk mund t’i ndiqnim të gjitha. Ndaj mezi presim të dalin botimet dhe t’i shoh me kujdes të gjitha punimet.

CMG: Besoj se punimet e Kuvendit, për të cilat kanë interes jo vetëm studiuesit, por dhe studentët e fushës së albanologjisë dhe mediat do të botohen së shpejti.

Prof. Mimoza Karagjozi Kore: Po, do të jenë të botuara, por një Kuvend i nivelit të lartë shkencor do të ketë botime për një publik të zgjedhur, të lidhur me albanologjinë. Sigurisht që në Kuvend pati dhe kumtesa që kuptohen nga një publik i gjerë, sepse aty pati studiues si Pierre Cabanes, një nga arkeologët më të mëdhenj francize, historian, i cili u nderua dhe nga Presidenti i Republikës dhe kishte marrë pjesë dhe 50 vjet më pare në Kuvendin e Studimeve Ilire dhe ka mbrojtur fort tezën ilire të autoktonisë sonë.

Kuvendi Ndërkombëtar i Studimeve Albanologjike (ATSH)

Kuvendi Ndërkombëtar i Studimeve Albanologjike (ATSH)

Ky aktivitet kaq i madh pati ditën e fundit një kurorëzim me dhënien e çmimit “Mayer, Pedersen, Yokli”, tre albanologët e shquar të cilët filluan studimet albanologjike e pastaj mësimet e tyre i çoi më tej prof. Eqerem Çabej. Çmimin e pare e mori Sir Noel Malcolm, i cili ka një kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën, ndërsa çmimet e dyta i morën David Hosaflook dhe Lucia Nadin. Më pas pati pranime të akademikëve që u bënë anëtarë të rinj të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Unë u ndjeva shumë mirë sepse jap lëndën e albanologjisë në Universitetin e Tiranës dhe ky aktivitet do të mbahet mend gjatë e do të na shërbejë gjatë me kumtesat e tij.


CMG: Jeni studjuese kryesisht e gjuhësisë historike dhe kumtesa juaj në Kuvend duket se vijon këtë fushë studimore. Të mësojmë diçka më shumë për këtë kumtesë

Prof. Mimoza Karagjozi Kore: Kumtesa ime kishte të bënte me “Dicttionario Italiano-Albanese” të vitit 1702 të F.M da Lecces, një vepër e cila dihej se ekzistonte në dorëshkrim, madje në studimet e tij etimologjike prof. Çabej thotë se “më kanë munguar t’i kem përpara” dhe përmend disa autorë, midis tyre dhe Da Lecce. Është fat që prof. Mateo Mandala e gjeti dorëshkrimin dhe Gëzim Gurga para disa vjetësh mundësoi botimin e fjalorit të Francesco Maria da Lecce dhe e shoqëroi me një thënie kritike. I kishte munguar për 300 vjet studimeve albanistike ky fjalor dhe padyshim studjuesve të historisë së gjuhës do t’u tërhiqte vëmendjen, sepse tekstet para shekullit të 18-të i kemi shumë të pakta. Francesco Maria da Lecce ishte një misionar italian në Shqipëri, madje kisha e Romës i tërhiqte vëmendjen se nuk po e bënte mirë detyrën sepse ishte i dhënë shumë pas gjuhësisë. Ai e mësoi gjuhën shqipe shumë mirë dhe përveç fjalorit ka bërë dhe një gramatikë. Një fjalor me 11 mijë e 200 zëra në gjuhën shqipe është një vepër madhore.


CMG: Do të doja të dija nga ju si pedagoge prej shumë vitesh, sa janë të interesuar studentët për studimet albanologjike?

Prof.Mimoza Karagjozi Kore: Këto dy vitet e fundit për shkak të pandemisë kemi harruar dhe ne përballjen me studentët, por ka studentë shumë të interesuar dhe që premtojnë shumë. Madje janë dërguar pranë Qendrës Albanologjike studentë me Erasmus ose me bursa në Mynih. Vura re se studentët po e ndiqnin Kuvendin online dhe u bëra me krahë sepse kjo punë do vijimësi, të përdorësh metodat e reja studimore dhe të rinjtë janë ata që do t’i çojnë përpara.


Intervistoi Eda Merepeza