Dy vite pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, që rezultoi me një bilanc tragjik prej 51 viktimash, shumë të plagosur dhe shkatërrime masive materiale, me sa duket rindërtimi po ndryshon panoramën e trishtë të kësaj ngjarjeje për Shqipërinë. Falë planit të mirëmenduar të qeverisë shqiptare dhe donacioneve shumë familje të mbetura pastrehë për shkak të tërmetit presin të hyjnë në shtëpitë e reja. 20 familjet e para morën banesa të rindërtuara në Tiranë ndërsa janë gati brenda pak ditësh qindra apartamente dhe shtëpi individuale për t’ju dorëzuar familjeve të pastreha të cilat në dy vite u trajtuan me bonus qiraje.
Thumana një nga zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit tani përshfaq një pamje krejt të re. Në sajë të programit madhor të Rindërtimit, rrënojat janë zëvendësuar me 178 apartamente të përfunduara dhe 158 njësi individuale, ndërkohë që kantieri ende i hapur, pritet të përfundojë brenda pak ditësh.
Në një ceremoni në sheshin kryesor të Thumanës, i rrethuar nga pallate dhe banesa të reja individuale Kryeministri Edi Rama, zv.kryeministri dhe ministri i Rindërtimit dhe Programit të Reformave, Arben Ahmetaj, si dhe donatorë dhanë lajmin e mirë se “janë 433 familje që rikthehen në banesa të reja me kushte fantastike”.
Kreu i qeverisë Edi Rama premtoi se këto ditë banorët do të fillojnë të hyjnë në banesat e reja.
“Dy-tre ditët në vijim, menjëherë pas përvjetori të dytë të tërmetit njerëzit do të fillojnë të hyjnë fillimisht në apartamentet dhe pastaj në shtëpitë individuale, me ambicjen dhe dëshirën që në prag të Krishtlindjeve ne të rikthehemi për një festë të madhe këtu, së bashku me të gjithë dhe të ndezim pemën e ullirit të paqes dhe begatisë. Janë 433 familje që rikthehen në kushte fantastike dhe këto palate këtu i takojnë standardit të lartë dhe janë falas”, u shpreh kryeministri.
Rama theksoi në fjalën e tij se kjo punë nuk mbaron këtu. “Ne duam që Thumana të bëhet një destinacion dhe për të tjerë që të vijnë gjatë fundjavave. Këtu kemi një liqen fantastik që do ta adresojmë si një aset për një turizëm të brendshëm të fundjavës dhe pa diskutim që do kishte shumë familje që do donin të vinin këtu e t’i argëtonin fëmijët në gjithë këto hapësira”, tha ai.
Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj, pasi falenderoi donatorët që ndihmuan në realizimin e rindërtimit pas tërmetit, tha se:
“Kjo është një lagje e re moderne, që mund të ishte në Tiranë me këtë cilësi, por mund të ishte dhe në çdo lloj qyteti modern. Sot qytetarët e Thumanës në Bashkinë e Krujës do të marrin shtëpi falas. Janë mbi 12 mijë apartamente në 11 bashkitë e dëmtuara dhe janë mbi 40 mijë familje që përfitojnë, që nga bonusi i qirasë sepse nuk lame askënd prapa”, theksoi Ahmetaj.
Më tej numri dy i qeverisë shqiptare bëri të ditur se “Ky proces ka qenë një histori suksesi e kthimit të një krize të madhe në një mundësi të madhe. Janë angazhuar 400 kompani që nga kompanitë e projektimit, deri tek kompanitë e ndërtimit. Janë angazhuar 27 000 forca pune, kjo për t’i thënë të gjithë atyre që thonë që nuk ka punë e kanë ikur të gjithë, që në fakt janë 27 mijë familje që janë ushqyer edhe falë rindërtimit.”
Tërmeti i 26 nëntorit të dy viteve më pare preku dhe Durrësin e rrethinat e tij si dhe Tiranën e periferinë e saj. Në lagjet e mëdha në kryeqytet si “5 maji” dhe “Kombinati” tashmë ndërtimet janë në proces. Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj këto ditë inspektoi punimet në lagjen e “Kombinatit” dhe theksoi për mediat:
“Në KombinArt, po ndërtojmë një tjetër lagje model për familjet e mbetura pa shtëpi prej tërmetit, e ku ka përfunduar puna për 2 pallatet e para, nga 40 të tillë që do ta kthejnë Kombinatin në polin e ri të Tiranës. Shumë shpejt Kombinati do të jetë një Pol i ri kulturor në kryeqytet, jo vetëm me banesa të reja për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, por duke u shndërruar në një hapësirë për atelietë e artistëve dhe artizanëve. Rindërtimi i Kombinatit do të realizohet me apartamentet e reja falas për familjet e prekura nga tërmeti, si një zonë me potencial zhvillimi për akomodimin e rreth 21 mijë banorëve. Aty do të ketë edhe 4 institucione të reja arsimore; 9 pika sociale e kulturore, si dhe 5 sheshe publike me shërbime të reja”, tha Veliaj.
Ndërsa sa i përket lagjes “5 Maji” kryebashkiaku bëri të ditur se “ do të jetë lagja më e mirë e Tiranës - me urbanistikë, ndërtime cilësore dhe shërbime pranë banesave, vlera e të cilave do të jetë më e madhe se shtëpia që humbën pas tërmetit”. Ai dha lajmin e mirë se për Vit të Ri, 100 familjet e para të marrin çelësin e shtëpisë së tyre të re.
Si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit 2019 u shembën 115 pallate, ku numri më i lartë rezultoi në Shijak në 30 pallate, 22 në Kurbin, 5 në Durrës, 8 në Kamëz, 10 në Kavajë, 19 në Vorë, 16 në Krujë, 4 në Lezhë dhe 1 në Mirditë. Në total për t’u riparuar u vlerësuan 242 pallate. Numri më i lartë i shembjeve ishte te shtëpitë individuale apo siç njihen ndryshe shtëpitë private. Referuar shifrave të Ministrisë së Rindërtimit numri i tyre llogaritet në 1,523 objekte. Numri më i lartë i tyre është në Krujë në 814 dhe në Vorë në 369 shtëpi. Në Shijak do të shemben 99 shtëpi individuale dhe në Kamëz 81. Për t’u riparuar janë 607 shtëpi individuale, shkruan revista “Monitor”.
Qeveria shqiptare është e angazhuar që ky proces i strehimit të përfundojë sa më shpejt ndërsa ka avancuar me rindërtimin e shumë objekteve arsimore. Nga ana tjetër në buxhetin e vitit 2022 qeveria ka shtuar bonusin e qirasë për strehimin e familjeve. Kryeministri Rama është zotuar se viti 2022 do të jetë viti i zhdukjes së çdo gjurme nga tërmeti dhe përfundimi i objekteve kryesore të rindërtuara.
Eda Merepeza