Quhet minierë urbane (urban mining) dhe është kufiri i fundit i riciklimit efektiv të mbetjeve elektronike, falë përdorimit të teknologjive të ndryshme, të gjitha metalet e çmuara që përmbahen brenda tyre rikuperohen nga telefonat inteligjentë, kompjuterët, televizorët dhe pajisjet e ndryshme. Ari, bakri, argjendi por edhe paladiumi dhe rodiumi përdoret për ndërtimin e pllakave elektronike dhe mikroprocesorëve. Megjithatë, këto janë procese të gjata, të shtrenjta që kërkojnë sasi të konsiderueshme energjie, deri në atë pikë sa nuk janë shumë fitimprurëse për ata që i përkushtohen.
Mbetjet elektronike(VCG)
Zbulimi i fundit nga një ekip studiuesish në universitetin “Rice”, rezultatet e studimit të të cilëve janë publikuar në revistën “Nature”, mund t'i bëjë këto procese më të aksesueshme. Bing Deng dhe bashkëpunëtorët e tij përshtatën një proces industrial të njohur si "flash Joule heating", e përdorur zakonisht për prodhimin e grafenit dhe materialeve të tjera super të hollë.
Materiali që do të riciklohet, pasi të bëhet pluhur, çohet menjëherë në një temperaturë prej 3142 gradë celsius (3400 Kelvin) falë një shkarkimi elektrik veçanërisht intensiv. Në këtë temperaturë metalet avullohen dhe thithen deri në një dhomë kondensimi ku ftohen dhe ngurtësohen përsëri. Materialet e ndryshme më pas ndahen dhe rikuperohen përmes proceseve të zakonshme industriale.
Ky proces, i cili konsumon relativisht pak energji, lejon gjithashtu që metalet toksike si plumbi, arseniku, kadmiumi dhe merkuri, të cilat zakonisht janë të vështira për t'u ndarë, të rikuperohen dhe të asgjësohen siç duhet.
Ajo që mbetet pas avullimit është një material inert, me përqindje shumë të ulët të substancave toksike. Pas një cikli avullimi, përqendrimi i plumbit në materialin që rezulton ishte më pak se 0.05 pjesë për milion, një nivel që konsiderohet i sigurt në tokat e përdorura në bujqësi.
Kjo teknologji, pasi efektiviteti i saj të verifikohet në shkallë industriale, mund të përfaqësojë një alternativë të vlefshme për nxjerrjen tradicionale të metaleve nga thellësitë e tokës ose oqeaneve. Sipas vlerësimeve, më shumë se 40 milionë tonë mbetje elektronike përfundojnë në landfille çdo vit dhe vetëm 20% e tyre riciklohen.
Mbetjet elektronike(VCG)
Rikuperimi i metaleve nga telefonat inteligjentë dhe pajisjet e tjera elektronike është punë e vështirë, e ndërlikuar dhe me shumë implikime etike. Mbetjet elektronike (e-waste) synohet të rriten dhe vlerësohet se në vitin 2030 mund të arrijnë në 75 milionë tonë në vit globalisht.
Problemi amplifikohet nga fakti se në botë më pak se 20% e mbetjeve elektronike riciklohen. Pjesa më e madhe e asaj që nuk riciklohet përfundon në vendgrumbullime të hapura në Afrikë ose Azi, ku banorët intoksiokohen duke djegur dhe shkrirë në acid qarqet e kompjuterëve të vjetër dhe telefonave inteligjentë për të nxjerrë metalet e çmuara.
Në këtë tablo të zymtë humanitare dhe mjedisore përshtatet një studim i publikuar në “Materials Horizons”, në të cilin paraqitet një teknologji e re për nxjerrjen e metaleve të çmuara nga mbetjet elektronike. Nëpërmjet një procesi oksidimi të kontrolluar, i cili shfrytëzon reaksionin e ndryshëm të përbërësve, sistemi lejon ndarjen e metaleve që ndodhen brenda qarqeve. Procesi duket të jetë ekonomik dhe mund të kryhet në temperatura relativisht të ulëta, midis 270 dhe 370 gradë celsius.
Edhe pse sistemet e reja të pastrimit të metaleve shërbejnë për ta bërë më të lehtë dhe më të lirë asgjësimin e mbetjeve elektronike, hapi i parë duhet bërë nga ne, duke ricikluar në mënyrë korrekte atë që hedhim dhe duke e bërë këtë në mënyrë që mos të përfundojnë në zona të papërshtatshme.
Sa i rëndësishëm është riciklimi na e kujton Dita Botërore e Riciklimit, që këtë vit kishte temë “Heronjtë e riciklimit”, njerëz, vende apo aktivitete që tregojnë rëndësinë e rikuperimit të mbetjeve. Specialistët janë të bindur se çdokush mund dhe duhet të bëjë pjesën e tij, për të respektuar jo vetëm planetin, por edhe njerëzit që jetojnë në të.
Mbetjet elektronike(VCG)
Telefonat inteligjentë, tabletët, PC-të, kabllot e vjetër dhe pajisjet e vogla nga vendet e pasura evropiane shpesh kanë një fat të përbashkët, udhëtojnë mijëra kilometra për të mbërritur në një zonë në Ganë. Në këtë grumbullim urban që ngrihet në lagunën e Korles, një territor i rrafshët që përshkohet nga lumi Odaw, ndodhet vendgrumbullimi më i madh i mbetjeve elektronike në Afrikë, një kantier pa kufi në ajër të hapur ku për 4 dollarë në ditë, banorët e zonës ngjitur përpunojë këto mbetjet elektronike.
Vlerësohet se deri tani në këtë zonë kanë përfunduar më shumë se 250 milionë tonë mbetje elektronike, 85% e të cilave vijnë nga Evropa përmes rrugëve kryesisht të paligjshme. Në vitin 2009, rreth 215.000 tonë mbeturina të tilla në vit mbërritën në Ganë, afërsisht rreth 9 kg mbetje për çdo banor.
Dhe pse Konventa e Bazelit për Kontrollin e Lëvizjeve Ndërkufitare të Mbetjeve të Rrezikshme dhe Asgjësimin e tyre, e hyrë në fuqi në 1992, e përcakton trafikun ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme në vendet në zhvillim si kriminal, mbetjet elektronike vazhdojnë të shkojnë gjithsesi në Agbogbloshie, në Akra, në rrugë të ndryshme. Drafti parashikon një përjashtim për mbetjet elektronike që do të riparohen menjëherë pas mbërritjes dhe mjafton që ato të klasifikohen si "elektronikë të dorës së dytë" për t’u lejuar të hyjnë në vend.
Realiteti i Ganës ka përfunduar shumë herë në qendër të vëmendjes mediatike për shkak të ndikimit që ka landfilli te njerëzit që mbështeten në këtë formë jetese. Një artikull i botuar në “Wired UK” përshkruan efektet shëndetësore të personave që merren me djegie dhe sidomos të një mali plastike, për të rikuperuar kabllot metalike të çmuara dhe qarqet brenda tyre, ose që thyejnë monitorët e ekranit me prekje me gurë dhe çekiç, për të marrë bakrin, arin, çelikun dhe aluminin.
Tymi i zi i gomës dhe platikës së djegur përshkon ajrin e kësaj zone në Ganë, ditë e natë, duke shkaktuar probleme shëndetësore, si dhembje kraharori dhe gjymtyrësh, çrregullime të stomakut dhe të mëlçisë, sëmundje të frymëmarrjes dhe lëkurës, probleme kardiovaskulare dhe çrregullime neurologjike. Mbi të gjitha janë një rrezik i madh për sëmundje kancerogjene, abortet, vdekjet neonatale dhe sëmundjet e lindura, për familjet që jetojnë pranë landfillit.
Mbetjet elektronike(VCG)
Tymi në përqendrime të larta të dioksinave, litiumit, kadmiumit, kromit, plumbit dhe merkurit jo vetëm që thithen, por përfundojnë duke ndotur ujin dhe tokën dhe me to ushqimin. Sipas agjencisë joqeveritare “Basel Action Network” (BAN), në një studim të kryer në lidhje me eksportet e mbetjeve toksike elektronike, vetëm në një vezë pule midis pulave të rritura rreth zonës së landfillit do të kishte 220 herë më shumë dioksina të kloruruara dhe katër herë më shumë bifenile të poliklorinuara sesa sasia maksimale e tolerueshme e këtyre substancave të lejuara nga Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore. Këta ndotës mjedisorë shumë toksikë formohen në proceset e djegies dhe rrisin shumë rrezikun e prekjes nga kanceri dhe sëmundjet kronike.
Përgatiti: Irma Paloli