Temperaturat e rrjedhës së sipërme të Jancesë, lumi më i gjatë në Kinë, po rriten për shkak të ngrohjes globale, dhe qeveria kineze po merr masa të ndryshme për ta përballuar një gjë të tillë.
Vendburimi i lumit Jance, rrafshnaltë Qinghai-Tibet(VCG)
Studimet e fundit shkencore tregojnë se nga viti 1956 deri në vitin 2016, temperatura e rrjedhës së sipërme të lumit Jance është rritur me 0.346 gradë celsius në çdo dekadë, rreth 1.4 herë më shumë se niveli i ngrohjes së Kinës dhe dy herë më shumë se niveli global.
Ekspertët thonë se rritja e temperaturës do të ketë një sërë ndikimesh mbi mjedisin ekologjik unik të kësaj zone, gjë që kërkon vëmendje globale dhe masa të përbashkëta për përballimin e ndryshimit të klimës.
Rrjedha e sipërme e lumit Jance gjendet në rrafshnaltën Qinghai-Tibet, me një lartësi mesatare prej më shumë se 4500 metrash mbi nivelin e detit. Rrafshnalta, që njihet si “çatia e botës”, është edhe vendburimi i Lumit të Verdhë, lumi i dytë më i gjatë i Kinës, dhe i lumit Lancang (që quhet Mekong pasi del jashtë Kinës në Azinë Juglindore).
Kështu, zona e burimit të këtyre tre lumenjve vlerësohet si “kulla e ujit e Azisë”, që ofron ujë për gati 3 miliardë njerëz.
Sipas një studimi të Institutit të Kërkimeve Shkencore të Lumit Changjiang (Jance), temperatura në rrjedhën e sipërme të lumit Jance ka pasur prirje rritjeje prej dekadash, sidomos në 20 vjetët e fundit.
Temperatura mesatare vjetore në këtë zonë në dekadën e kaluar u rrit 1.4 gradë celsius në krahasim me 40 vjet më parë.
“Zonat e ftohta në lartësi të madhe si ato ku ndodhet rrjedha e sipërme e lumit Jance janë më të ndjeshme ndaj rritjes së temperaturës”, tha Yuan Zhe, pjesëmarrës në këtë studim.
Ndërsa Xu Ping, zv.kryeinxhinier i Institutit, thekson: “Rritja e shpejtë e temperaturës në rrjedhën e sipërme të lumit Jance shkaktohet kryesisht nga ndryshimi i përgjithshëm klimatik në rrafshnaltën Qinghai-Tibet, si edhe shtimi i shkarkimeve globale të dioksidit të karbonit dhe i efektit serrë.”
Studiuesit zbuluan gjithashtu se shpejtimi i ngrohjes së zonës së rrjedhës së sipërme të lumit Jance, ndikon edhe në ekologjinë e rrafshnaltës.
Vendburimi i lumit Jance, rrafshnaltë Qinghai-Tibet(VCG)
Në një lartësi prej mbi 5000 metrash mbi nivelin e detit, akullnaja Dongkemadi ndodhet në burimin e një nëndege të lumit Jance.
“Akullnaja Dongkemadi u zvogëlua me mbi 200 metra në më shumë se 10 vjetë. Në vitin 2009 ajo u nda në dy akullnaja të vogla”, shprehet He Xiaobo, studiues në Institutin Veriperëndimor për Mjedisin Ekologjik dhe Burimet pranë Akademisë Kineze së Shkencave, i cili e ka vëzhguar këtë akullnajë që nga viti 2005.
Vetëm vjet këto dy akullnaja u zvogëluan përkatësisht 10.1 dhe 15.7 metra.
Përveç degradimit të akullnajave, gjelbërimi në këtë zonë gjithashtu është ndikuar drejtpërdrejt për shkak të rritjes së temperaturës.
Studiuesit u shprehën se akullnajat mund të mos “shërohen” kurrë para se të zhduken plotësisht, kur temperatura të kalojë një kufi të caktuar në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë. Në të njëjtën kohë, struktura e bimësisë mund të dëmtohet, duke sjellë një sërë rreziqesh ekologjike për gjithë rrafshnaltën, si shkretëtirëzimi i stepës, gërryerja e dheut, pakësimi i bimëve dhe i kafshëve, si edhe përkeqësimi ekologjik.
Për të përballuar rritjen e temperaturës në rrjedhën e sipërme të lumit Jance dhe rrafshnaltën Qinghai-Tibet, Kina ka marrë një sërë masash, si mbrojtja dhe restaurimi i mjedisit ekologjik dhe kufizimi i prodhimit e i aktiviteteve njerëzore që mund të dëmtojnë mjedisin ekologjik.
Tani rreth 7000 barinj vendorë janë bërë rojtarë ekologjikë me financim shtetëror për të pakësuar ndikimin e kullotjes në ekologjinë e zonës, tha Tashi, zyrtar i komitetit të menaxhimit të zonës.
“Të gjitha aktivitetet e njeriut, si turizmi dhe shfrytëzimi i burimeve energjetike, janë ndaluar. Studimet shkencore dhe projektet ekologjike në këtë zonë duhet të kalojnë kontroll dhe shqyrtim të rreptë para zbatimit”, shtoi Tashi.
Në të njëjtë kohë, Kina po përshpejton arritjen e kulmit të shkarkimit të dioksidit të karbonit para fundit të vitit 2030 dhe asnjanësimin e karbonit brenda vitit 2060.
Vendburimi i lumit Jance, rrafshnaltë Qinghai-Tibet(VCG)
Kina tani është investitorja më e madhe në botë në energjitë e përtëritshme, duke zënë 30 % të vëllimit global të investimeve në këtë drejtim çdo vit që prej 2015-s.
Në gjashtëmujorin e parë të sivjetshëm, kapaciteti i prodhimit të energjisë së përtëritshme në Kinë u shtua në mënyrë të dukshme, me rritje 20 % të prodhimit të energjisë fotovoltaike dhe 10.9% të energjisë së erës në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Arsyesja thelbësore e shpejtimit të rritjes së temperaturës në këtë zonë është ngrohja globale. Prandaj, frenimi i kësaj prirjeje nuk është përgjegjësi për një rajon a një vend, por një mision që kërkon pjesëmarrjen dhe përpjekjet e gjithë botës”, thotë Hu Jiajun zv.drejtor i Komisionit të Burimeve Ujore të Lumit Jance pranë Ministrisë së Burimeve Ujore.(Zhang Yan/Artan)