Njomza Kastrati është një e re shqiptare, e cila studimet e para të ciklit të lartë i kreu për ekonomi në vend, ku dhe punoi si ndihmës financiere.
Prej tre vitesh ajo jeton dhe studion në Londër ku ka hapur një zyrë konsulence të quajtur “Romi Consulting”, për t’u ardhur në ndihmë studentëve nga e gjithë bota në Britaninë e Madhe.
CMG : Kush jeni ju përballë të njohurve dhe të panjohurve?
Njomza Kastrati (Facebook)
Njomza Kastrati: Unë jam Njomza Kastrati. Kam lindur në Has dhe jam rritur në Tiranë. Tre vitet e fundit jam zhvendosur në Londër, fillimisht si studente dhe më pas për të punuar. Tani jam financiere dhe do të doja që këtë eksperiencë ta ndaja me të gjithë ata që po na ndjekin dhe kanë interes për të zhvilluar studimet në Britaninë e Madhe.
Kam kryer studimet në Tiranë në Fakultetin e Ekonomisë, ndërsa gjatë masterit kam punuar si ndihmëse financiere.
Pavarësisht se unë në Shqipëri kisha një punë dhe profesion shumë të mire, sërish prisja shumë nga vetja. Gjithnjë kam qenë e vendosur dhe i arrij synimet. Synimi ishte që të zhvendosesha këtu dhe ia dola.
CMG: Cilat kanë qenë vitet më të bukura të jetës suaj?
Njomza Kastrati: Vitet më të bukura janë këto 3 vitet e fundit, që jetoj këtu. Kam studiuar dhe punuar njëkohësisht dhe nuk më ka munguar në asnjë moment vullneti, ndaj dhe jam këtu ku jam sot me plot energji.
CMG: I vendosni vetes shpesh objektiva?
Njomza Kastrati: Me ndryshimin e moshës dhe objektivat ndryshojnë, por fatmirësisht unë gjithnjë i kam vendosur vetes objektiva qëkurse kam qene fëmijë Nuk më ka pëlqyer jeta monotone. Pavarësisht se këto objektiva shpesh ndryshojnë dhe nuk zgjasin, por kam një objektiv që kurrë nuk është ndryshuar, pavarësisht viteve " Të bëj një karrierë të mirë dhe të ndikoj tek njerëzit pozitivisht ".
CMG : A i planifikojmë dot ngjarjet?
Njomza Kastrati me miqtë në Londër (Facebook)
Njomza Kastrati: Jo, sepse jeta është e paparashikueshme. Kurrë nuk e mendoja që një ditë unë do të vija dhe do të punoja këtu dhe do të ndihmoja komunitetin shqiptar këtu. Por ja që gjërat ndryshojnë dhe sado që të përpiqemi ne nuk mundemi që t’i planifikojmë ato.
Më vjen keq që këtu jam përballur me një fenomen që e njohin edhe shumë shqiptare të tjerë. Djem dhe vajza që zgjedhin rrugën ilegale për të mbërritur në Londër dhe në fund pendohen sepse mund të kishin gjetur një formë tjetër.
CMG: Çfarë do të thotë të emigrosh në Angli?
Njomza Kastrati: Në etapat që unë kam kaluar nuk ka qenë e thjeshtë, por jo e vështirë në atë masë që shumica e konsideron. E shohin si diçka tepër tepër të pamundur që të mund të vijnë në Angli nëpërmjet punësimit apo studimit, por unë e kalova vetë këtë proces ndaj edhe dua që t'ua them që nuk ishte kaq e vështirë sa flitet.
Një ndër personat që mendonin se është e pamundur isha dhe unë, por jo. Shfaqet e pamundur sepse njerëzit janë egoiste dhe nuk e ndajnë procedurën me të tjeret dhe nuk lumturohen nëse edhe dikush tjetër arrin aty ku ai është. Mos hiqni dorë kurrë, sepse nuk është edhe aq e pamundur.
CMG: Na rrëfeni më tepër rreth motivit gjatë procesit?
Njomza Kastrati: Unë jam inspiruar nga njerëzit e tjerë, nga ata njerëz që kanë kaluar në rrugën ku kaloj edhe kam mësuar prej tyre që nga durimi arrihet dhe suksesi. Nuk ka sukses brenda natës.
CMG: Këshilla që ja drejton vetes?
Njomza Kastrati: Ja them shpesh vetes që të mos heq dorë dhe të kem këmbëngulje. "Edhe nëse bie 7 herë, ngrihu 8!", kjo është e rëndësishme për t'ia rikujtuar vetes.
CMG: Fati apo puna, cila na udhëheq?
Njomza Kastrati: Kam parë njerëz që punojnë shumë dhe nuk kanë fatin dhe kam parë njerëz që kanë fatin dhe nuk punojnë. Unë kam pasur një mbështetje të madhe edhe nga familja. Arsyeja që unë jam këtu ka qenë vëllai im, ndaj dhe qendrën e konsulences e kam hapur në emrin "Romi Consulting", sepse ka qenë ai që më ka suportuar tepër.
Njomza Kastrati Foto nga Fcaebook
CMG: A ka një ditë perfekte?
Njomza Kastrati: Kjo është shumë relative. Një ditë e mirë është një ditë kur ti nuk ke lënduar njeri. Është një ditë kur nuk e ke çuar dëm, duke mos bërë diçka të dobishme. Është një ditë kur ke bere dikë të ndihet mirë dhe nuk e ke çuar kohën dëm.
CMG: A e planifikon të ardhmen?
Njomza Kastrati: E shoh në Londër! Punoj çdo ditë fort. Momentalisht po punoj për një projekt që do ketë impakt tek shqiptarët e Londrës. Unë po punoj që të kem mundësi të ngrej karrierën time këtu.
CMG: Si është të jetosh në Londër?
Njomza Kastrati: Nje vend që i tregon çdo të riu se nëse ke vullnet dhe ambicie, ky vend të mirëpret.
CMG: Çfarë ofroni nëpërmjet “Romi Consulting?”
Njomza Kastrati: Synimi im është të ofroj konsulence për disa vende njëkohësisht, siç mund të jetë Turqia, Kina, Arabia Saudite dhe kudo.
Kam parë që ka një trend në rritje me kërkesa. Shumica e studentëve kërkojnë të dinë më tepër rreth aplikimeve të ndryshme në Turqi dhe Kinë. Është zgjedhur zyra ime sepse kam pasur një rrjet me miq në universitet, në Londër. Mundësia më e mirë që të ofrohet në këtë vend është të njohësh kultura të ndryshme dhe të ndërtosh shoqëri me studentë nga e gjjthe bota.
CMG: Cili do të ishte sipas jush rasti i suksesit?
Njomza Kastrati: Do të doja ta ndaja këtë rast suksesi me ju. Një nga studentet që ka fituar vizën së bashku me djalin e saj 2-vjeçar.
Studenti ka të drejtë të marrë me vete fëmijët dhe partnerin. Studentët kanë të drejtë të punojnë 20-ore në javë, ndërsa partneri full time dhe fëmija të arsimohet.
CMG:Çfarë të bën përshtypje në Londër?
Njomza Kastrati: Kultura është e një niveli të lartë. Çdo gjë të ben përshtypje, por edukata e tyre qëndron në majë të piramidës. Arrin të bësh një diferencë nga vendet e tjera lehtësisht.
CMG: A mund ta përfundojmë fjalinë bashkë: Mbaj mend kur...
Njomza Kastrati: Mbaj mend kur nisa punë për herë të parë në Londër dhe më bënte përshtypje sjellja e shefes sime, e cila kurrë nuk më thoshte “bëje këtë gjë”, por “a mund ta bësh këtë gjë?”. Një ditë e pyeta pse më thoni “faleminderit!” për çdo gjë, unë paguhem për këtë punë. Ndërsa një mësim që kam nxjerrë nga një pedagog ka qenë i fuqishëm për jetën time...
Kurrë mos nënvlerësoni dikë thoshte ai, sepse një ditë " vetëm me pak fat" dhe ai mund të bëhet dikushi. Më pëlqen që këtu vlerësohet barazia,
Intervistoi:Megi Latifi