Ngjyra e vjeshtës(VCG)
Ngjyrat e vjeshtës janë një nga manifestimet më të pabesueshme të bukurisë së natyrës. Ndryshimi në ngjyrën e gjetheve të pemëve që përgatiten për dimrin, është një proces delikat, i cili ndikohet nga ndryshimet e panatyrshme klimaterike dhe ndërhyrjet njerëzore. Në një artikull në “The Conversation”, eksperti amerikan i mjedisit, Marc Abrams, shpjegon pse kalimi nga e gjelbra verore në të verdhën/të kuqen e vjeshtës po vonohet gjithnjë e më shumë.
Në bazë është ndryshimi i klimës i shkaktuar nga aktivitetet njerëzore me rritjen e emetimeve të dyoksidit të karbonit (CO2) dhe gazeve të tjera serrë. Për shkak të rritjes së CO2, reshjeve dhe nxehtësisë në një rajon të caktuar, bimët rriten shumë më tepër. Nivelet e larta të dyoksidit të karbonit në atmosferë kontribuojnë në rritjen e tepërt të pemëve. Karboni ushqen fotosintezën e klorofilit, një proces biokimik që lejon bimët të ushqehen dhe të rriten. “Megjithatë, ekzistojnë kufij natyrorë brenda të cilëve bimët mund të kryejnë fotosintezën”, -shpjegon Abrams, duke shtuar se me rritjen e përqendrimit të CO2 në atmosferë, aftësia e bimëve për ta përdorur atë zvogëlohet, fenomen i njohur si ngopja me CO2.
E gjithë kjo ndikon te gjethet, gjë që vihet re në fund të sezonit të rritjes së bimëve, kur ato ndalojnë së prodhuari klorofilin, i cili ngjyros gjethet jeshile, bimët marrin ngjyrë portokalli, të verdhë dhe të kuqe falë pranisë së pigmenteve natyrore (karotenoideve, ksantofili dhe antocianin). Nëse periudha e rritjes zgjatet, shtyhet edhe periudha e ndryshimit të ngjyrës, gjë që tani, për shembull, në zonën verilindore të Shteteve të Bashkuara fillon 10-14 ditë më vonë se zakonisht.
Rritja e reshjeve dhe nxehtësisë, ndër të tjera, favorizon edhe migrimin e disa llojeve të pemëve në veri dhe perëndim. Kështu ndodh, për shembull, me panjën (Acer saccharum), e cila po lëviz gjithnjë e më shumë drejt Kanadasë veriore. “Për të ndaluar ndryshimin e klimës është e nevojshme të rritet biodiversiteti i pyjeve, duke përdorur pemë që përshtaten mirë, jetojnë gjatë, prodhojnë fara dhe migrojnë me kalimin e kohës”, -tha Abrams, i cili thekson rëndësinë e ridizajnimit të pyjeve të zonës lindore, për t'iu përshtatur një klime të re.
Ngjyrat e vjeshtës në Kinë (China Daily)
Në përgjigje të rritjes së dyoksidit të karbonit në atmosferë, bimët kanë një reagim kurioz: ato rrisin trashësinë e gjetheve deri në një të tretën, duke ndryshuar raportin e masës me sipërfaqen e gjelbër dhe në fakt duke ndryshuar një sërë procesesh kyçe, si p.sh. fotosinteza, avullimi, shkëmbimi i gazit, ruajtja e sheqernave.
Vitet e fundit, ky proces është vërejtur në shumicën e bimëve që operojnë fiksimin e karbonit, pra përfshirjen e karbonit të CO2 atmosferik në sheqerna të dobishme për bimën, një nga fazat vendimtare të fotosintezës së klorofilit. Gjethet e bimëve drunore trashen si dhe ato të kulturave bazë, megjithatë, deri më tani, askush nuk kishte shkuar aq larg sa të hetonte pasojat e këtij fenomeni fiziologjik në klimën globale.
Dy studiues të Universitetit të Uashingtonit e kanë përfshirë këtë informacion në modelet globale të klimës, që marrin parasysh rritjen e pritshme të CO2 deri në fund të shekullit. Është zbuluar se bimët me gjethe më të trasha do të ndikojnë negativisht në ngrohjen globale, sepse ato janë më pak efikase në sekuestrimin e karbonit atmosferik. Zbulimi është përshkruar në revistën shkencore “Global Biogeochemical Cycles”.
Aktualisht, përqendrimi i dyoksidit të karbonit në atmosferë është mbi 410 pjesë për milion (ppm). Nëse vazhdojmë kështu, mund të arrijë në 900 pjesë për milion deri në fund të shekullit. Në simulimin e tyre, Abigail Swann dhe Marlies Kovenock, biologë të specializuar në shkencën atmosferike, megjithatë, mbajtën nivele disi më të kujdesshme të CO2, 710 pjesë për milion.
Megjithatë, kontributi i bimësisë në kapjen e dyoksidit të karbonit dukej më pak i rëndësishëm sesa pritej. Në këtë skenar, në fakt, 6.39 miliardë tonë më shumë karbon do të mbetej në ajrin që thithim çdo vit. Një nivel që nuk ndryshon shumë nga ai i karbonit që çlirohet në atmosferë çdo vit nga lëndët djegëse fosile (8.8 miliardë tonë).
Ngjyrat e vjeshtës ne Qafështamë, Shqipëri (Oranews)
Simulimet tregojnë gjithashtu se temperaturat globale mund të rriten me 0.3-1.4 gradë celsius shtesë për shkak të këtij fenomeni. Bimët janë lojtarë vendimtarë në modulimin e shkëmbimeve të gazit atmosferik. Nëse ky parametër i vetëm, pra trashësia e gjetheve, ka një ndikim kaq të rëndësishëm, atëherë do të duhet të merren parasysh edhe elementë të tjerë të fiziologjisë së bimëve, nëse duam modele klimaterike gjithnjë e më të sakta.
Gjethet e gjelbra, në vjeshtë, bëhen të verdha, portokalli, të kuqe, kafe... Cila është arsyeja e këtij spektakli ngjyrash të natyrës? Sipas David Lee, i cili ka studiuar ngjyrën e gjetheve në Universitetin Ndërkombëtar të Floridës që nga viti 1973, ngjyra e një gjetheje është theksuese, si ngjyrat e pastelave në letër.
Në fakt, në qelizat e gjetheve ka karotenoide, pigmente kimike përgjegjëse për ngjyrën portokalli të karotave ose të verdhën e misrit, të cilat megjithatë mbeten të padukshme nën të gjelbrën e klorofilit, pigmenti kimik që kap energjinë e diellit.
Por, në vjeshtë, kur gjethet janë afër fundit të ciklit të tyre jetësor, klorofili zvogëlohet dhe ngjyra e verdhë-portokalli e karotinës dhe pigmenteve të tjera, të cilat zakonisht fshihen nga jeshilja e klorofilit, merr hov dhe shfaqet.
Bimët prodhojnë gjithashtu pigmente të tjera, “anthocianin” (nga greqishtja anthos = lule dhe kyàneos = blu), të cilat kanë një nuancë blu-të kuqërremtë dhe funksionin e mbrojtësit të diellit kundër disa rrezeve ultravjollcë. Ato janë gjithashtu përgjegjëse për ngjyrën blu të shumë frutave, të tilla si boronica. Kur klorofili dhe antocianinat ndërveprojnë, ngjyra e gjetheve mund të kthehet drejt bronzit. Në përqendrime mjaft të larta, antocianinet e bëjnë gjethen të duket pothuajse vjollcë, si te panjat japoneze.
Ngjyrat e gjetheve në vjeshtë(VCG)
Ndërsa, ngjyrat më gri të vjeshtës formohen kur gjethet janë plotësisht të vdekura, sepse ndodh degradimi i kloroplasteve (korpuskulat qelizore që përmbajnë klorofil).
Përgatiti: Irma Paloli