Anëtarësimi në Organizatën Botërore të Tregtisë në vitin 2001 është një çast vendimtar që i solli jo vetëm Kinës ndryshime, por edhe botës përfitime në saje të zhvillimit të ekonomisë së këtij vendi gjigant lindor.
Me kontributin e vet për 30% të rritjes së ekonomisë botërore dhe shtresën e mesme më të madhe në botë, Kina tani është partnere kryesore tregtare e mbi 120 vendeve e rajoneve të botës dhe partnerja më e madhe tregtare e Bashkimit Europian dhe e ASEAN-it.
Duke zgjeruar më tej hapjen e saj ndaj botës, ekonomia e Kinës është integruar më tej me atë të partnerëve. Tregtia e Kinës me ShBA-në është një shembull i mirë. Pavarësisht mosmarrëveshjeve tregtare në disa vitet e fundit dhe fjalëve të disa zyrtarëve amerikanë për “shkëputje prej Kinës”, lidhja midis dy ekonomive më të mëdha ka sidoqoftë shumë elemente të “varësisë së ndërsjellë”.
Të dhënat statistikore doganore tregojnë se në tetë muajt e parë të këtij viti, eksportet e Kinës në ShBA u rritën 22.7% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në nëntorin e vitit 2019, kur konflikti tregtar i nisur nga ShBA-ja shtoi shqetësimet për unilateralizëm dhe proteksionizëm, mbi 190 ndërmarrje amerikane morën pjesë në edicionin e dytë të Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE) në Shangai, duke zënë sipërfaqen më të madhe të ekspozimit. Ndër to ishin edhe shumë kompani të njohura, si GE, “Qualcomm” etj.
Vitin e kaluar, mbi 70 % e 500 kompanive më të suksesshme botërore dhe ndërmarrjeve udhëheqëse në fushat e tyre që morën pjesë në edicionin e dytë të CIIE-së, u paraqitën edhe në edicionin e tretë.
Sivjet, sipërfaqja e ekspozimit të CIIE-së u zgjerua në 366 mijë metra katrorë. Numri i pjesëmarrësve nga vende si ShBA-ja, Japonia, Gjermania, Franca, Britania e Madhe etj., është më i madh ose i njëjtë me edicionet e mëparshme. Ndërkohë, rreth 90 ndërmarrje nga 33 vendet më të pazhvilluara në botë po ekspozojnë produktet e tyre në tregun kinez.
Veprimet konkrete dhe përkushtimi i saj për zhvillimin gjithëpërfshirës global kanë dëshmuar se Kina është një anëtare e vlefshme e OBT-së.
Tejkalimi i premtimeve të dhëna OBT-së
Kina i ka tejkaluar premtimet që dha kur u anëtarësua në OBT, gjë që është vlerësuar nga disa drejtorë të përgjithshëm të OBT-së dhe është njohur nga pjesa dërrmuese e anëtarëve të tjerë të kësaj organizate.
Kina ka përmbushur të gjitha premtimet për të ulur tarifat e importit të mallrave deri në 9.8% nga 15.3% që ishin më parë. Tani përqindja e përgjithshme e taksave të importit është rreth 7.4 %, më e ulët se niveli i përcaktuar nga OBT-ja për vendet në zhvillim dhe afër atij për anëtarët e zhvilluar. Para fundit të janarit të vitit 2005, Kina ka pakësuar në mënyrë të dukshme barrierat jotarifore për tregtinë ndërkombëtare, duke hequr masat jotarifore për 424 kategori tarifore.
Në fushën e tregtisë së shërbimeve, Kina premtoi të hapte tregun e saj ndaj 100 nënsektorëve në nëntë kategori biznesesh para fundit të vitit 2007. Deri tani, Kina ka hapur gati 120 nënsektorë, 20 % më shumë sesa kishte premtuar.
Në të njëjtën kohë, Kina u ngjit në vendin e tretë për sa u përket investimeve të drejtpërdrejta vjetore jashtë vendit, nga vendi i 26-të që ishte kur u anëtarësua në OBT 20 vjet më parë. Këto investime kanë nxitur përparimet teknologjike e zhvillimin ekonomik të vendeve destinacion, dhe kanë përmirësuar mirëqenien e banorëve vendorë nëpërmjet krijimit të një numri të madh të vendeve të punës.
Veprimet e Kinës kanë shfaqur gatishmërinë e saj për të mbështetur vendet në zhvillim. Vitet e fundit, Kina është tregu më i madh i eksportit për vendet më të pazhvilluara, duke thithur 1/5 të eksporteve të këtyre vendeve.
Synimi për një lulëzim të përbashkët
Ndërsa i kushton forca zhvillimit të vet, Kina nuk ngurron të ofrojë produkte publike për të nxitur zhvillimin global.
Për shembull, nisma “Një brez, një rrugë”, është bërë platforma më e madhe e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe produkti më i mirëpritur publik global në tetë vjetët e kaluar. Brenda kësaj kornize, janë nënshkruar mbi 200 marrëveshje bashkëpunimi midis Kinës dhe mbi 170 vendeve e organizatave ndërkombëtare.
Pavarësisht ngritjes së zërave të proteksionizmit, Kina gjithmonë luan një rol aktiv në ndërtimin e platformave të bashkëpunimit të hapur, duke përfshirë Panairin Ndërkombëtar të Tregtisë së Shërbimeve, Ekspozitën Ndërkombëtare të Produkteve të Konsumit, si dhe CIIE, të cilat i kanë shtuar gjallërinë rimëkëmbjes së ekonomisë globale.
Kina po hap më gjerë derën e saj, duke u zotuar të ulë më tej taksat ndaj investitorëve të huaj, duke përpiluar listën e parë negative për tregtinë e shërbimeve dhe duke shtuar më tej numrin e industrive ku nxit pjesëmarrjen e investimeve të huaja.
Shumë kompani të huaja kanë përfituar nga zhvillimi i Kinës dhe kanë treguar besim te tregu kinez. Për shembull, “Tesla” ka marrë vendimin ta shndërrojë gigafabrikën e vet të Shangait në qendrën parësore të eksportit pasi krijoi këtu fabrikën e parë jashtë ShBA-së para dy vjetësh.
Sfidave si çglobalizimi, pandemia dhe ndryshime klimatike që e kanë futur botën në një pikë kthese zhvillimi, Kina u është përgjigjur duke praktikuar multilateralizmin, duke forcuar bashkërendimin e politikave makroekonomike dhe duke bërë thirrje për politika të përgjegjshme të ekonomive të përparuara, për të shmangur ndikimet negative ndaj vendeve në zhvillim.
Lideri kinez ritheksoi në fjalimin e mbajtur në samitin e G20-të në Romë se Kina do të realizojë kulmin e shkarkimit të dioksidit të karbonit para fundit të vitit 2030 dhe asnjanësimin e karbonit brenda vitit 2060. Ai u bëri thërrje homologëve nga vende të zhvilluara të vënë në jetë premtimet e tyre ndaj vendeve në zhvillim për të përballur ndryshimet klimatike. Nga Kina, një ndërtuese e paqes botërore, kontribuuese e lulëzimit global dhe mbrojtëse e multilateralizimit, ka gjithmonë pritshmëri të mëdha.(Foto:VCG)