Një studim i botuar në “Nature Communications” tregon se shumë nga lumenjtë më të mëdhenj në planet po pësojnë ndryshime të rëndësishme në përbërjen e tyre kimike, mbi të gjitha, për shkak të aktiviteteve njerëzore. Në veçanti, studimi nxjerr në pah një rritje të niveleve të elementeve si kalciumi, kaliumi, kloruret dhe bikarbonatet, të gjitha substanca që më pas përfundojnë në oqeane, duke i ndryshuar edhe këto të fundit.
Ndotja e lumenjve prej aktiviteteve njerëzore (Foto Google)
Në hapësirën e gati një dekade, një grup ndërkombëtar studiuesish ka krijuar një bazë të dhënash globale të rrjedhjes dhe përqendrimit të këtyre substancave, të dhëna që për disa elementë shtrihen më shumë se një shekull, për rreth 150 lumenj të mëdhenj, domethënë që kanë një pellg të grumbullimit të ujit që tejkalon 1000 kilometra katrorë.
Ndër to janë edhe Kolorado dhe Misisipi në SHBA, Amazona në Amerikën e Jugut, Kongo në Afrikë, Reni në Evropë, lumi i Verdhë dhe Yangtze-ja në Kinë dhe “Murray” në Australi.
Në studim thuhet se një analizë e detajuar e këtyre të dhënave tregon se vetëm në dekadën e fundit ka pasur rritje të ndjeshme të prurjeve totale nga lumenjtë në oqeane; të klorureve me +81%, natriumit me +86% dhe sulfateve me +142%; dhe kjo vlen për të gjithë lumenjtë në planet, jo vetëm për ata të studiuar në detaje.
Duhet të theksohet gjithashtu se ujërat e lumenjve nuk ndryshojnë të gjithë në të njëjtën mënyrë. Për shembull, jo të gjithë tregojnë një rritje të acidifikimit. Në të vërtetë, për disa ka vetëm tendencë të kundërt, sepse gjithçka varet nga aktivitetet e njeriut në brendësi të baseneve ujore.
Ndryshimet janë gjetur veçanërisht midis rajoneve polare dhe tropikale, ku urbanizimi dhe bujqësia janë më intensive. Megjithatë ndryshime të forta, në veçanti acidifikimi, janë gjetur gjithashtu në rajonet ekuatoriale. Me rreth 6400 milionë tonë kimikate të ndryshme që arrijnë në dete çdo vit nga lumenjtë, ndryshimet e shkaktuara mund të çojnë vetëm në pasoja të dëmshme për njerëzit dhe ekosistemet.
Ndotja e lumenjve prej aktiviteteve njerëzore(VCG)
Studimi, i cili është rezultat i gati një dekade kërkimi të përbashkët nga akademikë nga universitetet kineze, amerikane dhe britanike, gjurmoi në mënyrë specifike proceset që lidhen me bujqësinë, minierat dhe digat kryesore. Këto aktivitete çuan në shtatë ndryshime të thella, të quajtura sindroma lumore: kripëzim, mineralizim, shkripëzimi, acidifikimi, alkalinizimi, ngurtësimi dhe zbutja.
Për studiuesin Alistair Borthwick, nga Universiteti i Edinburgut, në Mbretërinë e Bashkuar, lumenjtë kanë një rëndësi të madhe për qëndrueshmërinë e planetit dhe ata më të mëdhenjtë janë përgjegjës për transportimin e sasive të mëdha të materialeve të ndryshme, nga sedimentet te peshqit.
“Studimi ynë jep një mesazh të thjeshtë, nevojiten masa urgjente për të mbrojtur lumenjtë nga shtimi i substancave që ndryshojnë. Ne kemi gjetur sindroma të induktuara pothuajse në të gjithë lumenjtë kryesorë të Tokës dhe me siguri mund të themi se shkaktarët kryesorë janë aktivitetet njerëzore të lidhura mbi të gjitha me ujitjen dhe urbanizimin”, -theksoi Borthwick.
Sa i përket masave lehtësuese, ato u besohen vendimmarrësve politikë. Sipas studiuesve, vetëm ata mund të udhëheqin zgjedhjet që lidhen me aktivitetet njerëzore dhe vetëm ata mund t'i zbatojnë ato.
Një milion e dyqind mijë është numri i barrierave në lumenjtë evropianë, siç tregohet nga një studim i publikuar në revistën “Nature”. Barrierat nuk janë vetëm digat, por çdo strukturë që pengon rrjedhën natyrale të lumenjve.
Me një shpërndarje mesatare prej 0.74 barriera për kilometër lumë, askund tjetër në botë rrugët ujore nuk kanë kaq shumë ndërprerje. Vlerësimet e mëparshme treguan se numri i barrierave ishte sa gjysma aktuale.
Barrierat mbi lumenj (Foto Google)
Për Carlos Garcia de Leaniz, nga universiteti britanik “Swansea”, koordinator i projektit AMBER, në kuadër të të cilit u krye studimi, shumë nga këto barriera janë të vjetra dhe asgjësimi i tyre do të ishte një avantazh i madh për rizhvillimin e mjedisit. Studimi i përgjigjet nevojave të planifikimit të ri evropian të biodiversitetit, i cili synon të rilidhë 25.000 kilometra lumenj evropianë deri në vitin 2030.
Mjeti më i rëndësishëm i krijuar për studimin është atlasi i parë i barrierave lumore në të gjithë Evropën, i disponueshëm lirisht në internet dhe interaktiv. Krijimi i atlasit ishte një punë shumë komplekse, sepse nga bazat e ndryshme të të dhënave ekzistuese kishte 736.348 barriera, përfshirë 6000 diga të mëdha në 36 vende, të cilat më pas rezultuan të ishin 629.955 duke hequr ato të treguara dy herë në baza të ndryshme të dhënash.
Bazuar në anketat e kryera në terren, që përfshinin 147 lumenj evropianë për një total prej 2715 kilometrash të përshkuar, studiuesit gjetën 1583 barriera, 960 prej të cilave, ose rreth 61%, që mungojnë nga inventarët e mëparshëm.
Numri i barrierave të regjistruara në terren ishte mesatarisht 2.5 herë më i lartë se ai i treguar në bazat e të dhënave ekzistuese. Në këtë mënyrë, duke përdorur modele matematikore të zhvilluara “ad hoc”, studiuesit vlerësuan të paktën 1.2 milionë barriera lumore në 36 vende evropiane të marra në shqyrtim.
Në pjesën më të madhe, këto janë barriera të ndërtuara për të kontrolluar dhe devijuar rrjedhën e ujit, ose për të rritur nivelin e tij, ose janë ndërtuar për të stabilizuar shtretërit e lumenjve, si struktura artificiale, apo për të lejuar kalimet rrugore, si kanalet nëntokësore.
Evropa Qendrore ka numrin më të madh të digave, ndërsa lumenjtë relativisht jo të copëtuar gjenden në Ballkan, shtetet baltike dhe pjesë të Skandinavisë dhe Evropës Jugore.
Përgatiti: Irma Paloli