Foto: VCG
Nga 1 nëntori në Shqipëri ka nisur administrimi i dozës së tretë tëvaksinave anti-Covid, për të gjithë personat mbi 60 vjeç. Kjo vaksinë sipas ekspertëve rekomandohet të merret 6 muaj pas marrjes së dy dozave të para. Ka patur diskutime rreth llojit të vaksinës së tretë, apo siç quhet ndryshe “përforcuese” ose “booster”, por në një deklaratë për mediet, drejtoresha e ISHP, Albana Fico zbuloi se doza e tretë e vaksinës do të jetë e njëjtë me dy të parat.
“Do të aplikohet doza e tretë për të gjithë personat mbi 60 vjeç grupe risku jo më herët se 6 muaj pas dozës së dytë të vaksinës. Do të vijojë vaksinimi i adoleshentëve 16-18 vjeç, duke filluar nga data 1 nëntor dhe pa diskutim 12-15 vjeç, për fëmijët –grupe risku, me pëlqimin e prindërve”, u shpreh drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico.
Duke qartësuar llojin e vaksinës së tretë që do të administrohet Fico tha “Sa i përket personave të cilët kanë marrë një vaksinë të caktuar, doza e tretë do të jetë vaksina që ata kanë marrë. Dhe në të gjitha rastet me një udhëzim, ne jemi të qartë për të shpjeguar ku mund të kemi kombinime vaksinash”.
Në mbledhjen e fundit të Komitetit Teknik të Ekspertëve, drejtuesja e tij njëherësh zëvendësministre e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale Mira Rakacolli, e vuri theksin dhe te vaksinimi i fëmijëve mbi 16 vjeç.
“Ndërkohë në lidhje me vaksinimin, sugjerohet prioritet mbulimi i popullsisë me dozën e parë dhe të dytë për ata që nuk e kanë bërë. Ndërkohë qytetarët mbi 60 vjeç vendoset të bëjnë dozën e tretë jo më herët se 6 muaj pasi kanë bërë dozën e dytë, duke nisur nga data 1 nëntor i këtij viti. Fëmijët mbi 16 vjeç do të ftohen me konsensusin e prindërve dhe rekomandimin e mjekëve, duke nisur nga data 1 Nëntor. Fëmijët 12-15 vjeç që kanë sëmundje që lidhen me imunitet të ulët, ftohen gjithashtu të vaksinohen”, tha Zv.Ministrja Rakacolli.
Ekspertët janë duke rekomanduar një dozë të tretë vaksine, sepse sipas tyre mbas 6 muajsh titri antikorpeve dhe i mbrojtjeve duke qenë se nuk është imunitet natyral bie, atëherë që këto njerëz të kenë sëmundshmëri më të lehtë dhe probabilitet më të ulët për ngjarje fatale duhet të bëjnë dozën e tretë të imunizimit.
Komiteti Teknik i Ekspertëve ka rekomanduar një dozë të vetme vaksine edhe për moshat mbi 12 vjeç dhe sipas tyre duhet të përdoret vaksina Pfizer.
"Bëhet fjalë për të gjithë fëmijët që janë mbi moshën 12 vjeç, ne rekomandojmë forcërisht që të bëjnë vaksinën grupet e riskut, fëmijët që janë me imunosupresor, fëmijët të cilët vuajnë nga patologji të sistemit imunitar apo që janë me patologji të tjera që kompromentojnë sistemin imunitar. Këto do bëjnë një dozë të vetme dhe natyrisht qe duhet dhe aprovimi i prindërve për fëmijët që nuk kanë patologji",u shpreh një anëtare e Komitetit.
Shqipëria i bashkohet vendeve të shumta që kanë nisur të aplikojnë dozën e tretë të vaksinës, duke ulur njëkohësisht dhe moshën e cila deri tani ka qenë për ata mbi 18 vjeç.
Ndonëse ishte ndër vendet e para në Ballkan, që nisi vaksinimin, ritmi i këtij procesi ka rënë. Sipas të dhënave të “Our world in data”, një faqe e specializuar për statistikat, e së cilës i referohen dhe institucionet ndërkombëtare, Shqipëria rezulton të ketë mbetur e parafundit në rajon, sa i përket mbulimit vaksinal në raport me popullsinë e saj. Ajo lë pas vetëm Bosnjen, ndërsa Kosova e cila nisi shumë më vonë tani është në krye të listës.
Autoritetet shqiptare përllogarisin mbulimin vaksinal, mbi popullsinë mbi 18 vjeç, së cilës i lejohet vaksinimi. Deri më tani rezulton që të kenë marrë të dyja dozat gati 40 përqind e kësaj pjese të popullatës, ndërsa me një dozë, pak më shumë se 45 përqind e saj. Por edhe me këtë përllogaritje, pozicioni i saj në krahasim me vendet e tjera nuk është se ndryshon shumë.
Në vend situata e pandemisë prej gati tre javësh po qëndron thuajse në të njejtat nivele, pa ndonjë përmirësim të dukshëm. “Në Shqipëria incidenca dy javore është 222 për 100 mijë banorë, pra raste të reja të infektuara për 100 mijë banorë. Ka një rritje të rasteve aktive totale në këtë periudhe 6444 nga 6397 që i përkon shifrës 226 për 100 mijë banorë. Numri i bashkive të prekura është rritur dhe ka shkuar në 48”, deklaroi drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico.
Mesatarja ditore e shtrimeve në spital në harkun një javor, ka qenë 157 pacientë, ndërsa e atyre në gjendje të rëndë 20. Pozitiviteti mbetet po ashtu i lartë në mbi 13 përqind. Megjithatë sipas Komitetit të Ekspertëve nuk ka vend për ashpërsim të mëtejshëm të masave shtrënguese që janë në fuqi.
Eda Merepeza