Një punishte në Jingdezhen(VCG)
Jingdezhen, një qytet i vogël në provincën Anhui të Kinës Lindore, njihet si “kryeqendër” e porcelanit të Kinës. Në tregun botëror ai përfaqëson produktet më cilësore qeramike të vendit. Të dhënat doganore tregojnë se në tre tremujorët e parë të këtij viti, vlera e eksportit të porcelanit të prodhuar në Jingdezhen i kaloi 100 milionë dollarët amerikanë.
Historia e prodhimit të qeramikës në Jingdezhen është mbi 2000-vjeçare. Këtu ishin të përqendruara furrat për prodhimet qeramike për perandorët dhe zyrtarët, gjë që e çoi teknikën vendëse të prodhimit të porcelanit në një nivel më të lartë. Tani në Jingdezhen funksionojnë mbi 8300 ndërmarrje qeramike, ku punësohen mbi 9800 zejtarë, ndërsa 1/10 e banorëve vendorë merren me biznesin përkatës. Vitet e fundit Jingdezhen-i është bërë edhe qendra e realizimit të ëndrrës së më shumë se 5000 poçarëve të huaj.
Ekrem Yazici me artist kinez(Xinhua)
Para 12 vjetësh, kur Ekrem Yazici mbërriti në Jingdezhen pas një udhëtimi hekurudhor që zgjati 16 orë nga Shangai, ai zbuloi se qyteti që kishte pasur shumë dëshirë më parë për ta vizituar, ishte një vend ideal për të nisur jetën që ëndërronte.
“Arrita rreth orës 4 të mëngjesit dhe prita që të lindte dielli. Kur qyteti nisi “të zgjohej’, një pamje magjike u shtri para syve të mi: një kalimtar mbante një vazo të madhe bardheblu, ndërsa një tjetër një ngarkesë të rëndë me porcelane të bardha”, kujton artisti turk i qeramikës.
“Porcelani mund të shihet në çdo qoshe të qytetit. Pothuajse të gjithë njerëzit merren me të. Nëse ju pëlqen qeramika, këtu është parajsë”, shton 38-vjeçari.
Artistë në Jingdezhen(Xinhua)
Yazici mësoi së pari për Jingdezhenin në Muzeun e Pallatit Topkapi në Stamboll, ku hieroglifet kineze të fjalës “Jingdezhen” ishin gdhendur në një enë porcelani bardheblu, tipi më përfaqësues i qeramikës kineze që njihet nga të gjithë koleksionistët e artit në botë.
Yazici, që ishte duke studiuar për artin qeramik në universitet, mori një vendim të guximshëm pas diplomimit: të shkonte në Kinë. “Ndër 10 shokët e shoqet e mia të klasës, 9 vajtën në vende europiane. Unë kisha mësuar shumë për qeramikën perëndimore, por nuk dija si është ky art në vendlindjen e tij. Kështu që desha ta mbushja këtë zbrazëti”, rrëfen ai.
Pasi mbaroi një kurs gjuhe në Shangai, Yazici u zhvendos në Jingdezhen. Atje, ai provoi të ndërthurte modelet turke me porcelanin bardheblu kinez. “Rreth 70 % e veprave të mia janë të paidentifikueshme. Shpesh i postoj punimet e mia në ‘WeChat’ dhe ata që kanë interes, më kontaktojnë për të blerë”, tha ai.
Panairi i sivjetshëm i Qeramikës, Jingdezhen(Chinadaily)
Të dhënat statistikore tregojnë se në Jingdezhen tani jetojnë mbi 5000 artistë të huaj si Yazici. Çdo tetor, mijëra veta të përfshirë në industrinë e qeramikës vijnë këtu për të marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Qeramikës, për të gjetur mundësi bashkëpunimi dhe frymëzim.
Panairi i sivjetshëm u hap më 18 tetor. Në këtë edicion marrin pjesë mbi 800 ndërmarrje nga më shumë se 30 vende e rajone të botës, të cilat ekspozojnë në internet ose në vendin e organizimit produkte dhe teknologji të fundit.
Kamij Kami, një artiste franceze, ka qenë në Holandë, Britani dhe Zvicër para se të vendosej në Jingdezhen në vitin 2015. “Si ka mundësi të gjendet një qytet që merret plotësisht vetëm me një industri për mijëra vjet?”, e përshkruan Kamij dashurinë e saj për këtë qytet.
Kamij Kami shkëmben mendime me artistin kinez(Xinhua)
“Ishte e vështirë për mua të qëndroja në një vend për dy vjet. Por Jingdezhen-i është krejtësisht i ndryshëm. Erdha disa herë në Jingdezhen para se të vendosesha këtu, dhe, sa herë që largohesha, dukej sikur një forcë e madhe më tërhiqte të kthehesha”, thotë ajo.
Kamij, që është nga një qytet i vogël në jug të Francës, tani mund të flasë lirisht kinezisht dhe zotëron dy punishte në Jingdezhen. Ajo shpesh merr frymëzim nga përrallat kineze e i ndërthur me imagjinatë të stilit francez.
Porcelanit Tenmoku
Ndërsa, artistja japoneze Ayao Takayanagi dhe burri i saj kinez Wen Minxiong janë shumë të dhënë pas mjeshtërisë së lashtë kineze të prodhimit të porcelanit Tenmoku.
Tenmoku, i formuar gjatë dinastisë Song Jugor para rreth 900 vjetësh, përdor glazurë të zezë hekuri dhe të bardhë hiri, duke bërë që në sipërfaqen e produkteve ky dizenjim i veçantë të paraqitet pasi vihet në flakë.
Takayanagi u josh menjëherë me të parë një enë porcelani të Tenmokut në një muze të Japonisë. “Në të mund të shihje efektet e dritëhijes”, kujton ajo.
Në vitin 2013 çifti u zhvendos në Jingdezhen, i cili, sipas mendimit të tyre, është “vendi më i mirë për qeramikën”.
Guy Thompson prezanton produktet e tij(Xinhua)
“Jingdezhen-i u ofron rast të gjithë artistëve ndërkombëtarë të njihen me kulturën kineze, të shkëmbejnë mendime në një nivel ndërkombëtar dhe të pasurojnë përvojat e tyre kulturore,” tha artisti britanik Guy Thompson.
Shumica e zejtarëve të huaj në Jingdezhen përdorin internetin për të shitur punimet e tyre. Transmetimi i drejtpëdrejtë online është bërë një modë në këtë qytet.
Rruga e artit qeramik “Taoxichuan” ka mbi 2600 studio që zhvillojnë transmetim të drejtpërdrejtë në aplikacionin e përhapur “Douyin” (varianti kinez i “TikTok”-ut). Shitjet e tyre të sivjetshme i kaluan 311 milionë dollarët amerikanë deri në fund të shtatorit.
“Gjendem në një vend, ndërsa veprat e mia shkojnë në mbarë botën. Këtu ndiej kombinimin magjik të historisë mijëravjeçare me epokën moderne të internetit”, tha Kami.
“Jingdezhen është shumë përfshirës. Pavarësisht nëse je artist, dizenjues, biznesmen apo turist, nëse dëshiron të prodhosh një porcelan, qyteti mund të të ndihmojë ta vësh idenë tënde në jetë. Nuk ka një qytet tjetër që e shfaq vlerën e porcelanit në këtë mënyrë. Prandaj, po planifikoj të qëndroj këtu”, thotë Ryan Labar, një artist amerikan.