“Porta e BE-së” duket se më në fund po hapet për Shqipërinë. Javën e kaluar përfaqësuesi i Bashkimit Europian në Shqipëri, ambsadori Luigi Soreca i dorëzoi kryeministrit shqiptar Edi Rama progres-raportin e Komisionit Europian për ecurinë në rrugën e integrimit.
Duke marë progres-raportin në një konferencë të përbashkët për shtyp me ambasadorin Soreca, kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili kohët e fundit i ka shtuar kritikat ndaj zvarritjes së integrimit nga autoritetet e Unionit, u shpreh se raporti e vulos objektivisht se Shqipëria vjen nga një proces zgjedhor i padiskutueshëm në pikëpamje të përputhjes me standardet e OSE-së, se Shqipëria ka vazhduar të përparojë në reformat kyçe.
“Shqipëria i ka arritur rezultatet që duhet të arrinte në këtë faze. Është Bashkimi Europian që nuk po arrin rezultat. Është Këshilli Europian që e ka thënë se duhet të ulemi në tavolinë dhe nuk është gati të ulet në tavolinë. Pra në këtë rast është Bashkimi Europian që nuk po arrin rezultat dhe jo Shqipëria. Shqipëria ka arritur rezultatet dhe këto rezultate janë këtu, janë të rëndësishme këtu. Nëse ne vazhdojmë në të gjitha drejtimet të bëjmë përparim, këto nuk i bëjmë se do të shkojmë të marrim provimin atje, por që këto përparime të qëndrojnë këtu dhe Shqipëria të bëhet çdo ditë e më mire”, u shpreh kreu i qeverisë Rama.
Nga ana e tij edhe ambasadori i BE-së në Tiranë u duk gati i paduruar për dhënien e dritës jeshile për Shqipërinë nda ana e Unionit që përfaqëson. Ai theksoi se tashmë është koha që BE-ja të mbajë premtimin.
“Për hapat e mëtejshëm kam qenë i qartë se Shqipëria ka dhënë rezultate dhe tashmë është koha që Bashkimi Europian të mbajë premtimin e vet. Pra shtetet anëtare të lexojnë raportin dhe të gjejnë në të pikat e forta për të kaluar tashmë ato çeshtje dypalëshe që kanë mbetur dhe Shqipëria e Maqedonia e Veriut të ulen në atë tryezë në të cilën e meritojnë të ulen, sepse i kanë arritur të gjitha gjërat që janë kërkuar prej tyre”, tha ambasadori i BE-së, Soreca.
Të njejtin qëndrim ndaj BE-së lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë ka shprehur dhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla në konferencën e kryetarëve të parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, mbajtur ditët e fundit në Athinë.
“Si kryeparlamentare, por edhe si qytetare e njërit prej këtyre vendeve, dëshiroj të ngre shqetësimin se termi Ballkani Perëndimor, nga një term gjeografik, ka marrë sot një konotacion të qartë politik, disa herë edhe negativist. Dhe kjo ndodh ngaqë politikat e zgjerimit nuk kanë mundur të kapërcejnë dot pengesat e paragjykimet për vendet tona. Ne po mbajmë radhën para portave të BE-së, e cila duhej të ishte prej kohësh, edhe shtëpia e jonë. Duhet ta kuptojmë të gjithë se Ballkani Perëndimor është një vlerë e shtuar dhe jo një problem i shtuar i Bashkimit Evropian”, nënvizoi kryetarja e Kuvendit të Shqipërsë Lindita Nikolla.
Ka reaguar ndaj progres-raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë dhe ministrja e jashtme, Olta Xhaçka, e cila tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë hapjen e negociatave me Bashkimin Europian dhe se Brukseli duhet të mbajë premtimin dhënë ndaj këtyre vendeve.
“Ne jemi gati për të hedhur hapin e radhës në procesin e integrimit europian, ndajmë të njëjtin vlerësim me Komisionin Europian se vendet anëtare duhet të përmbyllin diskutimet e tyre pa vonesë dhe se konferencat e para ndërqeveritare me vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të zhvillohen sa më shpejt që të jete e mundur, duke përmbushur kështu një premtim të qartë që i është bërë vendeve tona nga BE. Çdo vonesë ka ndikim negativ ne besueshmërinë e Unionit”, tha kryediplomatja shqiptare Xhaçka.
Progres-raporti dhe Shqipëria
Në progres-raportin e Komisionit Europian vlerësohet, se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë plotësuar të gjitha kushtet për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në, si dhe përcaktohen edhe reformat prioritare për të ardhmen.
Komisioni Europian miratoi të martën e kaluar Paketën e Zgjerimit 2021 dhe vlerësoi situatën dhe progresin e arritur në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqi në proceset e tyre respektive drejt hyrjes në Bashkimin Europian.
Raporti, i cili përfshin periudhën një vjeçare qershor 2020-qershor 2021, konstaton se “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po vazhdojnë të plotësojnë kushtet për hapjen e negociatave të hyrjes në BE dhe të dyja vendet po përparojnë në mënyrë të qëndrueshme në rrugën e reformave të BE".
Shqipëria është vend kandidat për hyrje në BE që nga viti 2014. Në vitin 2018 KE lëshoi një rekomandim të pakushtëzuar për të hapur negociatat e pranimit. Pas dy vitesh, në mars 2020, Këshilli Europian miratoi vendimin për hapjen me Shqipërinë të negociatave të pranimit. Në maj të këtij viti KE informoi që Shqipëria i kishte plotësuar të gjitha kushtet para mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare të BE për hapjen e negociatave. Tashmë mbetet fundi i këtij viti si përcaktues i finishit të garës së Shqipërisë drejt integrimit europian .
Eda Merepeza