Loreta Vaso me nxënësit e saj (Facebook)
Covid 19 është një krizë globale e cila ka prekur jetën e çdo individi në botë. Pasojat e pandemisë janë të rënda për të gjithë, por në mënyrë të veçantë për fëmijët. Karantina dhe pasojat e saj janë ndjerë veçanërisht te më të vegjëlit, që e kanë patur të vështirë të kuptojnë këtë dukuri mbarëbotërore. Nga të dhënat e fundit të UNICEF-it shumë fëmijë në botë janë dëmtuar psikologjikisht nga vetizolimi gjatë pandemisë. Mjaft psikologë edhe në Shqipëri i kanë kushtuar vëmendje të veçantë kësaj teme, por barra kryesore për ruajtjen e fëmijëve nga pasojat u ka rënë prindërve të tyre. Fëmija dhe pandemia është në fokus të një libri që së fundmi e gjejmë nëpër libraritë e vendit. “Edenushi dhe mami-zanë” është historia reale, por në libër e ilustruar, e nipit të autores Loreta Vaso gjatë vetizolimit.
Libri Edenushi dhe mami-zanë nga Loreta Vaso
CMG: Zonja Loreta, libri për fëmijë plus 3 vjeç “Edenushi dhe mami-zanë” çfarë sjell për lexuesin?
Loreta Vaso: Ky libër ka marrë shkas nga historia reale e një fëmije të vogël që sapo mbushi 3 vjeç këtë shtator, i cili disa orë të paradites i kalonte nga parku i Liqenit Artificial. Mami i tij si në ritual të përditshëm e shëtiste atë disa orë në ditë. Befas filloi pandemia dhe u shpall karantina. Është një fëmijë i vogël, që është mësuar të shëtisë çdo ditë pranë liqenit, të ushqejë macet, patat, të vizatojë në rrugët që ai i quan “rruga e kuqe” dhe “ rruga e biçikletave”. Libri ka 6 episode sepse mami i Edenushit çdo ditë kishte një program të veçantë për të dhe ky ishte një ritual me të cilin fëmija po rritej.
CMG: Një fragment nga hyrja e librit “ Mami i Edenushit kishte rënë në mendime. Dukej se diçka e rëndësishme e shqetësonte. Si t’ia shpjegonte vogëlushit që një virus gjëmëmadh po i kanosej njerëzimit? Si mund t’ja shpjegonte fjalën me katër rrokje karantinë?”
Loreta Vaso: Kjo është hyrja. Por çfarë ndodhi? Mami befas një ditë nuk mund ta nxirrte dot djalin shëtitje. Djali futet në qoshe të kuzhinës dhe fillon të qajë. “Dua të dalim o ma! Pse nuk dalim? Jam i mërzitur unë".
Loreta Vaso intervistë për CMG
CMG: Si mund t’ia shpjegonte fëmijës karantinën?
Loreta Vaso: Çfarë mund të bënte mami? Këtu lindi ideja e “mamit-zanë”. Ashtu si zana që bën magji me shkopin e saj, befas një mami, që i gëlojnë idetë, mendoi që të sajonte një minipark në tarracën e pallatit. Kështu filluan 6 ditët e argëtimit në tarracë, ku përfshiu dhe shokun e Edenushit, Diegon, i cili jetonte pranë dhe shkonte shpesh te parku i Liqenit. Të njëjtat aktivitete, por në përmasa më të vogla ata filluan t’i bëjnë në tarracën e pallatit. Fëmijët vazhduan me vizatimet, lojërat me makina, lulet në vazot e vogla, lojërat me tullumbace ishin argëtimet e tyre me mamin-zanë.
CMG: Ekzistojnë mami-zanë dhe Edenushi?
Loreta Vaso: Po, ekzistojnë. Ai është nipi ynë, Edenushi 3 vjeçar dhe mami i tij e përkushtuar.
CMG: Pra Loreta është gjyshja e Edenit, e cila pasi kishte botuar një vëllim me poezi të titulluar “Përjetime në vargje”, nga shtëpia botuese “Toena”, krijoi librin e saj të dytë. Historia kovidiane u ndërthur me lidhjen magjike të gjyshes me nipin e saj dhe erdhi libri “Edenushi dhe mami-zanë”, sërish një botim nga “Toena”. Një histori që sapo na e tregoi vetë Loreta për nipin e saj 3 vjeçar Eden dhe nënën e tij, e cila një ditë, duke dashur që fëmijës t’ja bënte sa më të lehtë karantinën, Liqenin artificial të Tiranës që ai e vizitonte çdo ditë me lojërat dhe fantazitë e tij, ia solli në tarracën e pallatit.
Si është pritur libri?
Loreta Vaso me nipin e saj Eden (Facebook)
Loreta Vaso: Është pritur me interes jo vetëm nga fëmijët, por dhe nga nënat. Ideja është që nuk ka nevojë që një fëmijë të qëndrojë me orë të tëra para një ekrani të madh apo të vogël. Mund të gjesh diçka për ta plotësuar këtë dhe libri është mënyra më e mirë. Nuk ka nevojë që t’i mësojmë fëmijëve pjesë përmendësh, por duke biseduar me ta, duke i trajtuar si të rritur sepse fëmija ka kërshëri dhe interes. Fëmija do të zbulojë dhe këtë zbulim nuk mund t’ia japësh duke i vënë një ekran përpara.
CMG: Po të shfletojmë librin shohim ilustrime mjaft të bukura të kryera nga Mirjana Madhi . Si e ka përjetuar Edeni kthimin në normalitet?
Loreta Vaso: Shumë bukur. Ai tani që ka shkuar në kopsht i mungon përsëri parku, por të shtunën dhe të dielën e viziton atë.
CMG: Në pamje të parë “Edenushi dhe mami-zanë” duket si argëtues, por më së shumti është një libër edukativ që mund të përdoret nga çdo prind për fëmijën e tij. Loreta, do të vazhdosh të ndjekësh nipin me histori të tjera, po kaq të bukura?
Libri Edenushi dhe mami-zanë nga Loreta Vaso (Facebook)
Loreta Vaso: Mendoj se ai mbetet gjithmonë një burim frymëzimi, sepse fëmijët të mbushin shpirtin me dritë. Ndërkohë më tërheq dhe poezia dhe unë po punoj për vëllimin tjetër me poezi. Gjithashtu jam duke punuar për një seri me tregime. Unë tani po merrem me shkrime sepse duke qenë në procesin e mësimdhënies isha e përkushtuar, akumuloja por ndoshta nuk kisha kohën e mjaftueshme. Kur u shkëputa nga mësimdhënia më duket sikur fjalët duhet t’i trajtoj po ashtu siç kam trajtuar dhe nxënësit.
Intervistoi Eda Merepeza