Enkeleida Fejzo (Facebook)
Enkeleida Fejzo është Presidente e Shoqatës AlbAccess Open. Gjatë kësaj periudhe është kualifikuar dhe trajnuar, duke marrë mjaft vlerësime. Ajo gjithashtu ka botuar dhe disa vëllime me poezi, që janë pritur mjaft mirë nga lezuesit. Talenti i saj kreativ është shfaqur që në shkollën tetëvjeçare. Ka botuar në shtypin periodik: poezi, skica, tregime, reportazhe si dhe ka përgatitur disa emisione televizive. Në një intervistë për CMG Enkeleida na tregon për eksperiencat e saj në disa fusha, si dhe punën e saj të palodhur si aktiviste e shoqërisë civile.
CMG: Kush është Enkeleida Fejzo, mundet të dimë më shumë për ju?
Enkeleida Fejzo: Unë vij nga qyteti i Memaliajt, aty jam lindur dhe kam jetuar pjesën më të mirë të adoleshencës time, pastaj kam mbaruar arsimin e lartë për juridik, master shkencor në diplomaci dhe pastaj vazhdojnë arritjet e mia që ndoshta nuk i dimë, si në autostradë sepse rruga është e gjatë. Gjithashtu në gjithë këto eksperienca që kam pasur, është me të vërtetë rruga e mundimshme drejt jetës themi ne edhe me eksperiencat, por mund të them që kam një ngritje horizontale, jo vertikale. Të gjitha këto i kam me një fuqi shumë të mirë të brendshme si dhe kam takuar njerëz shumë të mire, që më kanë dhënë shumë pozitivitet.
CMG: Flasim për pengesat dhe vështirësitë që keni patur gjatë këtyre viteve, sepse çdo arritje dhe qëllim i vetvetes ka dhe pengesat e veta.
Enkeleida Fejzo: Jam munduar gjithmonë që t’i kem me veten time pengesat sepse gjithmonë eksperiencat edhe gabimet të shtyjnë që ti të mësosh. Jam munduar gjithë kohën që të jem korrekte në radhë të parë me veten, me shoqërinë dhe njëkohësisht të jem me një vizion dhe të kem horizont shumë të madh. Kjo më ka bërë që të kem më shumë dëshirë për të jetuar dhe më shumë dëshirë për të takuar sa më shumë njerëz që më rrethojnë me pozitivitet dhe që kanë brenda tyre një botë shpirtërore të jashtëzakonshme.
Enkeleida Fejzo me Gazetaren Kozeta Zavalani (Facebook)
Fati im i mirë është që unë i kam takuar këto njerëz. Sigurisht që pa pengesa dhe pa vështirësi nuk do të quhej kjo jetesë, por jam munduar si të gjithë që t’i anashkaloj dhe mundohem dita- ditës që të përparoj. Kjo është dhe puna jonë në fakt, kur je në një shoqëri civile siç ka ardhur ky moment, ne jetojmë në epokën e humanizmit, kështu që mundohem gjithë kohën që t’i ndihmoj njerëzit, por njëkohësisht t’i shërbej vetes sime dhe të gjithë atyre që më duan dhe i dua.
CMG: Jeta në vetvete është një autostradë ku ka kthesat e veta, dhe ju ndoshta me punën tuaj keni pasur ulje dhe ngritje.
Enkeleida Fejzo: Në çdo ngritje dhe ulje ne do të marrim parasysh momentin kur një fëmijë i vogël mëson të eci, ai vritet shpeshherë por guximi i tij është që të ngrihet në këmbë. Të njëjtën gjë e kam bërë edhe unë me këtë dashamirësinë time të çiltërsisë së fëmijës. Sigurisht që kthesat ndonjëherë nuk duhen marrë shpejt në autostradë, por mirë është që ti të njohësh pak rrugën, edhe kur ecën. Autostrada do të na jepte ne idenë e atyre që kur ka dritë dhe kur nuk ka dhe dritë. Kështu që unë shpresoj shumë që me punën time dhe me eksperiencat e mia, siç e thashë dhe më përpara t’i shërbej njerëzve. Ky është qëllimi im në vetvete, por duke marrë parasysh që çiltërsia e një personi, sidomos e një femre në metropol siç jetojmë ne, dhe solidariteti që ne duhet ta japim, të sjell një vështirësi në vetvete.
Enkeleida Fejzo me aktorin Reshat Arbana (Facebook)
CMG: Ju jeni dhe drejtuese e një organizate joqeveritare. Na tregoni mbi aktivitetet që keni kryer me shoqatën tuaj gjatë këtyre viteve.
Enkeleida Fejzo: Shoqata quhet AlbAccess Open dhe është e hapur dhe ka një logo shumë të bukur, ka një dritare që mundohesh ta hapësh dhe të shikosh botën. Kështu që unë në shumë tituj që jam vlerësuar, më pëlqen vetëm një titull që e kam marrë nga të dënuarit e burgut të IJPV-së në Fier, një dritare më shumë për ne dhe besoj që kjo dritare të eci gjithmonë dhe të jetë e hapur për pozitivitet.
Shoqata ka mbi 7 vite që është krijuar nga unë, kam pasur projekte të jashtëzakonshme dhe e kam nisur nga projekti i policëve të rënë në krye të detyrës, nga ku fëmijëve të tyre ua kam sjellë 1 qershorin ndryshe. Kam pasur aktivitete që kanë të bëjnë gjithmonë me mesazhe, jo me domethënie të objektit material, por brenda tyre të kenë mesazhe. Kam pasur veprimtari me fëmijët e Institutit të fëmijëve që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin. Mesazhi i tyre është sesi do evoluojnë ata pasi të mbarojnë arsimimin e tyre dhe ngelin pa profesion. Njëkohësisht dy vite e gjysmë jam marrë me pasurimin e bibliotekave nëpër burgje, duke ditur që dhe ata janë si ne, vetëm që ju mungon liria. Unë jam munduar që gjatë këtyre kohëve të pasuroj bibliotekat jo vetëm me libra, por dhe me harta që ata kur të dalin jashtë atyre mureve, kjo dritare e vogël që unë ju kam dhënë mundësinë atyre, të jenë njësoj si ne. Kjo sigurisht që është një punë shumë e madhe dhe e lodhshme. Së fundi unë jam munduar që të përcjell mesazhin tim për mësimin e gjuhës shqipe, të cilin e kam vazhduar për dy vjet edhe në Zvicër ku bashkë me shoqata të tjera kemi bërë mësime për gjuhën shqipe për fëmijët e shqiptarëve në emigrim.
Enkeleida Fejzo në intervistë për CMG
CMG: Përveç të gjitha këtyre angazhimeve që keni, ju jeni e pasionuar edhe pas poezisë, madje keni disa botime. Këtë fushë e keni hobi?
Enkeleida Fejzo: Në fakt shkrimet e mia kanë filluar në moshën 14 vjeçe. Unë në atë kohë pata dhe një disfatë jetësore, sepse humba babain në vitin 1991. Humbja e një personi të dashur siç është prindi dhe babai më bëri që të ulem dhe të shkruaj rreshta për mungesën e tij. Dihet që në vitin 1991 diçka u prish dhe filloi tranzicioni, dhe për një fëmijë 14 vjeç rruga nis në një autostradë të panjohur. Kështu që u mundova shumë që të shkruaja dhe shkrimet e mia në atë kohë ishin me të vërtetë shumë të bukura, por unë shkruaja drejt dhimbjes dhe se çfarë është dhimbja. Pastaj me ndihmën e një grupi të madh të Gjirokastrës themeluam “Pegasi”, një lidhje e shkrimtarëve dhe aty, pata përkrahje të jashtëzakonshme për t’i botuar shkrimet e mia.
Në vitin 1998 doli libri im i parë “Kohë e keqe në shpirt” dhe pata një reagim të mire, sidomos nga autorë të famshëm si Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare, që vinin dhe e vizitonin shpesh Gjirokastrën. Më vonë shkrimet e mia u ndalën, sepse fillova studimet dhe detyrimisht që më duhej të formohesha si intelektuale. Mbas 20 viteve u riktheva përsëri me një botim që quhet “Duet në Eter”, i cili u mirëprit pavarësisht se unë nuk i kam bërë shumë publicitet.
Libri u promovua te Muzeu Historik Kombëtar dhe të gjitha të ardhurat e librit i kaluan bibliotekave nëpër burgje. Shpresoj që të vazhdoj akoma sepse kam shumë shkrime që nuk e kanë gjetur dritën e botimit, por që do mundohem t’i nxjerr së shpejti.
Enkeleida Fejzo gjatë një aktiviteti (Facebook)
CMG: Enkeleida ju falënderoj për këtë bisedë të këndshme dhe ju uroj suksese.
Enkeleida Fejzo: Unë ju falënderoj ju dhe Radio Ejani.
Intervistoi: Gazmend Agaj