Ndryshimet klimaterike plakin pemët

Ndryshimet klimaterike plakin pemët

Ngjiten maleve, kalojnë lumenj e përrenj, zbresin luginave, të shtyrë nga një motiv i vetëm: të mbijetojnë. Miliona pemë dhe bimë të tjera gjithnjë e më shpesh po spostohen, duke “ia mbathur” nga ndryshimet klimaterike. Në fakt, bimët migrojnë njësoj si kafshët, ndonjëherë duke mbuluar mijëra kilometra.

Është një fenomen aq i vjetër sa prania e tyre në planet, që sot po merr përmasa krejtësisht të reja, duke filluar me shpejtësinë me të cilën shumica e specieve duhet të spostohen për të qenë në gjendje të shpëtojnë. Një shpejtësi rreth dhjetë herë më e lartë se ajo tashmë ekstreme e vërejtur në fund të Epokës së fundit të Akullnajave, kur bimët rikolonizuan Evropën Qendrore me një shpejtësi prej disa qindra metrash në vit.

Por për këtë proces duhet kohë e gjatë, sepse bimët nuk lëvizin me të njëjtën shpejtësi si kafshët. Në fakt, ato nuk lëvizin vetë, por pasardhësit e tyre, farat, ndaj lëvizjet e tyre lidhen me riprodhimin, me aftësinë e secilës specie të vetme për t'u përhapur dhe me ciklin vegjetativ, që, për shumicën e specieve, janë më të ngadalta se ato të kafshëve.

Sot, për t’i mbijetuar ndryshimit të klimës, shumë bimë do të duhet të udhëtojnë disa qindra kilometra në vit. Një shpejtësi e pamundur për to, dhe kjo gjatë njëqind viteve të ardhshme do të vërë në dyshim mbijetesën e një numri të konsiderueshëm të specieve. Vetëm nëse njerëzit nuk i ndihmojnë.

Kujdesi i njeriut ndaj bimëve

Kujdesi i njeriut ndaj bimëve

Sipas ekspertëve, Evropa Qendrore e 14.000 viteve më parë ishte një masiv pyjesh të paprekura, me bimësi të rrallë. Por, me rritjen e temperaturave dhe relativisht shpejt, në vetëm 4000 vjet, Evropa u shndërrua në një pyll gjigant. Pemët dolën nga gadishulli i Ballkanit, nga gadishulli Iberik dhe nga Italia, ku ishin strehuar për t’u mbrojtur nga akulli dhe rimorën tokat që ishin të disponueshme.

Sot, ndryshimet klimatike po i shtyjnë speciet evropiane të bimësisë të kenë të njëjtin migrim, nga pellgu i Mesdheut në Evropën Qendrore.

Në të gjithë botën, temperaturat po rriten dhe regjimi i reshjeve të shiut po ndryshojnë, dhe kjo i shtyn bimët të lëvizin atje ku klima është më e favorshme për biologjinë e tyre. Lisat, për shembull, po lëvizin drejt vendeve skandinave, ndërsa bimët mesdhetare priren drejt pjesës qendrore të kontinentit. Pemët ka të ngjarë të gjejnë klimën e tyre ideale më në veri, por pyetja është: në jug, çfarë do të mbetet? Ndoshta disa specie do të vijnë nga Afrika Veriore, por përveç kësaj, rreziku është ai i një incidencë më të madhe të fenomeneve të shkretëtirëzimit.

"Pyjet evropiane tashmë po vuajnë dhe kanë filluar të zhduken", -shpjegon eksperti Ivan Scotti, profesor në Institutit Kombëtar të Kërkimeve Bujqësore, në Francë. Sipas tij, ky përfaqëson një problem serioz jo vetëm për vetë pyjet, por mbi të gjitha për njerëzit, sepse nga pyjet varet pjelloria e tokave, ciklet biogjeokimike, cikli i ujit dhe substancave të ndryshme minerale.

Pyjet janë shumë të rëndësishme për ekosistemet dhe përfaqësojnë një pjesë thelbësore të mirëqenies së kombeve. Historia na tregon se vendet që i prenë ato po varfërohen shpejt dhe, edhe nëse nuk e vërejmë më, druri është një lëndë e parë thelbësore. Pra, nëse në vend të pemëve të ahut, në një pikë të caktuar do të rriten vetëm barishtet dhe shkurret, do të kemi shumë probleme. Nëse nuk merren masa për të pyllëzuar zonat e shkreta, në disa qindra vjet në Evropën Qendrore mund të gjejmë veten me diçka të ngjashme me pastrimin aktual të Mesdheut.

Sipas ekspertëve, lisi, i cili gjendet në masë në Itali, Greqi dhe Spanjë, në pesëdhjetë vjet do të gjejë temperaturat dhe klimën më të përshtatshme për gjerësinë gjeografike të Parisit, por nuk mund ta mbulojë atë distancë në vetëm pesëdhjetë vjet. Do të duhej shumë shekuj, dhe është e qartë se do të shuhej më shpejt.

Migrimi i pemëve

Migrimi i pemëve

Për t'i mbijetuar ndryshimeve klimaterike të shkaktuara nga njeriu, do të ketë nevojë, si shumë bimë të tjera, për ndihmë njerëzore. Për më tepër, një pjesë e madhe e biodiversitetit është e përqendruar në pyje. Nëse nuk i ndihmojmë ata të mbijetojnë, rrezikojmë zhdukjen masive të bimëve dhe kafshëve.

"Eksperimentet e para të asistuara të migrimit të bimësisë tashmë kanë filluar dhe qasjet e ndjekura janë të ndryshme”, -shpjegon Scotti. Disa vende si Kanadaja kanë filluar të mbjellin më në veri bimë e pemë që më parë kanë jetuar qindra kilometra më në jug, duke i favorizuar spostimet e tyre, në mënyrë që të jenë gati kur të përkeqësohet ndryshimi klimaterik.

Vende të tjera, si Franca, kanë zgjedhur të ruajnë në pyje speciet që ekzistojnë tashmë, duke u përpjekur t'i bëjnë ato më fleksibël falë futjes së mostrave të së njëjtës specie të përshtatura për klimat më të ngrohta dhe më të thata. Duke i ndërthurur këto bimë të mësuara me kushte ekstreme me popullsinë e pemëve tashmë të pranishme do të ishte e mundur që ato të përmirësoheshin gjenetikisht. Është e vështirë, por është një zgjedhje që mund të ketë kuptim.

Ekspertët kanë vënë alarmin se tashmë ka ardhur koha për të lëvizur, për mos të ndenjur duarkryq, pasi koha po mbaron dhe ne nuk do të jemi në gjendje të presim njëqind vjet për të parë se cila nga speciet e reja do të mbijetojë. Në Evropë kanë startuar disa programe për inventarizimin e burimeve gjenetike të pyjeve. Sekuenca e ADN-së do të japë informacion të vlefshëm për të ndihmuar në identifikimin e gjeneve të përshtatshmërisë, përfshirë rezistencën ndaj thatësirës dhe temperaturave të larta.

Për pjesën tjetër, është e pamundur të thuhet sot se cila nga strategjitë e ndërmarra do të funksionojë më mirë. Vetëm një gjë është e sigurt, pa ndihmën e njeriut bimët nuk mund ta arrijnë këtë herë. Dhe pa to as ne nuk mund t’ia dalim.

Përgatiti: Irma Paloli