Ruki Kondaj, doktore e shkencave farmaceutike që prej vitesh jeton me familjen në Kanada, është e spikatur në diasporën shqiptare për aktivizimin dhe drejtimin e Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze në këtë vend, ku tashmë është kryetare nderi. Ruki Kondaj flet me sinqeritet për dilemën e largimit nga atdheu dhe rrugën e vështirë të integrimit jashtë tij. E ndodhur me pushime në atdhe, ajo me dashamirësi pranoi ftesën për intervistë në radio Ejani.

Ruki Kondaj me familjen (Facebook)

Ruki Kondaj me familjen (Facebook)

CMG: Cila është lidhja juaj me Kanadanë prej gati dy dekadash?

Ruki Kondaj: Unë bashkë me familjen kemi shkuar në Kanada më 12 gusht të vitit 2000, natyrisht me aplikim, sepse ky vend nuk ka llotari, por aplikim profesional. Ligji ka qenë që në bazë të profesionit merrje pikët e duhura dhe ishte kusht që duhet të dije anglisht. Në atë kohë sa kisha mbaruar Masterin ndërkombëtar në Universitetin “Bocconi” të Milanon për politika dhe menaxhim shëndetësor dhe mu desh ta shtyj për një vit vizën, duke qenë midis dy vendeve për disa vite me radhë. Ajo ka qenë periudha më e vështirë e jetës sime.

CMG: Përse Kanadaja? Përse kjo zgjedhje?

Ruki Kondaj: Ishte një rastësi. Të them të drejtën nuk kisha menduar kurrë të emigroja me familjes, sepse kanë qenë vite dhe më të vështira më përpara dhe nuk e kemi bërë. Një ditë vajza e hallës pedagoge anglishteje më tha merre këtë aplikim se në profesionin tënd merr pikë dhe kështu e mora dhe në 1996 fitova.

CMG: Ndërkohë ju në Shqipëri punonit?

Ruki Kondaj: Po. Punoja në Shqipëri. Kur kam ikur pas masterit isha sekretare e përgjithëshme në Ministrinë e Shëndetësisë, por për fëmijët...

CMG: Edhe ju bëni pjesë në atë grup njerëzish që largohen për një të ardhme më të mirë për fëmijët?

Ruki Kondaj: Po dhe kam bërë mirë, sepse periudha e tranzicionit në Shqipëri u zgjat shumë dhe nuk pamë ndonjë dritë jeshile. Madje menduam që të merrnim pasaportat dhe në 2005 të ktheheshim. Im shoq tha se nuk ishte ende koha për t’u kthyer dhe kështu, pasi mbylla detyrimet e mia, mbarova doktoraturën në Shqipëri, botova një libër dhe shkova në Kanada ku fillova nga e para.

Ruki Kondaj gjatë seminarit online për shëndetin gjatë karantinës Covid (Diaspora Shqoptare)

Ruki Kondaj gjatë seminarit online për shëndetin gjatë karantinës Covid (Diaspora Shqoptare)

CMG: Kur filluat të punonit në profesionin tuaj?

Ruki Kondaj: Unë bëra shkollë tjetër pas doktoraturës për “Clinical Research and Laboratory Affairs”. Në atë kohë në vitin 2009 kompanitë farmaceutike gati po falimentonin ndaj ka qenë e vështirë të punoja për atë që kisha mbaruar shkollën dhe mu desh që të punoja në farmaci, të bëja kërkime shkencore e të jepja mësim part-time dhe në fund e mbylla si anëtare e bordit në Ministrinë e Shëndetësisë, ku një vit e gjysmë më parë mbarova mandatin e fundit. Nga Covid-i pothuajse të gjithë u mbyllëm brenda, por unë kam një qendër timen të licensuar ku bëj bashkëpunime me Universitetin e Torontos dhe Departamentin e Mjekësisë Familjare. Kam bashkëpunime dhe së shpejti kam një projekt madhor për Kosovën.

CMG: Po ëndrra juaj për t’u dhënë fëmijëve një mundësi më shumë, u realizua?

Ruki Kondaj: Fëmijët e mi janë shumë mirë. Të dy janë menaxherë në kompani të ndryshme. Janë të martuar dhe janë bërë me fëmijë e mezi pres t’i takoj. Madje nipërve u kam bërë dhe një kostum popullor shqiptar, që do t’ua çoj si dhuratë.

CMG: Kjo tregon lidhjen tuaj të ngushtë e të pandërprerë me ardheun. Le të flasim për punën tuaj me Shoqatën e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze. Dihet që në Kanada është një komunitet i konsiderueshëm shqiptar.

Ruki Kondaj: Po dhe janë shumë të organizuar. Të them të drejtën, duke ikur nga atdheu në një moshë jo të re, sepse unë kam ikur 53 vjeç dhe mbarova diplomën e fundit në Kanada, ndaj mu desh që si intelektuale duke u larguar nga vendi të bëj diçka për vendin tim dhe u angazhova në Shoqatën e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze. Kjo është një shoqatë me një histori 30 vjeçare në të cilën unë aderoj prej 13 vitesh, në fillim si anëtare e bordit pastaj si presidente e saj për 5 vite dhe tani që nga 2015 që mbarova mandatin e dytë jam presidente nderi e kësaj shoqate. Të gjithë së bashku kemi punuar për të promovuar Shqipërinë në Kanada. Në vitin 2016 u aprovua Ligji i Trashëgimisë Shqiptare në Ontario, ku muaji nëntor njihet si muaji i Trashëgimisë Shqiptare. Unë e kam kryesuar këtë grup dhe kam lobuar pranë Parlamentit të Ontarios bashkë me grupin me të cilin punuam për të realizuar këtë projekt madhor, të cilin mundohemi që ta shpërndajmë me të tjerët, duke bashkëpunuar me provincat për të bërë të njejtën gjë, por Covid-i na bllokoi.

CMG: Ju po tregoheni modeste sepse në sajë të këtij aktivizmi dhe përkushtimit tuaj, sigurisht dhe të pjestarëve të tjerë të Shoqatës keni prezantuar në Kanada artistë shqiptarë me famë botërore si Inva Mula e Genc Tukiqi. Na flisni për veprimtaritë artistike.

Ruki Kondaj dhe kryetarja e Shoqatës arbëreshe Vorea, Lucia Martino (Diaspora Shqiptare)

Ruki Kondaj dhe kryetarja e Shoqatës arbëreshe Vorea, Lucia Martino (Diaspora Shqiptare)

Ruki Kondaj: Në Parlament ne kemi prezantuar vitin e parë një material shumë të plotë për historinë tonë, që nga lashtësia deri në kohën e sotme dhe në vitin 2016 ftuam në Parlament arbëreshët e Italisë për të prezantuar kulturën arbëreshe dhe ata kanë ngelur të mahnitur, sepse mësuan për gjëra që nuk i kishin dëgjuar, për Skënderbeun, Nënë Terezën e besën shqiptare. Por prezantimi i arbëreshëve me kostumet e tyre ka qenë një eveniment i rëndësishëm. Mikja ime Lucia Martino, kryetare e Shoqatës arbëreshe “Vorea” së bashku me studenten arbëreshe Maria Ferrari erdhën të dyja dhe për ne ka qenë një ngjarje që do të mbetet gjatë në memorie. Arbëreshja Maria këndoi himnin shqiptar dhe Ana Golja, që është një artiste e madhe, një nga yjet shqiptaro-kanadeze ka marrë pjesë në të gjitha eventet e muajit të Trashëgimisë Shqiptare. Gjithmonë në bashkëpunim me njeri-tjetrin sepse asgjë nuk arrihet vetëm nëse nuk ke mbështetjen e Shoqatës, të drejtuesve të saj dhe anëtarëve të grupit. Pastaj ne kemi ftuar Inva Mulën dhe kjo ishte një arritje e madhe e jona në Parlament, sepse të ftosh një soprano me famë botërore nuk ishte pak. Ishte jo vetëm për shqiptarët emocionuese, por dhe për parlamentarët, që mbetën të mahnitur nga zëri i Inva Mulës, personaliteti dhe karriera e saj artistike. Pas Inva Mulës e fundit artiste në 2019 ka qenë e ftuar ylli i Francës Erza Muqolli, që na ka lënë një mbresë jashtëzakonisht të mirë me zërin e saj brilant, të veçantë për moshën e saj. Në Parlament kemi prezantuar kulturën shqiptare, por ne kemi në Kanada dhe artistë shqiptarë me emër si Jani Papadhimitri apo Rudin Lengo.

CMG: Si një përfaqësuese e diasporës shqiptare, cili do të ishte mesazhi juaj për ata që po na ndjekin?

Ruki Kondaj: Mesazhi im është që secili, atje ku ndodhet të japë kontributin e tij për kombin, për promovimin e vlerave tona kombëtare sepse ne kemi një pasuri të madhe të trashëgimisë kulturore shqiptare, që duhet të prezantohet me dinjitet.

Intervistoi Eda Merepeza