Në Shqipëri ashtu si në vende të tjera po debatohet gjerësisht këto ditë mbi krizën energjetike. Ekspertë të sektorit energjetik thonë se rritja e çmimit të gazit në tregjet ndërkombëtare, i nevojshëm për prodhimin e energjisë ka prekur edhe tregun shqiptar. Për të zbutur efektet e krizës, ata sugjerojnë uljen e importit dhe rritjen e prodhimit vendas, përmes hidrocentraleve. Ky prodhim aktualisht mbulon mbi 70% të nevojave të konsumit. Studiues të sektorit energjetik, nënvizojnë se ka mjaft rëndësi në këtë proces dhe një menaxhim më i mirë i sektorit energjetik. Në përgjigje të situatës qeveria shqiptare ka shpallur emergjencën energjetike, përmes së cilës ekzekutivi merr në duar sistemin e prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike në vend.
Pas deklarimit të emergjencës kryeministri Edi Rama prezantoi të shtunën planin e qeverisë për mbrojtjen nga kjo krizë. Plani i qeverisë ndaj krizës ka 3 pika garantimin e furnizimit pa ndërprerje me energji elektrike për të gjithë; mbrojtjen e familjeve dhe biznesit të vogël nga rritja e çmimit të energjisë elektrike; garantimin e fondit të nevojshëm likuid për ndërveprimin me tregun e energjisë elektrike, të instrumenteve të garancisë sovrane, shtetërore që do të jenë të ripërtëritshme në vlerën 100 mln Euro për kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike në fund të këtij viti dhe 100 mln Euro të tjera në fillim të vitit tjetër.
Duke paralajmëruar shqiptarët se për pasojë do të përballen me rritje marramendëse çmimesh, kryeministri u zotua se qeveria që ai kryeson do të mbrojë më të dobtit.
“Ekspertët mendojnë se kriza do të jetë prezente me pikun, kulmin e saj deri në mesin e vitit të ardhshëm dhe njëkohësisht mendojnë se sidoqoftë edhe pas kapërcimit të kulmit çmimet nuk do të kthehen aty ku ishin përpara shfaqjes së krizës. Por kjo është për t’u pare. Ajo që ne na takon është që të mbrojmë konsumatorët tanë me një rend prioritetesh nga poshtë-lart, duke patur parasysh ata që janë më në nevojë dhe pastaj duke shkuar lart permes biznesit të vogël e më tutje”, u shpreh kryeministri Rama
Kryeministri Edi Rama deklaroi se çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet për konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël.
Ai tha se në aspektin ekonomik e social kriza energjetike, që sapo ka nisur të japë shenjat e saj në tregjet e mëdha të botës ka një energji negative që mund të ketë efekte po aq tronditëse mbi jetën e familjeve bizneseve e shoqërisë.
“Kjo është kriza e jashtëzakonëshme energjitike, e cila vetëm sapo ka nisur të jape shenjat e saj. Kjo krizë e re na vendos me detyrim përcaktim përpara një sprove të re, po aq të forte sa tërmeti dhe sa pandemia në aspektin ekonomik dhe social”, tha kreu i qeverisë.
Pavarësisht se kreu i qeverisë bëri me dije se “beteja kulmore do të zhvillohet në 6 mujorin e pare të vitit të ardhshëm”, kriza tashmë është e dukshme në sektorin energjetik dhe çmimet e karburanteve në vend. Sipas të dhënave zyrtare, çmimi i naftës ka arritur në mbi 190 lekë, ndërsa i gazit mbi 90 lekë. Nga ana tjetër energjia elektrike blihet me çmime pesëfish më të larta në burse, krahasuar me një vit më pare.
Sipas kryeministrit Rama, rritja eksponenciale e kërkesës konsumatore, pas hapjes së ekonomisë si rezultat i vënies nën kontroll të pandemisë, ka rritur kërkesën e industrive prodhuese për energji, duke vënë në vështirësi shumë serioze edhe vetë kolosët ekonomikë të planetit, që nga Kina, ku mungesa e kapaciteteve energjitike të nevojshme për përballimin e kësaj kërkese, kërcënon afro gjysmën e kapaciteteve industriale të atij vendi, deri në Europë, ku kërkesa e lartë dhe oferta e pamjaftueshme për gaz, ka detyruar qeveritë të përballen me rritje marramendëse çmimesh e të paralajmërojnë, deri edhe politika kufizimesh në furnizimin me energji elektrike.
Qeveria ka caktuar zv.kryeministrin Arben Ahmetaj për menaxhimin e kësaj situate. Ai ka përsëritur deklaratën se konsumatorët familjarë dhe biznesi i vogël, të cilët do të preken nga kriza energjetike globale do të mbrohen nga qeveria.
“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë konsumatorin familjar dhe sipërmarrjen e vogël nga kriza energjetike, nga kriza e çmimeve dhe nga rritja e kostove për shkak të këtyre çmimeve. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanitë që janë në këtë fushë janë duke punuar brenda grupit ndërinstitucional për të garantuar furnizim të pandërprerë dhe akses në tregun ndërkombëtar për të blerë energji në mënyrë të vazhdueshme që të mos ketë ndërprerje të energjisë“, tha Ahmetaj.
Në rrethanat e emergjencës energjetike vetë shteti, nëpërmjet ministrisë së linjës administron sektorin në tërësi që prej prodhimit, tek transmetimi dhe deri tek shpërndarja tek klientët. Në Shqipëri, KESH, i cili prodhon, OST që e transmeton dhe OSHEE që e shpërndan tek konsumatorët, do të punojnë bashkë për përballimin e situatës, duke lënë mënjanë planet e tyre të zhvillimit apo të investimit.
Sipas ligjit, krahas kompanive shtetërore të prodhimit të energjisë elektrike, edhe ato private janë të detyruara që të zbatojnë planin e qeverisë në rastin e shitjes së energjisë elektrike.
Në Shqipëri 70-75 të nevojave për energji elektrike prodhohen në vend nga burime hidrike, dhe 25-30% importohen, nga tregjet rajonale dhe europiane.
Eda Merepeza