Aty ku natyra nuk arrin, vijnë pesticidet dhe plehrat, të cilat rrisin ritmin e prodhimit bujqësor për të vazhduar me kërkesën botërore për ushqim. Sidoqoftë, përdorimi i kimikateve ndikon negativisht në mjedisin rrethues dhe tokën, si dhe në cilësinë e ushqimit. Kjo është arsyeja pse po mendohet për alternativa më ekologjike për të mbrojtur bimët nga sëmundjet dhe insektet.
Një alternativë e mundshme janë bakteret, të cilat nuk janë gjithmonë sinonime të papastërtisë dhe sëmundjeve. Ato të pranishme në mikrobotën tonë të zorrëve, për shembull, janë thelbësore për të na mbajtur të shëndetshëm. Ato që jetojnë në tokë mund të jenë një ndihmë e madhe për bimët.
Lufta kundër kimikateve
Siç shpjegon një artikull i botuar në versionin spanjoll të “The Conversation”, një miliard baktere mund të jetojnë në një gram tokë. Disa prodhojnë hormone bimore që ndikojnë në rritjen e rrënjës së bimës dhe i ndihmojnë ato të thithin lëndët ushqyese të nevojshme nga toka. Të tjerë transformojnë, përmes mekanizmave të ndryshëm kimikë-fizikë, disa elementë themelorë si azoti, hekuri dhe fosfori, të cilët përndryshe nuk do të absorboheshin nga bima. Të tjerë mbajnë larg insektet, kërpudhat dhe parazitët ose patogjenët, duke vepruar kështu si pesticide natyrore.
Përveç se është më ekologjik, përdorimi i plehrave bakterial është gjithashtu më efektiv në kosto, pasi nënkupton një ulje prej 30% të përdorimit të ujit dhe plehrave kimike. Sipas një projekti të udhëhequr nga Universiteti i Seviljes, i cili po eksperimenton me përdorimin e baktereve në kulturat serë të luleshtrydheve në Andaluzi, bimët që ujiten me pleh bakterial nuk rriten aq sa ato të trajtuara me pleh kimik, por ato prodhojnë pothuajse të njëjtën sasi të frutave me madhësi të ngjashme.
Pasi kanë marrë rezultate të mira në serë, studiuesit tani po eksperimentojnë me këtë metodë të re ekologjike edhe në kulturat në ajër të hapur. Por, për të parë rezultatet do të duhet të pritet pak kohë.
Nëse do të kishte një rrugëdalje të vetme nga pandemia drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme, mund të orientohen të gjitha synimet te rimëkëmbja e tokës. Rimëkëmbja e tokës së degraduar nga bujqësia intensive dhe nxjerrja e burimeve, ndryshimi i klimës, ndërtimi i infrastrukturës dhe urbanizimi i hap rrugën një sërë efekteve pozitive: krijon vende pune, rrit të ardhurat, rrit sigurinë ushqimore, zvogëlon karbonin nga atmosfera, ngadalëson ndryshimet klimaterike dhe mbron kundër ndikimeve të tyre, rikthen biodiversitetin.
Këtë vit qëllimi i Ditës Botërore të Shkretëtirëzimit dhe Thatësirës ishte të demonstronte se investimi në tokë të shëndetshme është një zgjidhje efektive ekonomike, e dobishme jo vetëm për krijimin e vendeve të punës, por edhe për të ndërtuar një amortizator emergjence kundër krizave të ardhshme të shkaktuara nga ndryshimet klimaterike dhe humbjet e ekosistemit.
Bujqësia e qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin
Pasja e një toke të shëndetshme është thelbësore për mbijetesën njerëzore. Nga toka nxjerrim ushqim, fibra dhe ushqim për bagëtinë, pemët e rrënjosura në tokë rregullojnë klimën dhe temperaturën, rezervat tona të ujit dalin nga toka. Por ndërsa i kërkon të gjitha këto nga toka, njeriu e mbulon me ndërtime, e varfëron me burime dhe e bën joproduktive, duke shkaktuar humbjen e biodiversitetit dhe shërbimeve të ekosistemit, përparimin e shkretëtirëzimit dhe shtimin e gazeve serrë në atmosferë.
Pa zona të gjelbra, që shërbejnë si mburojë, ka më pak zona me bimësi të egër, që na ndajnë nga rreziku i sëmundjeve zoonotike dhe që mund të mbrojnë dëmtimin e eventeve ekstreme të klimës si thatësira, përmbytjet dhe stuhitë e rërës. Përbërja e përdorimit të pamatur të tokës ishte kriza ekonomike për shkak të pandemisë, e cila çoi në një lehtësim të standardeve industriale mjedisore në emër të një rimëkëmbjeje të shpejtë të biznesit.
Sot, gati tre të katërtat e tokës pa akull është transformuar për të përmbushur kërkesën për ushqim dhe lëndë të parë dhe për të akomoduar vendbanimet njerëzore. Është vlerësuar se 3.2 miliardë njerëz përjetojnë një cilësi më të keqe të jetës për shkak të degradimit të tokës, e cila është gjithashtu arsyeja kryesore për transmetimin e sëmundjeve në zhvillim te njerëzit (60% e origjinës zoonotike).
Gati një milion specie janë në rrezik zhdukjeje dhe ndryshimi në menaxhimin e tokës është një nga shkaqet kryesore. Për më tepër, degradimi i tokës është një mundësi e humbur për të zvogëluar masën e karbonit në atmosferë dhe për t’u përpjekur për mos të tejkaluar ngrohjen +1.5 gradë celsius nga epoka paraindustriale.
Mbrojtja ndaj ushqimeve
Në kuadër të Dekadës së Rekuperimit të Ekosistemit (2021-2030) të kërkuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) dhe Organizata Botërore e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), mbi 100 vende janë zotuar të rekuperojnë gati një miliard hektarë tokë në dhjetë vjet. Nisma është një apel për mbrojtjen dhe rigjallërimin e ekosistemeve të të gjitha kontinenteve për të luftuar ndryshimet klimaterike dhe për të ndaluar humbjen e biodiversitetit, si dhe për të përmirësuar sigurinë ushqimore dhe furnizimin me ujë.
Nisma konsiston në konsiderimin e tokës si një kapital natyror të çmuar që do t'i jepet përparësi. Nga 1 miliard hektarë, 250 milionë do të mund të rigjeneroheshin për të prodhuar ushqim, për të përmirësuar sigurinë ekonomike dhe standardet e jetesës së komuniteteve të tëra.
Rregullimi i vetëm 350 milionë hektarëve të ekosistemeve të degraduara nga tani deri në vitin 2030 do të largonte deri në 26 miliardë tonë gaze serrë nga atmosfera, gati gjysma e asaj që ishte emetuar globalisht në vitin 2019.
Nëse kjo sipërmarrje merret seriozisht, do të kemi përfitime të mëdha për njerëzit dhe për planetin. Mbi të gjitha, do të ndihmonim gratë dhe të rinjtë, të cilët kanë tendencë të jenë të margjinalizuar në kohë krize. Duke kundërshtuar degradimin e tokës me zgjidhje moderne dhe teknologjike do të bëhej e mundur tërheqja e të rinjve në komunitetet e tyre, si dhe dhënia e një shtyse për punësimin e grave.
Në vendet në zhvillim, gratë janë shumë të përfshira në menaxhimin e tokës dhe bujqësinë dhe janë kryesisht përgjegjëse për nevojat ushqyese të familjeve të tyre. Ndaj, ato do të përfitonin shumë nga rritja e produktivitetit të tokës dhe gjithashtu do të kishin përvojën dhe njohuritë e duhura për të kontribuar në të.
Përgatiti: Irma Paloli