Barazia gjinore (Reporter.al)

Barazia gjinore (Reporter.al)

Dhuna ndaj grave dhe vajzave, për fat të keq vazhdon të jetë temë e lajmeve në Shqipëri. Sipas studimit të OSBE, 16 milionë gra në rajonin e Evropës Juglindore kanë përjetuar forma të ndryshme të dhunës, gjatë jetës së tyre nga mosha 15 vjeçare.

23-vjeçarja shqiptare Sabrina Benga u vra para pak ditësh nga ish bashkëshorti Elton Metaj. A do të ndalet ndonjëherë kjo dhunë? Për këtë temë flasim me juristen Nexhi Beqiri.

CMG: Një krim i rëndë tronditi sërish këto ditë opinionin publik shqiptar. Në opinionin tuaj si juriste si vlerësohet ky krim?

Nexhi Beqiri: Rasti që përmendët dhe që ka një vëmendje të madhe jo vetëm nga media, por e gjithë shoqëria është i rëndë pikërisht për këtë që thatë ju. Kemi të bëjmë me vrasjen e ish bashkëshortes aq më tepër në një moshë të re 23 vjeç dhe nënë e një fëmije 3 vjeç. Motivi për të cilin është kryer vrasja e bën shumë here të vështirë. Prandaj të gjithë kanë detyrimin moral, institucionet shtetërore, organizatat joqeveritare dhe organet e drejtësisë, të cilat me shumë vëmendje duhet të verifikojnë çdo moment të dosjes hetimore që ka të bëjë me vrasësin në këtë rast, në mënyrë që të zbulojnë arsyet e krimit. Ky është një rast shumë specifik që të mund të ligjërohet një martesë në moshë minorene, ku ka patur një mungesë kujdesi dhe nga familja e vajzës. Të gjitha nënat, baballarët, familjet shqiptare duhet të sensibilizohen se nuk është mosha për të lejuar martesa të tilla. Jo me dhunë, por të përgatiten që vajza të ndërgjegjësohet që pa u përgatitur për jetën, pa u kualifikuar dhe pa patur një punë të vetën, të ardhura dhe një lloj pavarësie nuk mund të krijojnë një familje. Ndërkohë Inspektoriati i kontrollit të drejtësisë po e verifikon dosjen e krimit dhe do të nxjerrë përgjegjësit.

Juristja Nexhi Beqiri në intervistë për CMG

Juristja Nexhi Beqiri në intervistë për CMG

CMG: Prej tashmë 30 vjetësh në Shqipëri flitet për dhunën ndaj gruas, dhunë kjo fizike, psikologjike dhe seksuale. Funksionojnë dhjetëra shoqata për mbrojtjen e gruas dhe megjithë punën e madhe që kanë bërë duket se nuk ka rezultatin e duhur sensibilizimi i shoqërisë për dhunën ndaj gruas. Mendimi juaj për këtë ?

Nexhi Beqiri: Është një fakt pozitiv këto vitet e fundit që ligji që ka të bëjë me luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave ka patur disa ndryshime dhe ka ardhur në përmirësim. Deri në dhjetorin e vitit të kaluar kur gjykata qëkurse shfaqet një grua apo një vajzë e dyshuar për dhunë të ushtruar ndaj saj nga bashkëshorti apo pjesëtarë të familjes, me një urdhër të menjëhershëm, e largon dhunuesin, kushdo qoftë ai, nga banesa. Ky është ndryshimi i fundit që i është bërë ligjit për luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Në Shqipëri këto 30 vjet ligjet janë bërë sipas legjislacionit në Europë dhe botë. Ndërsa nismat apo peticionet që kanë të bëjnë me kërkesën ndaj parlamentit dhe shtetit për të ndryshuar ligjet, për mendimin tim janë kot. Ne nuk mund të bëhemi një shoqëri dragoniane me ligje të hekurta, si dikur, jo, sepse ne pretendojmë të hyjmë në Europë. Cili është konflikti në këtë mes? Ndërsa ligjet kanë avancuar, shoqëria nuk është me ritmin e ligjit. Sa i përket kësaj, ata që punojnë në drejtësi duhet të jenë të ndershëm dhe të pablerë e të pakorruptuar, atëherë penalitetet edukojnë njerëzit.

Të dhëna për dhunën ndaj grave nga Instat (INSTAT)

Të dhëna për dhunën ndaj grave nga Instat (INSTAT)

CMG: Cila është hierarkia e institucioneve që duhet të luftojnë për të patur sa më pak viktima të dhunës ndaj gruas?

Nexhi Beqiri: Gjithçka ka të bëjë me qytetërimin dhe me edukimin. Shoqëria shqiptare duhet të progresojë jo thjesht në spektakle të ndryshme apo konkurse bukurie. Shqipëria do njohur realisht dhe këtu media ka një rol të rëndësishëm sepse shpesh here media jep modele të gabuara për t’u ndjekur dhe nuk mund të bëhet çdo i ri apo e re shqiptare, model. Shkolla, edukimi, kultura, qytetaria, profesioni dhe kualifikimi janë baza që kjo shoqëri të ecë përpara .

Intervistoi Eda Merepeza