Alarmi i kuq i klimës (Gazeta Panorama)
Për herë të parë në histori përmes një raporti Kombet e Bashkuara kanë shpallur alarmin e kuq lidhur me ndryshimet klimatike në botë. Tashmë çdo qytetar i botës i sheh këto ndryshime në çdo stinë, sepse pothuajse çdo vend po përballet me dukuri klimatike, që jo vetëm kanë sjellë sfida të reja, por kërcënojnë dhe vetë ekzistencën tonë.
Prej vitesh tashmë dhe shqiptarët në zona të ndryshme të vendit po përballen me përmbytje, zjarre masive, thatësirë të zgjatur, apo ndryshime drastike të motit. Pasojat e këtyre dukurive, e drejtpërdrejtë e klimës, po ndihen dhe në ekonominë kombëtare, e kryesisht te konsumatorët që shohin si rriten çmimet e artikujve bazë ushqimorë. Prekja e zinxhirit ushqimor dhe rreziqet e pritshme nga ndryshimet klimatike po rriten kudo dhe Shqipëria nuk mund të bëjë përjashtim.
Nëse i referohemi ekspertëve, bujqësia, blegtoria, peshkimi, turizmi e të tjerë do të vuajnë pasojat e ndryshimeve klimatike. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Gjeoshkencave IGJEO bëjnë të ditur se nuk ka më mikroklimë, ndërsa klima karakterizohet nga rritje e temperaturës mesatare vjetore dhe më pak reshje.
Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako në një intervistë për televizionin A2 ka thënë se ndryshimet klimatike ndikojnë dhe në ekonomi.
“Ekonomia e qytetarëve dhe ekonomia e shtetit në tërësi është cënuar nga fatkeqësitë natyrore ndoshta më shumë se sa diçka tjetër. Shifrat e investimeve të qeverive drejtpërdrejtë dhe të qeverisë shqiptare, janë të konsiderueshme lidhur me dëmet e shkaktuara dhe lidhen me një përqindje të lartë në GDP-në e vendit”
Ndërsa lidhur me strukturat shtetërore që monitorojnë pasojat e ndryshimeve klimatike, Çako ndalet te Agjencia e Mbrojtjes Civile, që ai drejton
Mbrojtja nga ndryshimet klimatike (Energy radio)
“Ne kemi një qendër kombëtare të emergjencave civile, ose të mbrojtjes civile brenda Agjencisë Kombëtare, e cila funksionon 24 orë non stop dhe komunikon drejtpërdrejt me të gjitha institucionet, subjektet e sistemit të mbrojtjes civile, por edhe me të gjithë qytetarët apo grupet në nevojë duke përcaktuar dhe hartuar një raport të detajuar lidhur me çështjet e emergjencave të fatkeqësive natyrore dhe të situatës hidrometereologjike”
IGJEO vlerëson ndryshimet klimatike në Shqipëri
Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO), i cili monitoron treguesit që lidhen me ndryshimet klimatike, bën të ditur se efektet e ndryshimeve klimatike po ndihen edhe në Shqipëri. Sipas IGJEO, në 10 vitet e fundit temperatura mesatare vjetore është rritur, por tendencë rritjeje vërehet edhe te temperaturat minimale dhe maksimale vjetore.
Gjithmonë e më shumë vërejmë se ka një rënie të reshjeve. Këtë e vërteton dhe IGJEO sipas të cilit sasia e reshjeve është zvogëluar me rreth 10-15%, ndërsa intensiteti i reshjeve është shtuar. Rritja e intensitetit të reshjeve është një nga arsyet e shtimit të përmbytjeve në Shqipëri, që tashmë janë bërë sezonale.
Sipas studimeve të Institutit të Gjeoshkencave, dukuritë natyrore nga të cilat kërcënohet Shqipëria, si përmbytjet, rritja e temperaturës mesatare, apo erozioni bregdetar janë po aq të dëmshme, si dhe dukuritë natyrore që godasin vende të tjera.
Prej 3 dekadave ndryshimet klimatike janë prezente në Shqipëri, por vitet e fundit ato janë më konkrete.
Pas vitit 1997, sipas IGJEO-s në Shqipëri ndryshimet klimatike konstatohen përmes shtimit të valëve të nxehtësisë dhe ngricave. Dukuritë klimatike botërore kanë ndikuar dhe në klimën në Shqipëri. Nëse i referohemi Institutit të Gjeoshkencave fenomeni “El Nino” në vitin 2001 rriti temperaturat maksimale ditore gjatë verës në Shqipëri, ku ato shënuan mbi 40 gradë, në disa qytete. Dhjetëvjeçari i pare i këtij shekulli e përballi edhe Shqipërinë me përmbytje gjatë pranverës dhe vjeshtës, ngrica dhe ulje ekstreme të temperaturave gjatë dimrit dhe zjarre në zonat pyjore, si pasojë e thatësirës në sezonin verë-vjeshtë.
Pasojat e ndryshimeve klimatike (Agroweb)
Përmbytjet kanë ardhur duke u shtuar gjatë dhjetëvjeçarit të dytë, kryesisht në veri të vendit, ku u shënuan dëme të mëdha në qarqet Shkodër, Lezhë, Kurbin dhe Krujë. Viti 2015 shënoi gjithashtu përmbytje masive që kërcënuan jetën dhe pronën e banorëve të Fierit e deri në jug të vendit. Lumi Vjosa si pasojë e reshjeve të shtuara doli nga shtrati duke përmbytur shtëpi e tokë bujqësore. Kjo dekadë shënon 5 vjeçarin më të nxehtë jo vetëm në Shqipëri, por dhe në vendet e Rajonit. Në raportet e Institutit të Gjeoshkencave thuhet se në vitin 2016 u shënuan temperaturat më të larta, që pikun e patën në Elbasan, Berat, Shkodër dhe Gjirokastër, ku termometri shënoi mbi 43 gradë Celsius.
Në 20 vitet e fundit, stinët po humbasin tiparet klimatike. Dimrat janë bërë më të butë dhe më të shkurtër ndërsa vera sa vjen dhe bëhet më e nxehtë dhe më e gjatë, në kurriz të pranverë-vjeshtës. Dhjetëra stuhi janë vrojtuar në dekadën e fundit, kryesisht stuhi bregdetare ku era ka arritur shpejtësi 100 kilometra në orë dhe reshjet kanë regjistruar 50 milimetra në vetëm 30 minuta.
Një tjetër ndryshim klimatik, është rritja e nivelit të detit si pasojë e shkrirjes së akullnajave globale. Kjo rritje e nivelit të ujit është më e dukshme në brigjet e Adriatikut, të cilat jo vetëm janë gërryer, por uji ka përparuar me të paktën 50 metra në drejtim të tokës. Zaptimi i brigjeve nga uji ka pakësuar brezat e gjelbër në zonat perëndimore ndërsa në të gjithë shtrirjen Veri-Lindje-Jug, brezat pyjore janë dëmtuar nga prerja dhe djegia, thuhet në raportin e IGJEO-s.
Vera e sivjetme solli shtim të thatësirës dhe për pasojë rritje të alarmit të zjarreve në pyje, kullota apo parqe të gjelbra, ku u regjistruan mbi 300 zjarre që shkaktuan 2 humbje jete dhe dëme të pronës private e pasurisë kombëtare.
Eda Merepeza