Rreth 2.5 miliardë tonë ushqim as që arrin në tryezat tona. Vlerësimet e “World Wide Fund for Nature” dyfishojnë shifrat e Organizatës Botërore të Ushqimit (FAO), e cila fokusohet vetëm në atë që po ndodh në terren, por jo në hapat e ardhshëm në zinxhirin e furnizimit.
Mbetjet e ushqimeve në shtëpi që përfundojnë në plehra
Rreth 15% e ushqimit që prodhohet nuk largohet kurrë nga fusha, ose thertorja, por qëndron aty dhe kalbet. Duke kapërcyer fazat e tjera të zinxhirit të furnizimit, përqindja rritet deri në 40% dhe të gjitha para se të mbërrijnë në tryezën tonë. Ky është realiteti i shpërdorimit të ushqimit, paraqitur në raportin e organizatës së OKB-së, “Driven to waste”.
Këto shifra në fakt dyfishojnë vlerësimet e mëparshme, të llogaritura nga FAO. Agjencia e Kombeve të Bashkuara përdori kritere të ndryshme dhe më strikte, duke parë vetëm atë që ndodh në terren dhe gjatë korrjes. Në total, mbetjet e ushqimit arrijnë në 2.5 miliardë tonë në vit.
Të dhënat e reja tregojnë se rreth 58% e mbeturinave globale të ushqimit ndodhin në rajone me të ardhura të mesme dhe të larta, përfshirë Evropën. Një nga faktorët e shumtë që nxisin këto mbetje është mbiprodhimi bujqësor dhe ngopja e tregut, gjë që sjell uljen e çmimeve dhe krijon një problem strukturor që përjetëson mbetjet e ushqimit.
“Është e qartë se i aksesi në teknologji dhe trajnimi në ferma nuk është i mjaftueshëm. Vendimet e marra në zinxhirin e furnizimit nga bizneset dhe qeveritë kanë një ndikim të rëndësishëm në nivelet e ushqimit të humbur ose të shpërdoruar nëpër ferma”, -deklaroi Lilly Da Gama, nga “World Wide Fund for Nature”.
Shoqata mjedisore po lançon një paralajmërim për BE-në dhe për strategjinë “Farm to Fork”. Problemi është mungesa e vëmendjes që i kushtohet këtij segmenti të zinxhirit të furnizimit, ndërsa pjesa më e madhe e politikave kanë të bëjnë me luftën kundër mbetjeve në frontin e shitjes me pakicë dhe konsumatorëve. Ekspertët thonë se BE-ja ka neglizhuar prej kohësh rëndësinë e mbetjeve të ushqimit në fazat e hershme të zinxhirit të furnizimit. Sipas tyre, të dhënat e reja duhet të jenë një kambanë alarmi, pasi nuk mund të mbyllen më sytë para këtij realiteti, por duhet shtuar aksioni për të ndërvepruar.
Ushqimi që përfundon në mbeturina
Çdo vit, një e treta e ushqimit përfundon në mbeturina dhe rreth 768 milionë njerëz janë të kequshqyer. Të dhënat shokuese vijnë nga dokumentet e enteve dhe organizatave jofitimprurëse.
Ndërsa gati 800 milionë njerëz në mbarë botën vazhdojnë të vdesin nga uria, rreth një e treta e ushqimit të prodhuar çdo vit përfundon në mbeturina. Gjashtë vjet pas 2015-s, kur qeveritë e 193 vendeve anëtare të OKB-së nënshkruan "Axhendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm", rezultatet e arritura ende duken të pamjaftueshme për të garantuar konsumin dhe prodhimin e qëndrueshëm të ushqimit në një afat të shkurtër.
Sipas një raporti të fundit të OKB-së, 931 milionë tonë ushqim shpërdorohen çdo vit, ose rreth 17% e totalit. Një pjesë e mbetjeve ushqimore lidhet drejtpërdrejt me zakonet e konsumatorit. Ne blejmë më shumë ushqim sesa është e nevojshme dhe një pjesë e tij përfundon e mykur, ose skadon, kur bëhet fjalë për produkte të paketuara. Këto janë disa zakone të këqija mbi të cilat është e mundur të ndërhyhet.
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit mbi Shpërdorimin e Ushqimit, botoi një udhëzues me disa këshilla për konsumatorët që vijojnë si më poshtë:
Listë blerjesh në market
1. Bëni një dietë më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme. Jeta e shumë njerëzve është e vrullshme dhe përgatitja e vakteve ushqyese mund të jetë një sfidë, por pjatat e shëndetshme nuk duhet të jenë të përpunuara. Interneti është plot me receta të shëndetshme dhe të shpejta që mund t’i ndani me familjen dhe miqtë tuaj.
2. Blini vetëm atë që ju nevojitet. Planifikoni vaktet tuaja. Bëni një listë blerjesh dhe ndiqeni atë duke shmangur blerjet impulsive. Jo vetëm që do të humbet më pak ushqim, por gjithashtu do të kursehen para!
3. Mos e gjykoni ushqimin nga pamja, por zgjidhni edhe ato “të shëmtuarat”! Frutat dhe perimet me formë të çuditshme ose të mavijosura shpesh hidhen, sepse nuk përmbushin standardet arbitrare të paraqitjes. Mos u shqetësoni, ato kanë të njëjtën shije! Përdorni fruta të pjekura për lëngje dhe ëmbëlsira.
4. Ruani me kujdes ushqimin. Zhvendosni ushqimet më të kaluara në kohë në pjesën e përparme të frigoriferit apo dollapit dhe spostoni nga pas ato më të hershmet. Përdorni enë hermetike për të ruajtur ushqimin.
5. Kuptoni etiketën e ushqimit. Ekziston një ndryshim i madh midis fjalëve "të konsumohet mundësisht nga ..." dhe "të konsumohet nga ...". Ndonjëherë ushqimi është ende i sigurt pas afatit minimal të ruajtjes, ndërsa është data e skadimit që thotë kur është nuk është më e sigurt për t’u konsumuar. Kontrolloni etiketat që nxjerrin në pah përbërësit jo të shëndetshëm siç janë yndyrnat dhe konservuesit dhe shmangni ushqimet me shumë sheqer dhe kripë.
Foto:VCG
6. Merrni porcione më të vogla për të shmangur ushqimin e mbetur dhe nëse pjatat janë shumë të mëdha në restorant, ndajini ato me personat e tjerë në tavolinë.
7. Ruani mbetjet tuaja. Nëse nuk hani gjithçka që keni gatuar, i fusni në frigorifer për t’i përdorur më vonë, ose për t’i përdorur për një pjatë tjetër.
Në vend që të hidhni mbeturinat e ushqimit, përpiquni t’i përdorni në një tjetër formë. Në këtë mënyrë zvogëlohen gjurmët e karbonit.
8. Mbështetni prodhuesit vendorë të ushqimit. Duke blerë fruta dhe perime lokale, ju mbështesni fermat familjare dhe prodhuesit e vegjël në komunitetin tuaj. Në këtë mënyrë ju kontribuoni në luftimin e ndotjes, duke zvogëluar distancat e shpërndarjes me kamionë apo automjete të tjera.
9. Respektoni peshkimin. Hani lloje peshku që janë më të shumtë, të tilla si skumbri dhe harengë, në vend të atyre që rrezikohen më shumë nga peshkimi i tepërt, siç janë merluci dhe toni. Blini peshk që është kapur ose kultivuar në mënyrë të qëndrueshme, dhe ata me eko-etiketa ose certifikata të tjera.
10. Përdorni më pak ujë. Ne nuk mund të prodhojmë ushqim pa ujë! Por është e rëndësishme që fermerët të përdorin më pak ujë për të prodhuar ushqim. Reduktimi i mbetjeve të ushqimit zvogëlon në mënyrë indirekte përdorimin e burimeve ujore që janë përdorur për prodhimin e ushqimit.
11. Hani më shumë bishtajore dhe perime. Një herë në javë, përpiquni të hani një vakt me bishtajore ose drithëra si quinoa.
12. Rëndësia e ndarjes së ushqimit. Dhurojeni ushqimin që është i destinuar për të shkuar dëm. Në shumë vende ka aplikacione që mund të lidhin fqinjët me njëri-tjetrin ose me bizneset lokale për të ndarë ushqimin e tepërt në vend që ta hedhin atë.
Përgatiti: Irma Paloli