Nëse jeni nisur nga Tirana dhe po shkoni në Theth dhe keni nevojë për një ndalesë, më mirë se askund tjetër është të kaloni një natë tek “Baresha”, që ndodhet në një zonë shumë të bukur dhe mbase është shumë më mirë se çdo akomodim apo restorant që do të gjeni në Shkodër.

Por edhe si destinacion i vetëm, si një qasje drejt natyrës së virgjër, ajrit të pastër malor, akomodimit me standarde të larta dhe ushqimit fantastik, duhet të niseni drejt një fshati që e kemi eksploruar edhe më përpara, drejt Reçit dhe ta vazhdoni aventurën tuaj drejt një agroturizmi të ri, të paprovuar më parë. Fillimisht do ju risjellim në kujtesë se Malësia e Madhe është ajo pjesë e Alpeve shqiptare që ndoshta nuk njihet e vizitohet sa Thethi e Valbona, madje edhe vetë ajo është e ndarë në dy krahina thellësisht të spikatura, ku Kelmendi, me Vermoshin e Lëpushën, ngjan se është më i vizituar se Shkreli, që përfshin Razmën, Reçin apo Dedajn, fshatra që vetëm vitet e fundit kanë filluar të hyjnë në fjalorin turistik. Por Shkreli, kjo krahinë që quhet edhe Porta e Alpeve Shqiptare, është një zonë me karakteristika aq të veçanta, saqë del krejtësisht jashtë klisheve alpine që mund të keni pasur rastin të shijoni deri më sot.

Si të shkoni

Sapo të mbërrini në Reç, fshat për të cilin kemi folur edhe më përpara, (mjafton të dilni nga Shkodra dhe të merrni rrugën drejt Alpeve, duke ndjekur indikacionet e rrugës, kthehuni djathtas në rrugën që shkon drejt Thethit dhe pastaj vazhdoni përsëri djathtas për të shkuar në fshat. Menjëherë do të fillojnë t’ju shfaqen tabelat e reklamave të restoranteve të shumtë që janë hapur në këtë zonë, por ne do të drejtohemi tek “Baresha”, një agroturizëm relativisht i ri, por që në pak kohë ka fituar vlerësime dhe miq të shumtë. Aty synojmë të bëhemi edhe ne miq. Rruga për atje është në ngjitje, një rrugë e ngushtë, mes pemësh dhe shtëpive të fshatit. Në një segment ajo bëhet edhe më e ngushtë dhe kur shkon për herë të parë, nis e dyshon, nëse jeni në drejtimin e duhur, ndonëse herë pas here tabelat e vogla udhëzuese ku shkruhet Baresha shfaqen pas kthesash dhe ju ftojnë të vazhdoni ngjitjen.

Më në fund jemi në Qafë Gradë, në rreth 500 m lartësi nga niveli i detit, Baresha shfaqet, me të gjitha tërheqjet e saj.

Agroturizmi

Një pjesë e mirë e fshatarëve të zonës përreth punojnë për të furnizuar Bareshën me produkte bio. Mishi, patatja, djathi, janë të një cilësie shumë të mirë, pasi zona dallohet për prodhimin e tyre. Çdo gjë që ofrohet në restorant është e prodhuar nga zona. Ky fakt, bashkë me arkitekturën dhe arredimin e lokalit, por kryesisht me pozicionim e tij, e bëjnë Bareshën një destinacion që nuk duhet humbur.

E ndërtuar mes gështenjave, me material guri dhe druri, siç është edhe tradita e zonës, e alternuar me fasada të mëdha xhami që i japin një prekje moderne ndërtesës, restoranti të fton të ulesh e të çlodhesh. Përjashta, rreth e rrotull tij, ndodhen tavolina prej druri, ndërsa në oborrin e madh, poshtë një gështenje madhështore gjenden sofra të vogla, ku vizitorët mund të hanë këmbëkryq, të ulur mbi jastëkë. Një lëkundëse prej druri, mbahet nga dy litarë në degën e fuqishme të gështenjës dhe i fton të vegjëlit, t’i rikthehen lodrave në natyrë. Natyra jashtë është e mrekullueshme me diell, male, gështenja dhe heshtje. Ndërsa brenda qilimet me motivet e veriut, lahuta dhe çiftelia dekorojnë muret, duke ju kujtuar në çdo moment mikpritjen e tyre. Lokali është hapur vetëm para një viti, në kulmin e pandemisë, megjithatë, sapo gjërat nisën të qetësohen, ai u kthye në destinacionin fantastik të shijes, pasi ushqimi këtu është i mrekullueshëm.

Çfarë të hani

Ndryshe nga vendet e tjera ku ushqimi vërtet është bio dhe i shijshëm, por gatimet janë pak a shumë të njëjtat, tek Baresha do të gjeni shije, ushqime organike dhe mbi të gjitha pjata të ndërtuara me fantazi nga profesionistë, ku tradita kapërcen limitet e saj, duke u bërë joshëse, eksperimentuese, estetike dhe e parezistueshme. Kështu ju nuk mund t’i rezistoni mesoreve, ku do të gjeni djathë dhije të skuqur, të mbështjellë me petë krokante e të spërkatur me mjaltë e arra, laknurit me miell misri e purri, byrekut me gjizë e kunguj, qoftet me lëng servirur, turshitë, sallatën e përzier, patatet e furrës, mazën e zier. Shoqëruar me raki ftoi, kumbulle apo verë të kuqe, të gjitha produkte të shtëpisë, ju do të keni ndjesinë e mrekullueshme të një tavoline të mbushur plot, ku mbretëron mishi i viçit, apo i kecit, sipas sezonit. Në zgarë apo në furrë, zgjedhja është e juaja. Një tryezë e tillë për katër persona kushton rreth 6 – 7 mijë lekë, por kurresi nuk do të ndjeheni të penduar se vërtet ia vlen. Një sugjerim, përpara se të jepni porositë, këshillohuni me kamerierët, të cilët janë mjaft korrekt dhe profesional në punën e tyre. Ata do ju rekomandojnë sasinë e duhur që asnjë të mos teprojë në tavolinën tuaj.

Hoteli

Një fundjavë ideale do të ishte një fundjavë ku edhe të flini mes maleve të veriut, në një atmosferë të tillë mikpritëse dhe frymëzuese. Baresha disponon katër dhoma dopio dhe një dhomë familjare për katër persona të arreduara shumë bukur dhe me standarde të larta. Një dhomë dopio kushton 4 mijë lekë, ndërsa një dhomë familjare kushton 6 mijë lekë.


Çfarë të bëni tjetër

Shumë interesante është shpella e Pllumbave. Rrugës në drejtim të Qafë Gradës, në një shteg të shenjuar dhe të lehtë për tu kaluar, përmes një mali shkëmbor të mbushur me shkurre dëllinjash dhe bimë medicinale, si sherbela, apo livando, mund të vizitoni këtë shpellë të bukur, e pasur me stalaktite dhe stalakmite. Jo shumë larg qendrës së Reçit, në lagjen Prelnikaj gjenden puset e Reçit ose siç i thonë banorët Krenzat. Këto janë katër puse uji rreth 100 vjeçare të ndërtuar me gryka guri, ku dikur bluante drithin e gjithë zona e Shkrelit. Sot ato shërbejnë si një atraksion turistik dhe bashkë me kanionet e shpellat e shumta të fshatit, janë mënyra më e mirë për ta kombinuar aktivitetet.

Njëherë e një kohë kjo zonë njihej për dhjetëra mullinjtë që ishin ndërtuar aty. Sot mund të vëresh rrënojat e mullinjve, si dhe së largu kodrën ku ndodhet Kalaja e Ballzës (ku gjenden rrënojat e një kishe të vjetër, kisha e Shën Gjergjit). Interesant është fakti se këmbana e artë që u gjend në këtë kishë, ruhet në Vatikan, si një ndër tre këmbanat unike prej ari.

Sezoni më i mirë për të vizituar zonën është vjeshta pasi mund të bëni piknik në pyllin e gështenjave dhe t’i mblidhni ato.

Neritana Kraja