Sezoni turistik veror 2021
Vera e gjatë mesdhetare bën që në bregdetin shqiptar të shohësh plazhistë që notojnë apo marrin rreze dielli deri në tetor, për t’iu rikthyer këtij rituali sërish në fillim të prillit. Sipas ekspertëve të turizmit, bilanci paraprak i këtij sezoni turistik veror paraqitet optimist, edhe pse larg niveleve të parakrizës pandemike. Në këtë sezon veror vendin kryesor mes pushuesve e zunë vendësit, që për shkak të kufizimeve pandemike preferuan t’i kalojnë ditët e nxehta verore në atdhe, emigrantët që si çdo vit u rikthyen, por dhe turistët nga rajoni. Edhe pse këtë sezon veror turistik u shtua numri i hyrjeve të udhëtarëve nga jashtë në bregdetin shqiptar, operatorët turistikë thonë se shifrat e turizmit janë ende larg niveleve të vitit 2019, kur janë shënuar rekorde turistësh. Turistët nga vendet e Ballkanit, kryesisht Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia tashmë përbëjnë një numër të konsiderueshëm në bilancin e turizmit veror të këtij viti. Falë akomodimit të tyre në banesa private apo hotele ata kontribuuan në rritjen e të ardhurave të operatorëve turistikë shqiptarë, që prej dy vitesh përballen me vështirësi të mëdha financiare.
E sapozgjedhur në krye të Ministritë së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro foli para deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë këto ditë për pritshmëritë e sezonit të ardhshëm turistik, duke e vënë theksin te mjedisi i pastër.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit (Ora News)
Ajo u shpreh se “pa një mjedis të pastër nuk mund të kemi një turizëm cilësor, e aq më pak eko-turizëm që është aseti më i madh për zhvillimin e turizmit shqiptar, së bashku me atë bregdetar që praktikisht është dyndja më e madhe e turistëve vendës dhe të huaj”.
Gjatë fjalës në Kuvend, ministrja e turizmit tha se “Zonat bregdetare me një gjatësi prej 420 km janë nga më produktivet sa i përket larmisë së habitateve, zhvillimit urban, ekosistemeve, bizneseve, por edhe një zonë me shumë paradokse, me konflikte për përdorimin e tokës, kjo kërkon një përgjigje të organizuar shumë mirë”.
Ndërkohë për ministren Kumbaro është me rëndësi krijimi i një kornize rregullatorë të posaçme për bregdetin. Ajo bëri të ditur se “Një draft ligj është në këtë proces, me objektiva shumë të qarta: garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm të zonës, dhënien e një statusi të veçantë juridik të zonës, përcaktimi i bregut të detit si pronë e patjetërsueshme, ndalimin e ndërtimeve si edhe disiplinimin e ndërtimeve. Në vijim është edhe reformimi i strukturave ekzistuese për ta zgjidhur një herë e mirë këtë mjegullnajë, që problematikat të adresohen më mirë”.
Kryeministri Edi Rama në Kuvend (Balkanweb)
Lidhur me strategjinë për turizmin në sezonin e ardhshëm Kumbaro tha se “do të ketë një bashkëpunim shumë të ngushtë me bashkitë, ndarje të territorit në rajone monitorimi, krijimin e njësisë suplementare për sezonin e verës dhe planifikimin e stacioneve të plazhit që në dy muajt e parë të vitit. Puna për organizimin e sezonit të ardhshëm turistik në bregdet ka filluar”.
Në të njejtën linjë është shprehur dhe kryeministri Edi Rama deklaroi pë në Kuvend se mbrojtja e mjedisit do të jetë nga prioritet e qeverisë, në mandatin e saj të tretë.
“Në fillim pastërtia, pastaj të gjitha të tjerat. Rritja e konsumit, e veprimtarisë ndërtimore e turizmit nuk mund të shoqërohet me rritjen e papastërtisë me rritjen e pranisë së plehrave në ambientet tona të përbashkëta”, u shpreh Rama.
Sipas tij, bashkitë që nuk pastrojnë dhe menaxhojnë si duhet plehrat nuk do të përfitojnë asnjë lloj granti të pa kushtëzuar nga buxheti i shtetit. “Ne nuk do të tolerojmë mbylljen e syve të pushtetit vendor për ndërtimet pa leje, që do të jenë shënjestra prioritare e Policisë së Shtetit bazuar në ligjin që kemi riparë dhe riforcuar në këtë funksion. Ne duam ta bëjmë Shqipërinë e 2030-s, kampione të Ballkanit Perëndimor në turizëm. Por për t’ia dalë këtij objektivi ambicioz duhet të garantojmë pastërtinë”, tha Rama.
Turizëm 2021 (Anabel)
Ndërsa lidhur me sezonin turistik ai tha se, “sezoni i turistik i këtij viti ishte sa një motiv optimizmi për të ardhmen, për nga numri i madh i turistëve por aq edhe një kambanë alarmi për pastërtinë e ndërtimet pa leje, duke filluar nga zonat turistike”.
“Këto dy armiq shpërfillës të së ardhmes së këtij vendi, do të vihen në ndërveprim qysh nga janari i vitit të ardhshëm. Vija bregdetare e Shqipërisë një mrekulli dhe pasuri, prej të cilës mund të përfitojë çdo vit e më tepër ekonomia jonë kombëtare, duhet parë si pasqyra e atdhedashurisë që do të reflektojë përgjegjshmëri patriotike dhe qytetare”, deklaroi Rama.
Turizmi shqiptar arriti të rikuperojë thuajse tërësisht humbjet e pandemisë, falë rritjes së numrit të vizitorëve nga Kosova, rajoni, por edhe përtej. Këtë raportojnë të dhënat e INSTAT, që flasin për 1.5 milionë hyrje shtetasish të huaj në Gusht, thuajse në të njëjtat nivele me vitin 2019.
Lehtësitë për të hyrë në Shqipëri, pa nevojë për tampon apo karantinë, si dhe shtimi i një sërë linjash direkte ajrore mundësuan ardhjen e një numri ndjeshëm më të lartë vizitorësh se sa në 2020, ku për 8-mujorin shifra zyrtare arriti në 4.3 milionë.
Sipas INSTAT, shqiptarët e Kosovës përbënë sërish grupin kryesor të turistëve në vend, që erdhën më të shumtë edhe se përpara pandemisë. Ndjekur nga shtetasit e rajoneve të tjera, ku përfshihet Arabia Saudite, Egjipti, India apo Bangladeshi; e më pas grupet tradicionale si Maqedonia e Veriut, Italia, Mali i Zi, etj.
Pavarësisht nivelit të ulët të shpenzimeve të këtyre vizitorëve të rinj, ku tur operatorët përfituan minimalisht, sipas operatorëve turizmi në tërësi pati më shumë të ardhura dhe kjo konsiderohet si diçka pozitive. Një raport nga Instituti i Statistikave bën të ditur se para COVID-19, në sektorin e turizmit në vitin 2019 ishin të punësuar rreth 64,000 njerëz dhe se ai kontribuoi me rreth 3.23 për qind në PBB-në e vendit.
Eda Merepeza