Kanë kaluar më shumë se 10.000 vjet qëkur mamuthët endeshin në planet dhe një grup shkencëtarësh duan të përdorin teknologjinë e modifikimit të gjeneve për të ringjallur krijesat. Një sipërmarrje e quajtur “Colossal” njoftoi se ka siguruar fonde që mund të rikthejnë mijëra mamuthë në Siberi.

Mamuthët

Mamuthët

"Ky është një moment historik për ne", -tha George Church, një gjenetist në “Harvard” dhe “Massachusetts Institute of Technology” (MIT), në një intervistë për “New York Times”. Diskutimet e mëparshme për ringjalljen e kafshëve të zhdukura prej kohësh, si mamuthi leshator kanë qenë kryesisht teorike, por “Colossal” ka ndërmarrë shumë nga hapat e parë të nevojshëm për të ringjallur krijesën duke përdorur një teknologji të modifikimit të gjeneve të quajtur CRISPR.

Për shkak se mamuthët leshatorë dhe elefantët aziatikë kishin një paraardhës të përbashkët rreth 6 milionë vjet më parë, Church ishte optimist se ai mund të rishkruante ADN-në e elefantit për të prodhuar diçka që dukej dhe sillej si një mamuth duke përdorur teknologjinë CRISPR, që vepron si një mjet kopjimi për kodin gjenetik.

"Qëllimi ynë është që të krijojmë një elefant rezistent ndaj të ftohtit, por ai do të duket dhe do të sillet si një mamuth", -tha Church për “The Guardian”, duke shtuar se synimi i tyre është që të sjellin në jetë diçka funksionale ekuivalente me mamuthin, i cili e kalon kohën në -40°C.

Shkencëtarët krahasuan gjenomet nga fragmentet e ADN-së së mamuthit të mbijetuar me ato të elefantëve modernë dhe përcaktuan dallimet më të mëdha.

Duke ndryshuar disa gjene për të prodhuar lëkurë leshatore më të dendur ose një shtresë më të trashë yndyre, ekipi shpreson të krijojë një kafshë me karakteristika të ngjashme me të mamuthëve. Church dhe kolegët e tij planifikojnë të krijojnë një mitër mamuth artificiale të veshur me inde të marra nga qelizat burimore për të rritur fetusin. Ata janë optimistë se do të prodhojnë një hibrid elefant-mamuth brenda viteve të ardhshme dhe shpresojnë të kenë një mamuth të plotë leshator brenda dekadës.

Ekipi i “Colossal” thotë se projekti është më shumë se një gjetje shkencore. Kthimi i mamuthëve mund të përmirësojë peizazhin Arktik duke zvogëluar myshkun dhe duke rritur kullotat, sipas “New York Times”. Kritikët thonë se ka pak dëshmi se mamuthët mund të ndihmojnë në këtë drejtim dhe në vend të kësaj rekomandojnë mënyra më efektive për të rregulluar mjedisin sesa ringjallja e krijesave të zhdukura prej kohësh.

"Nuk ka absolutisht asnjë të dhënë që të tregojë se risjellja në jetë e mamuthëve do të ketë ndonjë efekt në ndryshimet klimaterike", -tha Love Dalén, një paleogjenetik në Qendrën për Paleogjenetikë në Stokholm, Suedi, në një intervistë për “CNN”. Edhe nëse “Colossal” arrin të bëjë këtë, ringjallja e stilit “Jurassic-Park” krijon dyshime dhe shqetësime në komunitetin shkencor. Ka shumë dilema etike në lidhje me ringjalljen e kafshëve të zhdukura, veçanërisht duke pasur parasysh se shkencëtarët nuk dinë shumë për biologjinë dhe sjelljen e tyre.

Mamuthët leshatorë

Mamuthët leshatorë

Sido që të jetë, ekipi ka ende pengesa të mëdha për të kapërcyer para se mamuthët e vegjël të futen në tundrën siberiane, duke përfshirë krijimin e një mitre artificiale që mund të mbajë një fetus 90 kg për periudhën gati dyvjeçare të rritjes embrionale.

Kthimi në jetë i specieve të zhdukura është një ide që shkenca e ka ruajtur për dekada, e cila është bërë pjesë e imagjinatës kolektive me dinozaurët e "ringjallur" në sagën e “Jurassic Park”.

Por nëse ringjallja e zvarranikëve të mëdhenj të zhdukur 66 milionë vjet më parë është ende e pamundur prej një sërë pengesash praktike, vitet e fundit ka dalë një version me sa duket më i realizueshëm i këtij projekti: rijetësimi i mamuthit leshator, i cili është zhdukur vetëm 5000 vjet më parë, ADN-ja e të cilit është në dispozicionin të shkencëtarëve në mostrat e panumërta të indeve që janë ruajtur në ngrirje.

Herë pas here në skenë shfaqet një vizionar i ri i cili pretendon se ka gjetur një mënyrë për të klonuar mamuthët. Të fundit në rendin kronologjik janë themeluesit e start-up-it “Colossal”, të cilët kanë siguruar rreth 15 milionë dollarë fonde, për të filluar projektin e tyre për të rikthyer në jetë mamuthin.

“Colossal” u themelua nga profesori i gjenetikës në “Harvard” George Church dhe sipërmarrësi kompjuterik Ben Lamm. Qëllimi i start-up-it është të përdorë inxhinierinë gjenetike dhe në veçanti teknologjinë CRISPR për të shpëtuar speciet ekzistuese dhe të rrezikuara, për shembull duke i klonuar ato, nëse nuk ka më ekzemplarë të mjaftueshëm në natyrë. Por, të dy janë të bindur se e njëjta teknologji mund të vihen në shërbim të projekteve më ambicioze, siç është rikthimi i një specieje të zhdukur.

Zgjedhja e mamuthit leshator është pothuajse e qartë, pjesërisht sepse është relativisht e lehtë të shtihesh në dorë ADN-në e tij, dhe pjesërisht për shkak të vlerës së tij simbolike. Por, sipas “Colossal”, ringjallja e mamuthit do të kishte gjithashtu pasoja pozitive për klimën. Ambicia është që ata të kthehen të kullosin në tundër, ku prania e tyre, sipas Church dhe Lamm, do të ndihmonte tokën të rigjenerohej dhe të bllokonte lëshimin të sasive të mëdha të dyoksidit të karbonit dhe metanit të bllokuar në të.

Ideja e shuarjes së një specie për të shpëtuar një ekosistem të tërë është magjepsëse, por i gjithë projekti i ringjalljes së mamuthit paraqet një sërë problemesh që duhet të adresohen para se të vazhdohet.

Një specie e elefantëve antikë

Një specie e elefantëve antikë

Para së gjithash, siç thekson në “Twitter” Tori Herridge, një biologe evolucionare në Muzeun e Historisë Natyrore në Londër, nuk është e mjaftueshme të pyesësh nëse mamuthët mund të shpëtojnë vërtet tundrën, por duhet pyetur se sa mamuthë duhen për të arritur këtë rezultat, dhe nëse është e arsyeshme të mendohet se mund të trajtohen miliona ekzemplarë, jo disa dhjetëra, duke marrë parasysh miliona kilometra katrorë të ngricës së përhershme.

Pastaj është fakti se kafsha që do të kthehej në jetë nuk do të ishte një mamuth leshator, por një hibrid artificial i krijuar nga një elefant aziatik i modifikuar me gjene mamuthi leshator të lidhura me aftësinë e tij për t'i bërë ballë të ftohtit. Sipas Herridge, po flitet për një specie të re, futja e së cilës në natyrë mund të ketë pasoja të papritura, të cilat gjithashtu ngrenë dyshime etike, gjë që duhet zgjidhur para se “Colossal” të jetë në gjendje të përmbushë pritshmëritë.

Përgatiti: Irma Paloli