Siç ndodh fatkeqësisht gjatë verës, edhe viti 2021 u karakterizua nga një sërë vatrash zjarri në dukje të pafund që goditën pothuajse kudo në Evropë dhe shumë vende të tjera të botës. Një katastrofë që ka gjasa të përkeqësohet edhe në vitet e ardhshme, sepse ndryshimi i klimës po krijon situata që janë gjithnjë e më të favorshme për zjarre, periudha të zgjatura të thatësirës, valë të të nxehtit.
Dëmet e shkaktuara në natyrë nga zjarret
Margaret Kinnaird, përgjegjësja globale e projekteve të kafshëve të egra në “World Wide Fund”, deklaroi se zjarret që zhvillohen jashtë modeleve natyrore po rrezikojnë mbijetesën e kafshëve të egra, të cilat përfundojnë duke u djegur ose mbytur nga tymi, ose duke u gjetur me habitatin e shkatërruar. Craig Hilton-Taylor, kreu i njësisë së Listës së Specieve të Rrezikuara të “The International Union for Conservation of Nature” (IUCN), shpjegon se ka kaq shumë zjarre në të njëjtën kohë sa nuk është e lehtë të kuptosh se cilat kanë ndikimin më të madh dhe në cilat specie.
Sidoqoftë, kemi të paktën një ide të përgjithshme të situatës. “World Wide Fund” shpjegon, për shembull, se në Turqi zjarret po rrezikojnë habitatin e rrëqebullit të shkretëtirës, bufit mbretëror dhe shumë lloje të tjera të specieve lokale, për një total prej 121 të tilla në rajonin e Antalias dhe 87 në atë të Muğla-s.
Në Rusi, zjarret në Yakutia kërcënojnë habitatet e një liste shumë të gjatë të gjitarëve dhe zogjve. Në Francë, flakët kanë vënë në rrezik rezervatin natyror “Plaine des Maures”, një nga habitatet e fundit të mbetura të breshkës në Evropë. Në rajonin e Atikës, në Greqi, zona e fundit në jug të vendit ku jetonin dreri i kuq dhe ujku u shkatërrua. Zjarret në Aspromonte të Italisë, ndër të tjera, po rrezikojnë habitatin e driomit (Dryomys nitedula), një brejtës i vogël, që është në rrezik zhdukjeje në nivel lokal.
Në Sardenjë, nga ana tjetër, një nga rajonet me biodiversitetin më të lartë në Evropë, ka më shumë se një specie endemike në rrezik: nga dreri sard, i shpëtuar tashmë nga zhdukja në vitet ‘80, deri te thëllëza e zonës.
Alarmi i “World Wide Fund” pas zjarreve në Evropën e Jugut është shqetësues. Shumë specie rrezikojnë zhdukjen në shumë zona të botës. Të dhënat flasin qartë dhe tregojnë se jeta e egër është në rrezik të jashtëzakonshëm. Është një fenomen që fatkeqësisht ndodh çdo verë, por çdo vit situata duket të jetë gjithnjë e më tragjike. Dhe sipas organizatës botërore, edhe për shkak të ndryshimit të klimës, zjarret janë të destinuar të bëhen gjithnjë e më katastrofikë.
“World Wide Fund” flet për një masakër të vërtetë. Dëmi i shkaktuar nga flakët, në fakt, është shpesh i pallogaritshëm dhe jeta e egër duket të jetë viktima e vërtetë. Agjencia franceze e shtypit “AFP” ka mbledhur deklaratat e disa ekspertëve, të cilët kanë bërë analiza të zjarreve dramatike në verën e vitit 2021 dhe rezultatet vetëm pozitive që nuk janë.
Zjarret rrezikojnë faunën e egër
Për t'u marrë me intensifikimin e zjarreve në Mesdhe ka nevojë për një analizë të plotë të shkaqeve të zjarreve në nivel lokal dhe një planifikim të mirëkoordinuar të zjarrit me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve lokalë e kombëtarë, përveç përndjekjes së rëndë të akteve krimanale që shpesh janë origjina e zjarreve. Ekspertët mendojnë se duhet ndryshuar rrënjësisht qasja që duhet ndjekur. Nga vetëm menaxhimi i urgjencës duhet kaluar në mirëmbajtjen e tokës dhe parandalimin e situatës.
Sipas “World Wide Fund”, vetëm në këtë mënyrë do të jetë e mundur të shmangen zjarret shkatërruese dhe në shkallë të gjerë si ato që përfshinë shumë vende gjatë kësaj vere. Është vendimtare të rritet ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe të zhvillohen plane parandaluese reale dhe efektive lokale, përfshirë menaxhimin e pyjeve, rritjen e elasticitetit të ekosistemeve, si dhe menaxhimin e duhur të infrastrukturës dhe rrjeteve të transportit.
"Pasojat janë shkatërruese për biodiversitetin mesdhetar dhe, natyrisht, për njerëzit, pronat e tyre dhe ekonominë në përgjithësi. Sidoqoftë, efektet e zjarreve në pyje nuk ndalen kur shuhen, pasi pyjet e shkatërruara nuk mund të ofrojnë më shërbimet e shumta që i ofrojnë komunitetit: zvogëlimi i rrezikut hidrogjeologjik, mbrojtja e tokës nga erozioni, thithja e karbonit, rregullimi i ciklit të ujit, mbrojtja e biodiversitetit, zvogëlimi i efekteve të ngjarjeve ekstreme si valët e të nxehtit, si dhe përfitime të rëndësishme për turizmin dhe aktivitetet rekreative në përgjithësi”, -deklaroi Isabella Pratesi, drejtoreshë e programit të “World Wide Fund Italy Conservation”.
Sipas saj, fatkeqësisht, zjarret që godasin Mesdheun janë pasojë e një problemi jashtëzakonisht serioz dhe shqetësues: krizës klimaterike. Emergjenca që rrezikon mirëqenien dhe të ardhmen tonë në planet duhet të na shohë menjëherë operacionalë, për të zvogëluar emetimet e gazeve serrë dhe për të forcuar elasticitetin e ekosistemeve.
Zjarret që djegin pyjet
Po aq e rëndësishme është edhe të ketë një planifikim adekuat për menaxhimin e zonave të përziera, zona urbane dhe pyjore, ndërsa në të njëjtën kohë, mekanizmi i mbrojtjes së jetës së njerëzve duhet të përmirësohet në mënyrë drastike. Vetëm një përpjekje civile globale do të mundësojë të zvogëlohet rreziku i zjarreve dhe dëmet e shkaktuara nga këto ngjarje shkatërruese, duke shpëtuar një trashëgimi të paçmuar të natyrës dhe duke u dhënë komuniteteve të njerëzve më shumë mundësi për t'u përballur me krizën klimatike dhe për t'u përshtatur me ndryshimet që janë të pashmangshme sot.
Planeti ynë është nën kontrollin e zjarreve. Nga Italia në Greqi, nga Tunizia në Algjeri, nga Turqia në Siberi, flakët dhe tymi arritën deri në Polin e Veriut. Ne jemi dëshmitarë të katastrofave të mëdha në shumë zona, veçanërisht në Mesdhe, ku zjarret e fundit në pyje prekën qindra njerëz dhe qendra të banuara, por edhe aktivitete ekonomike, ekosisteme vitale dhe numër të panumërt të kafshëve. Ndërkohë, të dhënat e publikuara nga Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA) tregojnë se korriku 2021 ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Tokë.
Përgatiti: Irma Paloli