“fermë ere”në provincën Hunan të Kinës Jugore(VCG)

“Fermë ere”në provincën Hunan të Kinës Jugore(VCG)

Me shtimin e rreziqeve nga ndryshimet klimatike, financa e gjelbër po zë një peshë gjithnjë e më të madhe në agjendën e politikëbërësve dhe të rregullatorëve të vendeve të ndryshme, teksa kërkohen investime të mëdha për të nxitur kalimin global drejt një ekonomie me lëshim të ulët karboni.

Në Kinë, ku qeveria synon arritjen e kulmit të lëshimit të karbonit para fundit të vitit 2030 dhe realizimin e asnjanësimit të karbonit brenda vitit 2060, vlerësohet që duhen dhjetëra trilionë dollarë amerikanë për të arritur këto objektiva, mirëpo fondet qeveritare mund të mbulojnë vetëm një pjesë të kësaj kërkese.

Për këtë arsye, Kina, duke ruajtur politikat për të nxitur investimet në zhvillimin e gjelbër, po punon për të krijuar një sistem politik që mbështet veprimtarinë financiare me tregun në bazë, dhe ka bërë përpjekje për të ndihmuar vendet në zhvillim për të përballuar ndryshimet klimatike dhe tranzicionin global drejt zhvillimit të gjelbër.

Foto: Në një ekran gjigant shfaqen informacionet në kohë reale për tregtimin kombëtar të lëshimit të karbonit, qyteti Wuhan, 16 korrik 2021 (Xinhua)

Foto: Në një ekran gjigant shfaqen informacionet në kohë reale për tregtimin kombëtar të lëshimit të karbonit, qyteti Wuhan, 16 korrik 2021 (Xinhua)

Politika nga niveli më i lartë deri në bazë

Në vitin 2016, Banka Popullore e Kinës, banka qendrore kineze, pas bashkërendimit me departamente të tjera, nxori një udhëzim për të ndërtuar një sistem të financimit të gjelbër, që ishte korniza e parë e politikave të tilla në botë e miratuar dhe e krijuar nga qeveria e një vendi.

“Zhvillimi i gjelbër nuk do të realizohet vetëm me përpjekjet e qeverisë dhe as vetëm me forcat e tregut”, tha për “Xinhua” Lei Yao, zv.drejtor i Institutit të Studimeve Financiare të Bankës Popullore të Kinës.

Sipas tij, për të mbështetur zhvillimin e gjelbër, sektorët financiarë kanë tre role kryesore, që përkatësisht janë: shfrytëzimi i burimeve financiare në këtë sektor nëpërmjet politikave përkatëse, shtimi i kapaciteteve të sistemit financiar kundër rreziqeve të lidhura me ndryshimin klimatik, si dhe lehtësimi i tregtimit në tregun kombëtar të karbonit.

Kina ka përparuar shpejt në zhvillimin e sistemit dhe të tregut të saj të financës së gjelbër. Para fundit të vitit të kaluar, kreditë dhe bonot e gjelbra në Kinë arritën përkatësisht në 1.8 trilionë dhe 125 miliardë dollarë amerikanë, duke u radhitur në vendin e parë dhe të dytin në botë.

Në mesin e korrikut të sivjetshëm, filloi funksionimin zyrtar tregu i karbonit i Kinës, më i madhi i këtij lloji në botë për nga mbulimi i lëshimit të gazrave serrë. Ky është një hap tjetër për të ndihmuar në uljen e lëshimit të karbonit.

Në nivel vendor, në gjashtë njësi administrative në nivel province janë krijuar zona pilot të reformës dhe risive të financës së gjelbër. Tani për tani, vëllimi i kredive të gjelbra në këto rajone është 4 % më i lartë në krahasim me pjesën tjetër të vendit.

Foto: Panele fotovoltaike në një bazë të rritjes së peshkut në kontenë Helan të qytetit Yinchuan, në Rajonin Autonom Ningxia-Hui të Kinës Veriperëndimore, 24 gusht 2021.(Xinhua)

Foto: Panele fotovoltaike në një bazë të rritjes së peshkut në kontenë Helan të qytetit Yinchuan, në Rajonin Autonom Ningxia-Hui të Kinës Veriperëndimore, 24 gusht 2021.(Xinhua)

Nxitje bashkëpunimi global

“Kemi ndjekur në vitet e kaluara se si financa klimatike u bë një ndër bizneset kryesore të institucioneve financiare dhe Kina ka ndihmuar në mënyra të ndryshme për të nxitur këtë fazë kalimtare,” thotë Deborah Lehr, zv.kryetare dhe drejtore ekzekutive e Institutit Paulson.

Në vitin 2016, gjatë kryesimit të Kinës, financa e gjelbër u përfshi për herë të parë në agjendën e Samitit të G20-s. Kina propozoi njëkohësisht formimin e një grupi studimor për financën e gjelbër, i cili më vonë u bë Grupi Studimor i Financës së Vazhdueshme i G20-s. Tani ky grup bashkëdrejtohet nga Banka Popullore e Kinës dhe Departamenti amerikan i Thesarit.

Që nga viti 2015, kur Kina shpalli krijimin e Fondit të Bashkëpunimit të Klimës Jug-Jug, ajo ka krijuar zona demonstrimi me shkarkim të ulët karboni dhe projekte përkatëse në vendet në zhvillim, për t’i ndihmuar në ngritjen e aftësisë së tyre për të përballuar ndryshimin klimatik.

Përvojat e Kinës në financën e gjelbër, duke përfshirë krijimin e tregut të karbonit dhe të zonave pilot, mund të ndikojnë veprimtarinë e ardhshme në ndërthurjen e financës me përballimin e ndryshimit klimatik dhe mbrojtjen e biodiversitetit, tha znj. Lehr.

Ndërkohë, Kina ka punuar me ekonomi të tjera, si Bashkimi Europian, për të caktuar standarde globale për financën e gjelbër.

Nëpërmjet publikimit të një katalogu të ri për projektet e bonove të gjelbra, autoritetet financiare kineze kanë dhënë një përkufizim standard të këtyre projekteve, duke unifikuar standardet e rregullatorëve të ndryshëm dhe duke i përshtatur më mirë ato me standardet ndërkombëtare.

Foto: Punëtorë duke instaluar një turbinë ere në një “fermë ere” në qytetin Fuqing të provincës Fujian të Kinës, 12 qershor 2020 (Xinhua)

Foto: Punëtorë duke instaluar një turbinë ere në një “fermë ere” në qytetin Fuqing të provincës Fujian të Kinës, 12 qershor 2020 (Xinhua)

Drejt një rruge të gjelbër

Sipas një raporti studimor të publikuar sivjet nga Instituti Kombëtar i Studimeve Financiare i Universitetit Tsinghua, investimet vjetore në projektet me lëshim të ulët të karbonit në Kinë tani janë tre herë më shumë në krahasim me nivelin e parashikuar para pesë vjetësh.

Pritet të bëhet përparim edhe në rritjen e stimujve për financimin e gjelbër dhe harmonizimin e standardeve të financimit të gjelbër në Kinë dhe në Europë.

Përballë objektivave për karbonin në vitet 2030 dhe 2060, Lei Yao tha se pesë vjetët e ardhshëm do të jenë një periudhë kritike dhe se banka qendrore do të vazhdojë të hedhë bazat për kornizën e financimit të gjelbër nëpërmjet mbështetjes së një sistemi kombëtar të llogaritjes së karbonit dhe përmirësimit të standardeve të financës së gjelbër.

Përparësitë e tjera në agjendën e bankës qendrore përfshijnë shtimin e publikimit të informacioneve dhe forcimin e parandalimit të rreziqeve që mund të sjellin ndryshimet klimatike.

“Në të ardhmen, banka qendrore do t’i përfshijë rreziqet e lidhura me klimën në kornizën e makropolitikave të saj të kujdesshme,” tha Lei.

Ai bëri të ditur se Banka Popullore e Kinës po punon lidhur me një dokument të ri për financën e gjelbër pas shpalljes së udhëzimit të 2016-s, dhe synon të bashkëpunojë me Bashkimin Europian për të hartuar sivjet një taksonomi mbi financën e gjelbër brenda kornizës së Platformës Ndërkombëtare të Financës së Vazhdueshme.

“Gjithashtu, do të inkurajojmë bankat, institucionet e investimeve dhe kompanitë e menaxhimit të fondeve të bëjnë investime të gjelbra e me lëshim të ulët karboni jashtë vendit,” shtoi studiuesi i Bankës Popullore të Kinës.(Zhang Yan/Artan)