Intervistë me analisten Marsela Musabelliu

CMG: Afganistani është në fokus të diplomacisë ndërkombëtare dhe të medieve. Në vlerësimin tuaj si paraqitet situata aktuale në Afganistan?

Refugjatët afganë (Reporter.al).jpg

Refugjatët afganë (Reporter.al).jpg

Marsela Musabelliu: Afganistani ka qenë prej shekujsh një fushë beteje e fuqive globale, por kurrë nuk është mposhtur dhe prandaj i është dhënë edhe emёrtimi "Varreza e Perandorive". Fatkeqësisht, lufta e fundit në Afganistan përfundoi ashtu siç filloi, pa arsye të qënësishme dhe pa rezultat. Vendi tashmë është edhe një herë në një udhëkryq historik, social dhe politik.

Skenat kaotike të Kabulit gjatë muajit gusht kanë hedhur dritë mbi një realitet të hidhur në Azinë qendrore. Por mbi të gjitha kanë hedhur dritë mbi faktin se imponimi i një sistemi, grupi vlerash, mëndësie dhe ajo që quhet procesi i “nation-building” ose shqipëruar rindërtimi i një kombi, nuk funksionon me impute të jashtme e aq me pak me presion politik, ushtarak ose me forcë. Popujt duhet të kenë një rritje, zhvillim dhe evolim organik, pra brenda vetes dhe nga vetja.

Skenat e Kabulit me evakuim ambasadash janë lehtësisht të krahasueshme me skenat në Saigon 1975 ose si njihet sot Ho Chi Min. Që ushtria amerikane dhe forcat e NATO-s do të largoheshin nga Afganistani kjo ishte e ditur, çfare nuk dihej ishtë mënyra, dhe mënyra e largimit të trupave ishte kaq katastrofike, duke lënë pas një kasaphanë njërëzore. Ai vend, në të cilin janë hedhur 300 milion dollarë në ditë për 20 vjet me radhë, mori gjithçka përveç stabilitetit.

CMG: Situata vazhdon të mbetet e tillë, pavarësisht ardhjes në pushtet të talibanëve dhe përpjekjeve të tyre për të krijuar qeveri, që mbeten për t’u parë. Shqipëria është një derë e hapur për refugjatët afganë, të cilët vazhdojnë të vijnë dhe të strehohen në qytete të ndryshme. Mikpritja dhe solidariteti shqiptar me refugjatët afganë, një faqe e re në realitetin tonë.

Kryeministri Rama dhe ministrja e jashtme Xhaçka duke pritur në aeroport refugjatët afganë

Kryeministri Rama dhe ministrja e jashtme Xhaçka duke pritur në aeroport refugjatët afganë

Marsela Musabelliu: Shqiptaria ka një histori mbresëlënëse në solidaritetin ndaj të pafuqishmëve, nga marrja në mbrojtje e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore ushtarët italianë që mbetën në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, apo strehimi i iranianëve gjatë dekadës së fundit, hapja e dyerve për njerëzit në nevojë është e rrënjosur në traditën shqiptare. Ne si komb ndoshta nuk kemi shumë por edhe me aq pak sa kemi, mundohemi të shfaqim bujari.

Për sa i përket ardhjes se afganëve në vendin tonë, ky është vetëm një gjest vazhdimësie e kësaj tradite.

I rëndësishëm në këtë moment është aspekti ekonomik i këtij gjesti të qeverisë shqiptare pasi jam e bindur se në aspektin social nuk ekziston kurrëfarë problemi. Sipas deklaratave zyrtare kryeministri shqiptar është shprehur se vendi ynë është i gatshëm të presë deri në 4,000 afganë, por kostot e këtij operacioni nuk dihet nëse do të mbarten nga taksapaguesit shqiptarë apo nga partnerët e NATOs. Gjithësesi kjo do të shihet në të ardhmen.

CMG: Refugjatët afganë po strehohen në Shqipëri në mënyrë të përkohëshme. Pavarësisht se kryeministri, politika shqiptare kanë shprehur mirëseardhje dhe për ata që do të duan të vendosen në Shqipëri. A ndodhen këta refugjatë para një të ardhmeje të pasigurtë?

Mbërritja në Shqipëri e refugjatëve afganë (Shqip)

Mbërritja në Shqipëri e refugjatëve afganë (Shqip)

Marsela Musabelliu: Deri në momentin që po flasim janë rreth 650 afganë në Shqipëri, dhe ata që janë këtu konsiderohen si më fatlumët nga kjo situatë.

CMG: Sigurisht që janë më fatlumët

Marsela Musabelliu: Sepse kanë ardhur shpejt e shëndoshë e mirë, si dhe të sigurtë.

CMG: Në kushte optimale kanë udhëtuar, pavarësisht stresit të qëndrimit në aeroportin e Kabulit, por dhe mikëpritja këtu është një faktor, sepse janë pritur në mënyrë shembullore, sa i përket palës shqiptare.

Marsela Musabelliu: Mëse e vërtetë. Nëse mund ta themi në këtë situatë ata janë më fatlumët, sepse tashmë jetën e tyre e kanë të sigurtë. Tragjedia nuk qëndron tek këta, por te ata që janë duke u përpjekur përpjekur të ikin nga vendi.

CMG: Vrasjet që ndodhën, aktet terroriste, gjithçka që mund të ndodhë në një vend ku nuk ka stabilitet.

Marsela Musabelliu: Skenat e tmerrshme që kanë bërë xhiron e botës, të cilat i kemi ndjekur të gjithë, sepse është e pamundur të mos i ndjekësh, janë me të vërtetë të trishtueshme. Por më e keqja është çfarë vjen si pasojë. Do të ketë një krizë humanitare në gjashtë muajt e ardhshëm dhe do të ketë mbi 1 milion njerëz që do të largohen nga Afganistani në muajt e ardhshëm duke kërkuar strehim. UNICEF vuri këmbana alarmi për rrezikun e fëmijëve që kanë ngelur në Afganistan, për të mos shkuar tek tematika e trishtë e situatës së grave dhe vajzave atje.

CMG: Kemi parë në media protesta të grave afgane, por me sa duket nuk pritet që zëri i tyre të ketë liri, apo veprim institucional në të ardhmen në Kabul, apo qytete të tjera. Sa i përket largimeve nga vendi tashmë po ndodhin largime të refugjatëve afganë drejt vendeve fqinje, njeri pre të cilëve dhe Irani. Ndaj refugjatëve afganë, vende të ndryshme po mbajnë qëndrime të ndryshme. Opinioni juaj për strehimin e tyre, në veçanti për qëndrimin ndaj tyre të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Refugjatët afganë në Tiranë (Panorama)

Refugjatët afganë në Tiranë (Panorama)

Marsela Musabelliu: Ka në fakt një dilemë madhore dhe ndarje sidomos midis vendeve të zhvilluara për strehimin e afganëve në territoret e tyre dhe syresh debatet politike kanë filluar të shprehin qartë se po merren pozicione të ndryshme mbi situatën. Por le të kthehemi te pika më e rëndësishme dhe ashtu siç thatë ju fati i refugjatëve afganë varet shumë nga gjeografia.

Shumica po ikin me këmbë për në Pakistan, ku aktualisht jetojnë rreth 1.4 milion refugjatë afganë të regjistruar. Qeveria pakistaneze raporton se qindra familje afgane kanë kaluar kufirin që prej mesit të gushtit dhe asnjë prej tyre nuk ka marrë statusin e refugjatit. Që prej fillimit të gushtit ushtria pakistaneze është vendosur në kufi për të ndaluar prurjet.

Opsioni i dytë është Irani, ku 1 milion refugjatë afganë janë tashmë në vend. Opsioni i tretë është Afganistani Verior në kufijtë me Turkmenistanin, Uzbekistanin dhe Taxhikistanin. Këto vende te Azisë Qendrore, kanë lidhje të forta kulturore me disa zona në Afganistan.

Afganistani ndan edhe një kufi prej 90 km me Kinën por kalimi është gjeografikisht i pamundur. Përmes korridorit Uakhan do të ishte një sfidë e madhe, me rrugën e përafërt të pa lëvizshme që të çon në kufirin e rrethuar nga male me gati 5.000 metrash lartësi. Kur të shtohen rrymat migratore, të gjithë do të shkojnë drejt Europës nga Ballkani. Këta duhet të bëjnë udhëtimin nëpër Iran, Turqi, Greqi dhe pastaj përmes Ballkanit ose në Itali. Në çdo pjesë të udhëtimit të tyre ka fortifikime kufitare që ose ishin ngritur ose do ngrihen. Hungaria, Austria, Sllovenia dhe Serbia kanë thënë që nuk kemi asnjë lloj mundësie për të pritur redugjatët afganë.

Marsela Musabelliu intervistë për CMG

Marsela Musabelliu intervistë për CMG

CMG: Megjithatë Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë qenë mikpritëse të refugjatëve, duke dhënë një shembull mjaft pozitiv në këtë drejtim.

Marsela Musabelliu: Nëse shifrat do të jenë 4 mijë apo 5 mijë refugjatë afganë Ballkani Perëndimor e ka mundësinë për t’i pritur, por nëse për shkak të rrymave migratore ky numër do të rritet, asnjë shtet në këtë rajon nuk e ka mundësinë për të mbuluar këtë rrymë migratore që vjen.

Intervistoi Eda Merepeza