Armend Pire punon si reporter që prej muajit shtator të vitit 2020 në Televizionin A2, një nga filialet e brendit botëror të televizioneve, CNN. Gjatë karrierës së tij gazetareske më përpara ka punuar edhe në media të tjera shqiptare. Në një intervistë për CMG ai na tregon për eksperiencën e tij gazetareske, vështirësitë e punës si gazetar në terren si dhe synimet e tij në të ardhmen.
Armend Pire
CMG: Armend faleminderit që je i ftuar në “Autostradë”, në valët e Radio Ejani.
Armend Pire: Përshëndetje dhe shumë kënaqësi që të ndajmë bashkë këtë bisedë.
CMG: Si erdhi pasioni që të studioni në fushën e gazetarisë dhe më pas të punësoheshit në disa media shqiptare si gazetar terreni?
Armend Pire: Është mjaft e veçantë pjesa e zgjedhjes së gazetarisë, sepse të paktën mund të them se që në moshën 16 vjeçare që sapo nisa gjimnazin, ishte një dëshirë e imja gazetaria. Jo shumë i apasionuar pas letërsisë, më pëlqente të lexoja por më tepër artikuj gazetareskë. Me ndihmën e një profesori tim që quhet Naim Zhuri dhe e kam falënderuar vazhdimisht, ka qenë shtysa që unë të shkoja drejt fakultetit të gazetarisë dhe në aplikimet që kam kryer për shkollë të lartë dega e gazetarisë ka qenë e vetmja që unë kapja në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”.
Gazetaria ishte rruga ime, e vetmja që doja të ndiqja përpos kuzhinës që ka qenë një pasion i cili mund të priste, ndërkohë që gazetaria ishte diçka që duhet ta kapje me kohën. Kështu që pa hezitim vendosa të studioj për gazetari pikërisht në qytetin e Elbasanit.
Armend Pire duke raportuar
CMG: Gjatë viteve të studimit për gazetari ju jeni angazhuar edhe në disa media, duke shkruar artikuj të ndryshëm.
Armend Pire: Po, është e vërtetë. Kam qenë i angazhuar edhe pse mundësitë ishin të pakta, jam angazhuar në pjesën e portaleve apo edhe në gazeta të vogla, duke më dhënë një mundësi mjaft të mirë. Kam shkruar shkrime të vogla të cilat lidheshin me pjesën sociale. Mbaj mend që shkrimi im i parë ishte për Kishën e Shënkollit në fshatin Perëndi, një fshat afër banesës ku unë jetoj, dalëngadalë me reportazhe dhe lajme të ndryshme, pra i angazhuar me mundësitë që të ofroheshin për një student, por që asnjëherë nuk i kam anashkaluar. Në këtë mënyrë duke studiuar, madje dhe duke u ushtruar drejt profesionit sepse marrja e eksperiencës ishte më e vlefshme sesa pjesa teorike. Pra nuk mjaftonte vetëm të mësoje teoritë dhe atë çfarë na ofronin pedagogët, por në qoftë se nuk preknim dot realitetin shqiptar, e shihja se do të ishte shumë e vështirë për mua kur të dilja në tregun e punës. Do të isha si një pikë uji në oqean dhe nuk do të njihja asgjë.
Jam orientuar drejt problemeve sociale, kulturore, trashëgimisë, aktualitetit që prek çdo ditë në vendin tonë dhe besoj se më ka shërbyer shumë.
CMG: Keni marrë pjesë dhe në spektaklin televiziv “Toptalent” ku ju ishit nga më të mirët dhe pjesëmarrja aty ju hapi dhe rrugën për punësim në televizion.
Armend Pire me gazetarin Marin Mema gjatë Toptalent
Armend Pire: Ajo ka qenë eksperiencë shumë e bukur ose nga më të bukurat, sepse një i ri student dhe shumë i apasionuar pas gazetarisë i jepej mundësia e parë, pra mundësia e parë zyrtare të kishte një kontratë pune, të punonte me redaktorë, kryeredaktorë dhe me kolegë të tjerë gazetarë. Të njiheshe me kamerën dhe me mbajtjen e mikrofonit ka qenë një nga emocionet e para, pra të bërit gazetari nisi aty.
Ka qenë një rrugëtim mjaft i bukur, shumë emocionues dhe sfidues. Mund të them se kam ndenjur dhe me netë zgjuar, vetëm me idenë se çfarë duhet të paraqisja në çerekfinale, gjysmëfinale, madje dhe në finalen e madhe për të bindur një juri, e cila ishte mjaft profesioniste. Mund të them se nga ana e jurisë mu komunikonte vazhdimisht se isha një djalë punëtor dhe me këmbë në tokë, pra nuk kërkon që të jesh një gazetar i suksesshëm menjëherë, por që dëshiron të punojë dhe të njohë terrenin. Kjo në fakt më ndihmoi dhe më dha krah që ta nisja me disa kronika të vogla nga aspektet sociale të vendit tonë.
Sektori i sociales dhe aktualitetit ka qenë preferenca ime sepse njeh njerëz, njihesh me problemet e tyre, sheh çfarë ndodh rreth teje, pra nuk është vetëm politikë, ekonomi, sport gjithçka në vendin tonë, por ka dhe shumë problem, por dhe të mira që mund t’i transmetosh dhe përpunosh në vijën televizive. Kështu “Toptalent” na dha mundësinë që ne të ishim disa të rinj të apasionuar dhe të gatshëm për të hyrë në një treg pune. Pas disa sfidave të bukura dhe mjaft të forta me konkurrentë të tjerë, arrita që të kem një kontratë pune 1 vjeçare në televizionin Top Channel.
Armend Pire në intervistë për CMG
CMG: Pse ju ka pëlqyer gjithmonë gazetaria e terrenit dhe fusha e çështjeve sociale?
Armend Pire: Unë nuk jam i apasionuar pas të bukurës në ekran, por jam i apasionuar pas punës që bëhet në televizion dhe të shkosh në vendin e ngjarjes, atje ku po ndodh situata dhe të jesh ti raportuesi i lajmit dhe jo ta marrësh bruto nga zyra apo televizioni, është me të vërtetë një gjë shumë e bukur sepse njerëzit të referohen ty dhe e dëgjojnë se çfarë ndodh. Kjo ka qenë shtysa për të qenë pjesë e gazetarisë së terrenit, për t’ju dhënë figurën dhe zërin atyre njerëzve të cilët nuk mund të jenë dot në një vendngjarje. Kjo është e bukura e terrenit sepse ti has në vështirësi, has në situata të ndryshme dhe momente të bukura, momente frymëzimi, histori njerëzore të cilat prekin dhe padyshim është një ndjesi e bukur kur njerëzit kërkojnë që t’i ndihmosh dhe të çosh zërin e tyre që të paktën të dëgjohet nga autoritetet, dhe kjo është ajo që unë kam ëndërruar.
CMG: Keni menduar ndonjëherë që të realizoni dhe moderoni vetë një emision në televizion për çështjet sociale apo aktualitetin?
Armend Pire: Kjo është arritja më e madhe, në qoftë së mund ta quaj nëse do realizohej, por që duhet shumë punë, vite eksperiencë dhe shumë njohje me njerëzit. Nuk mund ta realizosh një emision të tillë sepse një emision nuk është një gjë e bukur që del në televizion dhe transmetohet. Është shumë punë kolosale nga mbrapa me përgatitjen e një emisioni dhe për të arritur përgatitjen e një emisioni model normalisht të duhet stafi dhe burimet njerëzore dhe ata financiare, pra është një ndërthurje shumë e madhe që shikuesit nuk e shohin, pra shohin atë që ti përgatit. Kështu që moderimi i një emisioni apo përgatitja e një cikli reportazhesh që kanë të bëjnë me pjesën e moderimit mund të jetë një synim për t’u arritur pasi të kesh fituar një eksperiencë, që unë të paktën pa 10 apo 15 vjeçare, nuk e quaj.
CMG: Cilat janë pikat tuaja më të forta që në pak vite eksperiencë keni arritur të jeni i suksesshëm në tregun mediatik?
Armend Pire gjatë raportimit të lajmit
Armend Pire: Mos të dorëzohesh. Guximi për të ecur përpara dhe mos të dorëzohesh është faktori kyç që të bën të ecësh përpara. Kam marrë shumë kritika të cilat i kam përqafuar, kam marrë shumë vërejtje aty ku ka qenë për t’u kritikuar dhe për të pasur një reflektim se ku duhet të korrigjohesh dhe të mësosh. Marrja e sa më shumë mbështetje edhe nga kryeredaktorët, redaktorët dhe kolegë gazetarë të bën që të rritesh në profesion.
Gazetar nuk mund të quhesh nëse ti misionin tënd e le në gjysëm, apo nëse bën një punë sa për të thënë se unë jam i punësuar. Gazetaria nuk është taksative, por është një sektor shumë i vështirë që ty mund të të gjejë në punë herët në mëngjes, por edhe natën vonë. Të sakrifikosh këtë pjesë të jetës apo kohë të jetës që nesër mund të jesh dhe familjar është një gjë shumë e madhe. Duke pasur pikërisht atë besimin tek vetja që unë dua të bëj këtë që kam ëndërruar, pra të jem me njerëzit dhe pjesë e televizionit me gazetari terreni, të bën që të ecësh përpara dhe mos të mendosh lodhjen dhe sakrificat që ti po bën.
CMG: Unë të falënderoj shumë për këtë bisedë dhe të uroj suksese dhe rritje në karrierë.
Armend Pire: Faleminderit dhe së fundi një sugjerim të cilin jua kam dhënë të gjithë studentëve të gazetarisë të cilët më kanë kontaktuar, mos u dorëzoni sepse synimi që ti i vendos vetes është padyshim i arritshëm.
Intervistoi: Gazmend Agaj