Korriku dhe gushti i këtij viti mund të quhet pa frikë si “muajt e zjarreve”, sepse edhe Shqipëria si shumë vende të tjera në rajon dhe më gjerë u përball me një situatë të vështirë të rënies së zjarreve, që përfshinë pothuajse të gjithë territorin e vendit. Me ardhjen e vjeshtës duket se zjarr-rëniet apo zjarr-vëniet janë qetësuar, duke ia lënë vendin bilancit të kësaj emergjence dhe domosdoshmërisë për modernizimin e emergjencave civile në vend.

Ceremonia në Farkë (Vizion Plus)

Ceremonia në Farkë (Vizion Plus)

Në një veprimtari të zhvilluar në bazën ajrore të Farkës me pjesëmarrjen e autoriteteve të larta shqiptare, përfaqësues të trupit diplomatik në vend dhe të strukturave të emergjencës civile u përshfaq veprimtaria në luftë me zjarret, ndihma nga vendet e ndryshme dhe institucionet ndërkombëtare si dhe u shtrua nevoja e përmirësimit të punës në drejtim të emergjencave natyrore dhe civile.

Drejtori i Emergjencës Civile, Haki Çako, deklaroi se nga zjarret masive që përfshinë vendin u dëmtuan mbi 33 mijë hektarë kullota, pyje e shkurre si dhe mbi 14 mijë rrënjë ullinj e pemtari. Çako tha se Shqipëria konsiderohet me rrezikshmëri të lartë për zjarret dhe se në gjithë vendin shpërthyen 389 vatra zjarri. Më masivi ishte në Karaburun. Shqipëria është përballur me disa emergjenca natyrore, si tërmeti i vitit 2019, pandemia COVID-19, përmbytjet e fillimvitit 2021, zjarret e muajve të fundit, situata që sipas Çakos, kërkuan angazhim maksimal të kapaciteteve njerëzore teknike dhe financiare.

Kryeministri Rama në ceremoni (Lapsi.al)

Kryeministri Rama në ceremoni (Lapsi.al)

Kryeministri Edi Rama, duke marrë fjalën në veprimtari vlerësoi menaxhimin e situatës së zjarreve në vend, ndërsa theksoi rëndësinë e ndëshkimit të zjarrvënësve.

“Çka kemi parë deri tani si rezultat i reformës të gjithë sistemit të emergjencave civile është shumë inkurajuese për të parë me optimizëm rezultatin përfundimtar të këtij procesi. Ishte një muaj zjarresh që përfshiu botën dhe për t’u afruar tek ne vuri në pozitë të vështirë vende të afërta, që janë mësuar me sfidën e zjarreve të përvitshme dhe për herë të parë nuk kishin asnjë mundësi të na jepnin ndihmë, por kishin nevojë për ndihmë. Kam parasysh Italinë, Turqinë, Greqinë” tha kreu i qeverisë.

Rama garantoi se “ne do të bëjmë atë që duhet për të rritur dhe pagën, që nuk do jetë asnjëherë e mjaftueshme për këto trupa që përballen me sfida që kërcënojnë jetën. Ne na takon të bëjmë shumë më tepër për të gjithë ju, që t’ju vëmë në dispozicion gjithçka ju duhet për ta bërë këtë punë heroike me cilësinë më të lartë”.

Bilanci për zjarret (Dosja.al)

Bilanci për zjarret (Dosja.al)

Kryeministri u ndal edhe te aspekti kriminal i situatës së zjarreve. “Vatrat e zjarreve në një pjesë të madhe janë rezultat i rritjes dramatike të temperaturave kudo në botë, por në një pjesë të konsiderueshme janë rezultat i barbarisë së atyre që me një shkrepëse e shishe benzine vrasin shpirti e atdheut, plagosin trupin e atdheut dhe hedhin në erë mundimet djersën e shumë e shumë gjeneratave”, tha Rama.

Nga ana e tij ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi falënderoi për mbështetjen ndërkombëtare ndaj Shqipërisë në luftën me zjarret dhe kërkoi më shumë reflektim nga organet vendore për përballimin e kësaj situate. Ai tha se duhet planifikim logjistik dhe ngritje e kapaciteteve.

“Kjo përballje ashtu si dhe përballjet e viteve të fundit na ka treguar se sa i rëndësishëm është modernizimi i emergjencave civile. Modernizim i legjislacionit, planifikim logjistik, ngritja e kapaciteteve të reja dhe trupa e emergjencave civile për kryerjen e operacioneve për përballimin e emergjencave, mbrojtja civile fillon nga komunitetit te bashkitë e çdo institucion që është i përfshirë”, tha ministri Niko Peleshi.

Zjarre në veri të vendit

Zjarre në veri të vendit

Bashkimi Europian aktivizoi Mekanizmin e Mbrojtjes Civile dhe dërgoi në Shqipëri dy helikopterë nga Holanda dhe Çekia dhe rreth 50 vetë personel. Nuk mungoi as ndihma për shuarjen e zjarreve nga vendet fqinje, kryesisht nga Kosova si dhe nga ekspertë amerikanë të mbrojtjes civile të ardhur nëpërmjet USAID-it.

Për shkak të rënies së zjarreve në përpjekje për shuarjen e tyre humbi jetën një çift nga Gjirokastra dhe u lënduan dhjetëra të tjerë.

Situata problematike e rënies së zjarreve në Shqipëri përfshiu më shumë se 15 rrethe si: Shkodër, Lezhë, Pukë, Kukës, Elbasan, Fier, Skrapar, Durrës, Tiranë, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Përmet dhe Sarandë, ku vatrat më kritike ishin në Karaburun të Vlorës dhe në Malin e Rrunës në Kukës.

Eda Merepeza