Ministrja e arsimit Evis Kushi (ABCNews.al)
1 shtatori ka qenë data e nisjes së vitit të ri shkollor në Shqipëri, por situata pandemike, masat shtrënguese të imponuara prej saj, kanë ndryshuar dhe startimin e vitit të ri shkollor. Madje autoritetet arsimore e kishin planifikuar nisjen e vitit të ri shkollor më 13 shtator, por në një njoftim të fundit zyrtar ministrja e Arsimit, Evis Kushi bëri të ditur do të fillojë më 27 shtator dhe argumentoi zgjatjen e mësimit plotësues, i cili starton më 1 shtator.
“Kemi vendosur përfundimisht që viti i ri shkollor 2021-2022 të mos fillojë më 13 shtator, por në datën 27 shtator. Konkretisht, për arsimin bazë, nga klasa e pare deri në klasën e 9-të, mbyllja e vitit shkollor shtyhet nga data 8 në datën 17 qershor 2022. Për arsimin e mesëm të lartë, klasat e 10-a dhe të 11-a , mbyllja e vitit shkollor shtyhet nga data 15 në 24 qershor 2022, ndërsa për maturantët, pra klasa e 12-të, mbyllja e vitit shkollor shtyhet nga data 1 në 8n qershor 2022”, njoftoi ministrja e Arsimit.
Ministrja theksoi gjithashtu se shkolla do të jetë e hapur që më 1 shtator për mësimin plotësues, por nxënësit nuk janë të detyruar të shkojnë çdo ditë në shkollë, ndërsa mësuesit dhe të gjitha stafet shkollore do të jenë aty me kohë të plotë për të ofruar krahas mësimit plotësues, edhe veprimtari të ndryshme sportive, artistike dhe kulturore.
Vazhdon ndërtimi i shkollave të reja
Një sërë shkollash u dëmtuan pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, por shumica e tyre ose janë rikonstruktuar ose janë ndërtuar nga themelet. Gjatë vizitave inspektuese në këto shkolla Kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj kanë premtuar se një sërë shkollash në shtator do të jenë gati për të pritur nxënës. Sipas tyre shkollat e reja janë ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore dhe janë të pajisura me palestra dhe ambiente laboratorike të dedikuara, duke patur mjedise të mjaftueshme për nxënësit dhe duke shmangur mësimin me turne të tyre.
Sipas kryebashkiakut Veliaj, në shumicën e shkollave të reja është futur edhe koncepti i auditorit, ku do të organizohen festa të ndryshme dhe veprimtari jashtëshkollore.
Shkollat në pritje të nxënësve (Panorama)
Në prag të vitit të ri akademik, autoritetet arsimore kanë njoftuar se rezidencat studentore universitare janë gati të mirëpresin studentët me kushte optimale dhe me infrastrukturë të përmirësuar.
Në Rezidencën Studentore Universitare nr. 2, në Tiranë, e përbërë nga katër godina të rikonstruktuara sipas standardeve më bashkëkohore godinat janë tërësisht të rikonstruktuara dhe tashmë presin studentë nga Fakulteti i Inxhinierisë, nga Fakulteti i Mjekësisë, i Sporteve dhe Bujqësori. Sipas Ministrisë së Arsimit deri në nisjen e vitit akademik më 11 tetor, ka kohë të mjaftueshme për të përfunduar çdo punim në godinat ku strehohen studentët.
Fëmijët dhe vaksinimi
Ndërsa në disa vende të botës, kryesisht të Bashkimit Europian po diskutohet vaksinimi i fëmijëve mbi 12 vjeç, në Shqipëri autoritetet shëndetësore kanë dhënë deklarata të ndryshme për këtë. Varianti Delta i koronavirusit po rrit numrin e të infektuarve dhe të shtruarve në spital edhe te fëmijët shqiptar, por shefja e shërbimit infektiv pediatrik në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” Gjeorgjina Kuli ka bërë të ditur ditët e fundit për mediet se Delta po shfaqet më pak agresiv se ai klasik dhe ai britanik.
Sipas saj, Delta ka simptoma të ngjashme me ato të virozës së verës. Sa i përket vaksinimit të fëmijëve, anëtarja e Komitetit të Imunizimit tha se vijon të jetë në shqyrtim. Ndërsa lidhur me frekuentimin fizik të shkollës nga fëmijët, ajo u shpreh se nëse do të respektojnë distancën dhe masat e higjienës, nxënësit nuk ka pse të mos kthehen në bangat e shkollës.
Braktisja e shkollës, një dukuri shqetësuese
Mijëra nxënës shqiptarë braktisin arsimin e detyruar çdo vit. Të dhënat nga Ministria e Arsimit tregojnë se kjo dukuri vijon të mbetet prezent në sistemin arsimor në Shqipëri, duke mbetur në vlerat e 0.5 për qind në arsimin bazë, i cili përfshin atë fillor dhe të mesëm të ulët.
Shumëfish më e lartë është përqindja e nxënësve në gjimnaze që braktisin shkollën, ku vlera luhatet mes 1.8 dhe 3.4%. Afro 17 mijë nxënës, vetëm nga arsimi 9-vjeçar, kanë braktisur shkollën në dekadën e fundit. Kushtet e vështira ekonomike dhe emigrimi janë dy nga arsyet kryesore të këtij fenomeni.
Inspektim i rindërtimit të shkollave pas tërmetit (Tirana Post)
Libra shkollorë falas
Brenda 2 vitesh të gjithë nxënësit e shkollave 9-vjeçare do të mund t’i përfitojnë falas tekstet mësimore. Gjatë përurimi të një shkolle në kryeqytet kreu i qeverisë Edi Rama tha se “Këtë vit kemi shtuar klasën e pestë. Vitin tjetër do shtojmë të gjashtën dhe të shtatën, pastaj të tetën dhe të nëntën. Në fund, në sezonin 2021-2022 të gjithë librat nga klasa e parë te e nënta do jenë falas”. Lidhur me këtë ministrja e arsimit Kushi ka theksuar se “Në total janë 280 mijë nxënës në të gjithë Shqipërinë që do të përfitojnë tekste falas, jo vetëm në arsimin bazë, por edhe disa kategori të veçanta nga arsimi i mesëm dhe i lartë. Janë 16 kategori që nga nxënësit në nevojë, nxënësit me aftësi ndryshe, gjithashtu që do të përfitojnë tekste shkollore falas
Ajo ka njoftuar se për vitin e ardhshëm është parashikuar që librat të jenë me një përdorim nga klasa e parë deri në atë të tretë.
Gjuha angleze që nga klasa e pare
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka publikuar “Udhëzimin për vitin e ri shkollor 2021-2022 në sistemin parauniversitar”. Ky udhëzim orienton dhe ndihmon institucionet arsimore në zbatimin sa më efikas të politikave arsimore dhe krijimin e një mjedisi sa më miqësor dhe gjithëpërfshirës për të gjithë nxënësit.
Ky dokument prej 18 faqesh vë theksin tek nevoja e përsëritjes së temave mësimore të vitit të kaluar, zbatimin me përpikëri të planeve mësimore për çdo nivel arsimor, zbatimin e politikave dhe strategjive ndërsektoriale, marrëveshjeve, nismave, programeve e projekteve në funksion të rritjes së cilësisë në sistemin arsimor parauniversitar.
Në këtë udhëzim është përfshirë edhe futja për herë të parë e gjuhës angleze në klasat e para dhe trajnimin e mësuesve përkatës. Në të gjitha shkollat e vendit mësimi i gjuhës angleze do të startojë që në klasën e pare, një përvojë e re kjo për sistemin arsimor shqiptar.
Ndërkohë udhëzimi i Ministrisë së Arsimit veçon si prioritet të punës dhe regjistrimin me përparësi i fëmijëve me nevoja të veçanta, konsolidimin e shkollave si qendra komunitare, reduktimin e braktisjes shkollore, zbatimin e planeve për parandalimin e bulizmit dhe ekstremizmit, si dhe zbatimin e programit të ri të arteve, zejeve dhe sporteve.
Eda Merepeza