Ngrohja globale dhe ngjyrat e oqeaneve
Nëse jeni zhytur ndonjëherë në det për të shijuar bukuritë mahnitëse, mund të keni vërejtur një detaj: sa më thellë shkohet, aq më shumë ngjyrat duket se zbehen. I njëjti peshk, ose koralet që shihen nga uji janë triumfe kromatike që bëhen gri nëse i vëzhgoni nga poshtë sipërfaqes.
Ekziston padyshim një arsye, e lidhur me mënyrën e udhëtimit të dritës nëpër ujë, por ka edhe pasoja, sepse ngjyrat e ndritshme janë një nga metodat më të përdorura të komunikimit nga fauna nënujore, por dhe nga flora.
Me ngrohjen e oqeaneve, gjithnjë e më shumë kafshë detare po e zhvendosin habitatin e tyre më në thellësi, në kërkim të ujërave më të ftohta. Një ekip nga Universiteti “Exeter”, në Britani, u përpoq të analizonte se cilat mund të ishin pasojat e këtij ndryshimi.
Gjatë 50 viteve të fundit lëvizja më në thellësi është bërë gjithnjë e më e zakonshme për peshqit. Një studim nga disa vjet më parë tregoi se midis viteve 1968 dhe 2007 shumë specie që jetonin në brigjet verilindore të Shteteve të Bashkuara u zhvendosën në habitatin e tyre me shpejtësinë e një metri për vit, pas një rritje të temperaturës prej 1°C.
Ndikimi i ndryshimeve klimaterike në ngjyrat e oqeaneve
Studime të tjera kanë treguar se kur uji i detit bëhet më i vrenjtur, për shembull për shkak të një lulëzimi të papritur të algave, shumë specie kanë probleme me njohjen e partnerit. Një tjetër detaj që duhet pasur parasysh është se sa më thellë të lëvizet, aq më shumë uji i oqeanit thith gjatësi vale të caktuara dhe mjedisi përreth bëhet "i çngjyrosur".
Duke kombinuar këto hulumtime, ekipi i udhëhequr nga Eleanor Caves përdori një sërë modelesh matematikore për të kuptuar se si ndryshojnë ngjyrat e mjedisit kur një specie ujore që përfiton nga shenjat e ngjyrave e zhvendos habitatin e saj më thellë.
Sipas bashkautorit të studimit, Sönke Johnsen, bazuar në rezultate, mjafton të zbresësh rreth tridhjetë metra për të kaluar nga imazhet me ngjyra në bardhezi.
Në veçanti, gjatësia e parë e valës që zhduket është ajo e kuqe. Është një problem, sepse e kuqja është një nga ngjyrat më të përdorura në natyrë për të dërguar sinjale vizuale, për shembull për të tërhequr një partner. Ose mban larg grabitqarët. Kriza e ngjyrave nuk prek të gjithë faunën detare në të njëjtën mënyrë.
Sipas studimit, speciet më të rrezikuara janë ato që jetojnë në det të mbyllur, për shembull në Mesdhe, të cilat, përballë një rritje të temperaturës së ujit, nuk mund të ndryshojnë gjerësinë gjeografike dhe të lëvizin drejt poleve në kërkim të freskisë, por janë të detyruara të shkojnë më thellë, ku bota është më pak e gjallë.
Deri në fund të shekullit të 21-të, mbi 50% e oqeaneve të botës do të kenë ndryshuar ngjyrën
Ngrohja globale po ndryshon ngjyrën e oqeaneve. Deri në fund të shekullit gati gjysma e ujërave detare të botës do të jenë intensifikuar blu ose jeshile. Kjo zbulohet nga një studim i ri shkencor nga universiteti amerikan “MIT”, që shpjegon se si, prapa hijeve të ndryshuara, ekziston një shkak shqetësues, domethënë ndryshimet e imponuara nga klima në bashkësitë fitoplanktone.
Në një artikull të botuar në revistën “Nature”, studiuesit shpjegojnë se ata kanë zhvilluar një model global që simulon rritjen dhe bashkëveprimin e llojeve të ndryshme të algave dhe cianobaktereve dhe mënyrën se si bashkësitë e këtyre mikroorganizmave të vegjël do të ndryshojnë, në vende të ndryshme, me rritjen në temperatura.
Përveç që është në bazën e zinxhirit ushqimor të ekosistemeve detare dhe luan një rol thelbësor në prodhimin e oksigjenit, fitoplanktoni ndikon në ngjyrën e ujit.
Ashtu si bimët, klorofili që përmban brenda thith energjinë në rajonet blu dhe të kuqe të spektrit, duke lëshuar dritë jeshile. Pra, sa më shumë fitoplankton të jetë i pranishëm, aq më e gjelbër do të jetë ngjyra e ujit. Aty ku këto bashkësi janë të pakta, uji është më i kaltër.
Ngjyrat e thellësive ujore ndikuar nga klima
Studimi i universiteit “MIT” sugjeron që ndërsa përparon ngrohja globale, rajonet blu, të tilla si subtropikalet, do të intensifikojnë ngjyrën e tyre, duke reflektuar gjithashtu një rënie të mikroorganizmave krahasuar me sot, për shkak të stresit klimatik. Përkundrazi, disa rajone që janë aktualisht më të gjelbra, për shembull afër poleve, mund të bëhen edhe më të gjelbra, duke sugjeruar një lulëzim të fitoplanktonit të favorizuar nga rritja e temperaturave të ujit të detit.
Për të marrë këto rezultate, grupi optimizoi një model llogaritës, të përdorur në të kaluarën për të parashikuar ndryshimet te algat me rritjen e temperaturave dhe acidifikimin e oqeanit. Ky model merr informacion në lidhje me fitoplanktonin, të tilla si prania e lëndëve ushqyese dhe tendencat e rritjes, dhe e përfshin këtë informacion në një model fizik që simulon rrymat oqeanike dhe përzierjen.
Këtë herë, studiuesit shtuan një element të ri në sistem, i cili nuk është përfshirë kurrë më parë në teknikat e tjera të modelimit të oqeanit: aftësia për të vlerësuar gjatësinë e valës specifike të dritës, të thithur dhe reflektuar nga oqeani, në varësi të sasisë dhe llojit të organizmave në një rajon të caktuar.
“Modeli sugjeron që ndryshimet nuk do të duken të mëdha me sy të lirë dhe oqeani do të duket se ende ka rajone blu në subtropikë dhe rajone më të gjelbra pranë ekuatorit dhe poleve”, -shpjegon autorja kryesore e studimit Stephanie Dutkiewicz, duke shtuar se modeli bazë do të jetë akoma atje, por mjaft ndryshe për të ndikuar në pjesën tjetër të zinxhirit ushqimor të bazuar në fitoplanktone.
Përgatiti: Irma Paloli