Ergi Bregasi, koordinator projektesh pranë Qendrës EDEN. Aktivist për çeshtjet e klimës dhe mjedisit, Ergi, student i Fakultetit te Mjekësisë Veterinare është përfshirë në nivel lokal dhe ndërkombëtar në aksione dhe fushata për ndryshimet klimatike.
Aktualisht Ergi është koordinator i projektit “Ekonomi e Gjelbër për Rajon të Zhvilluar”, mbështetur nga BE, pranë Qendrës EDEN.
CMG : Ergi, kur keni nisur të merreni me çështjet e klimës?
Ergi Bregasi : Kam kohë që merrem me çështjet e klimës dhe gjithçka që lidhet me klimën. Rrugës nisa t’i jap edhe rëndësinë maksimale kësaj çështjeje.
Duke u përfshirë në projekte të ndryshme, të zëshme arrita të kuptoj që mbrojta e mjedisit vjen nga iniciativa e të rinjve.
Unë besoj që një mjedis i pastër dhe i shëndetshëm mund të ekzistojë mjafton vetëm që ta besojmë këtë gjë dhe të kemi pak më tepër ambicie për të punuar me mjedisin e për të mos u ndalur.
Në fillim përfshirja ime ishte tepër idealiste, por duhet të them që kjo punë është tejet sfiduese pasi duhet të përballemi dhe me dështime. Jo të gjjtha objektivat mund t’i realizojmë kështu që nuk mbetet gjë tjetër veçse të kem durim.
CMG: Cili ka qenë kontakti juaj i parë me punën?
Ergi Bregasi: Kontakti i parë ka qenë si oficer komunikimi në një organizatë. Kam qenë i angazhuar në mbrojtje të jetës të egër, natyrës në vend, kryesisht shpendëve.
Detyrat e mia lidheshin me komunikimet me jashtë. Për mua ka qenë një eksperiencë goxha e vlefshme për gjjthe rrugëtimin tim në karrierë.
Aty mësova shumë si menaxhohet një punë, por edhe bio diversitetin që Shqipëria ka.
CMG: A e konsideroni punën sfidë?
Ergi Bregasi : Po. Në fillim kur nisa punë në EDEN unë u futa në një sfidë me veten. Në fakt, edhe sot e kësaj dite mendoj që jam në një sfidë me veten.
Për shkak të moshës dhe eksperiencës foshnjore që kam në këtë sektor, patjetër që e kam parë si sfidë. Madje dikur duke qenë që isha i ri në punë, më është dashur që një proces pune ta zgjasja me orë të tëra sepse nuk ja kisha marrë dorën plotësisht.
Por sido të jetë unë kam përftuar tashmë disa zakone, të cilat më janë kthyer në shprehi e përveç kësaj pas çdo takimi apo pas çdo eventi të realizuar, unë mundohem të marr këshillat e më të rriturve apo të përgatiturve për të parë performancen time nga syri i tyre.
CMG: Çfarë është ekonomia e "gjelbër" dhe çfarë vendi zë në aktivizimin tuaj?
Ergi Bregasi : Këtë vit Qendra “EDEN” organizoi një takim që në fokus kishte ekonominë e gjelbër. Konferenca është tepër e rëndësishme pasi bëri bashkë aktorë dhe politika të Ballkanit mbi ekonominë e gjelbër.
Ishte një tryezë diskutimi, e cila ofroi mundësi dhe alternativa shumë të mira për mjedisin në tërësi. Aty u diskutuan edhe praktikat që vendet e Ballkanit kanë mbi ekonominë e "gjelbër".
Qëllimi kryesor ishte që të krijohet një rrjetëzim mes organizateve.
Të gjithë njëzëri menduan që të rinjtë janë aktorë kyç në mbrojtjen dhe punën në mjedis. Të rinjve duhet t’u ofrohet punë e gjelbër për t'ia dalë dhe për të bërë të mundur punën me konkretisht.
CMG : A e njohin mirë të rinjtë konceptin e “ekonomisë të gjelbër”?
Ergi Bregasi: Vite më parë kur edhe ne e nisëm këto projekt, jo. Nuk ishte tepër i njohur si koncept. Por, falë gjithë punës dhe gjithë aktivizimit të shoqërisë civile tashmë ky koncept është bërë i njohur.
“Ekonomia e gjelbër” nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e sektorit fitimprurës për t’u bërë më ekologjik. Në këtë konteskt ekonomia shihet edhe si mjet që ndihmon për të rritur një vend ekonomikisht. Ndihmon për të rritur GDP e një vendi. Gjithashtu në fokus ka të rrisë edhe përfshirjen sociale.
CMG: Cili është vendi juaj ideal për të jetuar, nisur nga kushtet mjedisore?
Ergi Bregasi: Nisur nga cilësite e mira mjedisore, do të ishte Evropa Veriore, Irlandë, Suedi dhe Norvegji janë vende ideale.
Duke qenë që klima po ndryshon jam i bindur që me këto ndryshime do ta shohin Arktikën si një vend pranveror. Aty flora dhe fauna janë shumë të pasura dhe shpendët të japin idenë e një vendi ideal
CMG : Çfarë po i ndodh klimës në jetën e përditshme?
Ergi Bregasi: Në jetën e përditshme ne nuk arrimë që ta vëmë re se çfarë i mungon natyrës apo se çfarë i shkaktojmë neve asaj.
Por nëse bëjmë një krahasim, nga dje në sot mund të shohim fare qartë se çfarë i bëjmë mjedisit nga veprimtaria jonë e përditshme.
Në pjesën veriore të Adriatikut ka një tendencë në rritje të nivelit të detit, të marrjes së tokës nga deti.
Kjo vihet re në zonën e Lezhës aty është më i shfaqur si fenomen, duke u ballafaquar me një realitet që të vjen keq.
CMG :Cila pjesë e Shqipërisë është më e favorshme për të jetuar?
Ergi Bregasi :Mendoj që është pjesa perëndimore bregdetare. Ka një klimë të mirë, natyrë të favorshme dhe pasuri të tjera.
Ndër të tjera, kulinaria është tepër e zgjeruar, por ajo që doja të theksoja është fakti se në pjesën e Vlorës, nëse mund ta marr si shembull, është tepër komod të zhvillosh edhe turizëm. Në Vlorë ti je edhe në det edhe në mal. Pra në këtë zonë është rehati të jetosh, pasi i ke të dyja.
CMG : Si e shihni perspektivën tuaj në profesion?
Ergi Bregasi : Po të njihja perspektivën e mjedisit, absolutisht që do ta kisha të lehtë të flisja. Por, duke parë që nuk i dimë te gjjtha gjërat nga mjedisi as unë nuk e di fort mirë perspektivën. Ajo që di dhe dua të them me bindje të plotë është që pavarësisht situatës që nuk është tepër e favorshme dhe ka shumë punë me vendimmarrjen, unë do vijoj të merrem me këtë punë, sepse e dua.
CMG :Çfarë do të thotë për ju të jesh " Aktivist Mjedisor"?
Ergi Bregasi : Është emocioni më i bukur dhe më i veçantë. Të jesh Aktivist nuk mjafton vetëm të dish që kjo punë bëhet kështu apo ashtu, por duhet të përqendrohesh dhe të japësh maksimumin. Mbi të gjitha të kesh durim!
Intervistoi: Megi Latifi